Blerina Krantja - Të udhëheqësh në kohë pandemie duke ruajtur balancat mes sigurisë dhe vazhdimësisë së biznesit
Zj. Blerina Krantja , Drejtore e Departamentit të Burimeve Njerëzore në institucionin financiar NOA tregon për sfidat e udhëheqjes në kohë pandemie dhe masat e marra nga ky institucion mbi kujdesin e sigurisë së klientëve në të gjithë rrjetin e degëve dhe të stafit duke ruajtuar njëkohësisht vazhdimësinë e biznesit.
Institucionet financiare si NOA nuk e kanë ndalur në asnjë moment aktivitetin e tyre gjatë periudhës qëpo lëmë pas. Si ia keni dalë me menaxhimin e “burimeve njerëzore” dhe cilat ishin sfidat që ndeshët në këtë periudhë?
Sfida e pandemisë që po lëmë pas ndryshoi mjedisin në të cilin jetojmë në mënyrë të menjëhershme e të papritur, duke nxitur dhe institucionin tonë të ndryshojë me shpejtësi mënyrën e të punuarit të stafit tonë. Por me një kusht : të mos ndërprisnim në asnjë moment misionin dhe vizionin tonë në shërbim të klientëve, që nuk kanë, ose kanë akses të kufizuar në sistemin financiar. Një parakusht thelbësor ky për mbijetesën e ekonomisë së tyre në këtë moment vulnerabël.
Institucioni ynë ka investuar maksimalisht për t’ju përshtatur shpejt kësaj situate - duke filluar nga dizenjimi i një politike të mirëfilltë të manaxhimit të stafit në kushtet e pandemisë: rregullimi i praktikave të përditshme të punës për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e stafit tone, e deri tek menaxhimi i situatave thelbësore për klientët apo partnerët tanë të biznesit.
Aplikimi i të gjitha procedurave, rregullave dhe masave sanitare të kërkuara nga organet kompetente në vend, ofrimi i një orari pune fleksibël për çdo koleg, kryerja e punës në distancë për rreth 50 % të stafit, mbrojtja e shëndetit të punonjësve më vulnerabël me sëmundje kronike, grave shtatzëna apo dhe punonjësve që kanë nevojë për përkujdesje të fëmijëve, komunikim i vazhdueshëm me çdo bashkëpunëtor, përkujdesje, këshillim për manaxhimin e stresit etj. – të gjitha këto e të tjera ishin ndër hapat kryesorë që kemi ndjekur në mënyrë të përditshme gjatë periudhës që po lëmë pas.
Do të shtoja gjithashtu se sfida më e madhe për të gjithë ne, ishte koha e shkurtër në dispozicion për çdo veprim apo vendimarrje, çka ishte në disfavorin tonë, ashtu si dhe risku i lartë i ekspozimit ndaj virusit/të panjohurës, përkundrejt ndjenjës së lartë të përgjegjshmërisë e objektivit për të mos e ndërprerë në asnjë moment aktivitetin tonë.
Për sa më sipër, kombinimi i investimit të stafit, të udhëhequr nga vlerat tona më të forta të përgjegjshmërisë sociale, mbrojtjes së klientit, angazhimit, dinamizimit, fleksibilitetit, miksuar me inovacion teknologjik në NOA, bënë të mundur që t’ja dilnim për të mos I ndërprërë shërbimet tona për mijëra klientë, sipërmarrës, fermerë dhe familje shqiptare.
Përmbledhja e këtyre elementëve thelbësore ka frymëzuar dhe shërbyer si udhëzues për vendimmarrjet e duhura nga stafi në çdo situatë dhe në të gjitha nivelet, duke u shndërruar në çelësin e suksesit tonë.
Cilat janë cilësitë që kërkohen nga sektori i mikrofinancës dhe nga një kompani si NOA kur bëhet fjalë për stafin tuaj apo në kuadër të rekrutimit të punonjësi të ri?
Si një institucion i krijuar nga USAID 21 vite më parë, dhe me pronësi 100% të huaj, në NOA ne synojmë gjithmonë të jemi përcjellës të vlerave më të larta profesionale. Krenaria dhe entuziazmi për sektorin, klientin dhe institucionin, pasja e një kuptimi të qartë të impaktit ekonomik dhe social që institucioni ynë ka në Shqipëri, janë parakushte për suksesin e çdo kolegu dhe bashkëpunëtori tonë. Integriteti i lartë dhe në një nivel me imazhin e institucionit – përçimi dhe amplifikimi i tij në marrëdhëniet me tregun, klientët, rrethin shoqëror, familjar, palët e treta – është po kaq i rëndësishëm dhe një kriter themelor në vlerësimin e stafit të ri. Për shkak të sfidave të sektorit dhe karakteristikave të klientëve tanë, të cilët janë sipërmarrës të vegjël, fermerë apo biznese familjare, kyçe janë aftësitë, si fleksibililitet, angazhim, përkushtim, motivim nga risitë, energji dhe pasion për zhvillimin, dëshirë për vetëpërmirësim, përgjegjshmëri, por dhe kurajo për t’u përshtatur me një mjedis që ndryshon në mënyrë konstante.
Nëse dikush kërkon të punësohet pranë një institucioni financiar në këtë periudhë, çfarë këshillash do t’i jepnit?
Si një kompani në zgjerim të vazhdueshëm NOA vazhdimisht kërkon talente të reja për t’ju bashkuar strategjisë së saj së biznesit, por pa harruar nga ana tjetër dhe investimin tonë në identifikimin dhe zhvillimin e talentit të tyre profesional. Dedikimi ndaj zhvillimit të brezit të ri është maksimal duke e konsideruar si një avantazh dypalësh. Ne kërkojmë gjithmonë mënyra të reja dhe inovative për rekrutimin e talenteve më të mirë. Por jo vetëm duke perfeksionuar proçesin e rekrutimit, por edhe duke edukuar dhe përgatitur njëkohësisht gjeneratën e re për një qasje profesionale ndaj punëdhësve të ardhshëm.
Përveç aftësive dhe kompetencave që përmendëm më sipër, këshilla që do të jepja lidhet me faktin sa thelbësore është dhe përgatitja e kandidatëve për procesin e rekrutimit. Çdo kandidat para një interviste duhet të bëjë disa “detyra shtëpie” nëse mund të them kështu, si njohja me profilin dhe përshkrimin e punës, historikun e kompanisë apo historitë e suksesit të stafit, të cilat janë vetëm fillimi i procesit.
Çdo kandidat duhet të pyesë më pas veten: a jam mjaftueshëm i hapur që të përshtatem me vlerat e kompanisë? A përputhet profili im me kërkesat e vendit të punës, si do dukem unë në këtë pozicion pune, si do jetë një ditë e zakonshme pune? Së fundmi, do t’i sugjeroja çdo kandidati që të kërkojë referenca nga stafi, përgatitje për pyetje të mundshme, pyetje, sa më shumë pyetje për të kuptuar rreth detyrave të rolit, pritshmëritë në aspektin e zhvillimit dhe mbi të gjitha sinqeritet, interes të vërtetë për punuar me NOA bashkë me sfidat dhe mundësitë për zhvillim profesional. Pasi, po, është e rëndësishme të pasurit e një vizioni afatgjatë personal duke ju përgjigjur pyetjes : “Ku do të jem apo si do të ndihem në këtë kompani pas 5 viteve?”