22.04.2021

Menaxhimi i Riskut Klimaterik në Pemtari #NOAkëshillon fermerët në bashkëpunim me ekspertë të fushës

Ndryshimet klimaterike kanë sjellë efekte pozitive ashtu edhe negative në aktivitetet bujqësore. Aspekti pozitiv vërehet në përmirësimin e mikroklimave që favorizojnë kultivimin e perimeve në sera diellore, apo kultivimin e bostanoreve, luleshtrydheve me plasmas termik.

Ndërkohë, në aspektin negativ shihet në dëmtimet që vijnë si rrjedhojë e ndryshimeve të shpeshta dhe të paparashikuara të klimës, kryesisht breshrit apo ngricave të larta, të cilat duhen menaxhuar paraprakisht me investime që ulin riskun siç mund të jenë rrjetat antibreshër etj.

Në Shqipëri janë të mbjella rreth 11.6 milion pemë frutore, nga ku vetëm në Korçë janë rreth 2.86 milion pemë frutore. Çdo vit në qarkun e Korçës prodhohen rreth 83,555 ton fruta (kryesisht mollë dhe qershi) me një vlerë financiare afërsisht rreth 35 milion Euro.

Zgjidhja më e besueshme dhe më kosto-efikase kundra ndryshimeve dhe rreziqeve klimatike, mbetet mbrojtja e plantacioneve të reja me rrjeta anti-breshër. Përdorimi i rrjetave anti-breshër lejon fermerët të mbajnë një furnizim të vazhdueshëm në treg duke ulur rrezikun e humbjes së prodhimit.

Por sa është kosto e investimit në rrjeta antibreshër në pemtore dhe mbështetet financiarisht ky investim?

Blerja dhe instalimi i rrjetave antibreshër në një plantacion me pemë frutore për një sipërfaqe prej 1 ha kushton rreth 22,000 euro dhe përmban të gjithë elementet funksional të  kësaj teknologjie.

Ky investim mund të mbështetet si me fondet e granteve të IPARD-it ashtu edhe nëpërmjet një kreditimi të shpejtë nga NOA. Efektet pozitive të këtij investimi janë edhe rritja e cilësisë së frutave, minimizimin e dëmit nga faktorët klimaterikë, uljen e shpenzimeve agro-teknike etj.

Nga analizat ekonomiko-financiare, ky investim e shlyen vetveten në parim në një periudhë 3 vjeçare.

Zyra e këshillimit bujqësor pranë NOA ofron këshillim të specializuar për të gjithë fermerët që kultivojnë pemë frutore duke i këshilluar në lidhje me teknologjinë dhe kompanitë e specializuara prodhuese të rrjetave antibreshër në botë.

Të reja të tjera