23.04.2021

Konferenca e Mikrofinancës Shqiptare

Në vitin e 25-të të aktivitetit të institucioneve të mikrofinancës në Shqipëri, Shoqata e Institucioneve të Mikrofinancës (SH.I.M./A.M.A.) organizoi në datë 19 Shtator 2017, konferencën “Mikrofinanca Shqiptare, 25 vite në shërbim të sipërmarrjes së lirë”. Aktiviteti u organizua me pjesëmarrjen dhe kontributin e 6 institucioneve anëtare të SH.I.M. (NOA, Fondi Besa, Agro & Social Fund, FedInvest, FAF dhe UniFin) si edhe me pjesëmarrjen e partnerëve dhe bashkëpunëtorëve të sektorit publik dhe privat.

Në fokus të eventit ishte rrugëtimi dhe evolucioni i sektorit të mikrofinancës, që prej viteve të para të krijimit të shoqatave të mikrokreditit dhe deri në ditët e sotme, kur zhvillimi i tregut financiar dhe sipërmarrjeve individuale apo tregtare mund të sjellë nevojën për një riformulim të misioneve dhe ridimensionim të modeleve financiare të mikrofinancës në tërësi.

Gjithashtu në konferencë u diskutua për rolin aktual që ka Mikrofinanca në treg, duke i shërbyer asaj kategorie klientësh që për motive të ndryshme është lënë jashtë vëmendjes apo kujdesit të sistemit bankar, faktor ky që e rrit akoma më shumë ndikimin e saj të rëndësishëm ekonomik dhe social në këtë segment të tregut. Gjatë viteve, institucionet e mikrofinancës kanë injektuar në ekonominë shqiptare më shumë se një miliardë dollarë, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e punësimit në Shqipëri. Sot këto institucione, të cilat janë prezente në të gjithë Shqipërinë, kanë punësuar më shumë se 1000 punonjës dhe ju shërbejnë më shumë se 60 mijë klientëve aktiv. Misioni i tyre ka qënë dhe vijon të jetë zbutja e varfërisë dhe zhvillimi i vetëpunësimit, por më tej ky mision mund të marrë dimensione të reja duke synuar që institucionet e mikrokreditit të bëjnë edhe më shumë se kaq, të kthehen në një motorr nxitës për zhvillimin e bizneseve konkurruese dhe të qëndrueshme në treg.

Në fund të takimit, përfaqësues të mikrofinancës ngritën në diskutim edhe njërën prej ideve të shpalosura së fundmi ndër institucionet financiare jobankare, e cila sugjeron krijimin e hapësirave për aksesimin e depozitave të publikut nga institucionet e mikrofinancës, fonde të cilat sot janë ende të pa investuara. Implementimi i kësaj ideje do të ndikonte në reduktimin e kostove të fondeve dhe rrjedhimisht në norma interesi më të favorshme për klientët e këtij sektori. Lidhur me këtë sugjerim, përfaqësues te Bankës së Shqipërisë u shprehën që duhen vlerësuar me kujdes avantazhet dhe disavantazhet e modelit të ri të sugjeruar krahasuar me atë ekzistues. Gjithashtu, gjatë konferencës u diskutua për mundësinë dhe nevojën e ndikimit në organet ligjvënëse me qëllim riformatimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për funksionimin e mirë të institucioneve të mikrofinancës në përputhje me nevojat e tregut.

Të reja të tjera