22.04.2021

Covid-19 / Herjola Spahiu: Ja strategjia e institucionit financiar NOA në mbështetje të ekonomisë shqiptare dhe në ndihmë të klientëve

Zj. Herjola Spahiu, CEO e institucionit financiar NOA tregon për masat e marra nga ky institucion, për të qenë sa më pranë bizneseve në përballimin e situatës së pandemisë COVID-19. Spahiu gjithashtu sqaron me detaje se si do të jetë strategjia e  institucionit financiar NOA në ndihmë të klientëve.

Çfarë efektesh sollën për bizneset masat e marra kundër pandemisë së COVID-19 në Shqipëri dhe cila ka qenë ndihma e ofruar nga institucioni që ju drejtoni?

Masat e marra prej fillimit të pandemisë së COVID-19, nga njëra anë pezullimi i një sërë aktivitetesh ekonomike si në sektorët e shërbimit, transportit dhe turizmit, dhe nga ana tjetër kufizimi i qarkullimit të qytetarëve, kanë shkaktuar një impakt të rëndësishëm në pamundësinë financiare të këtyre bizneseve apo punonjësve të tyre, për të kryer rregullisht pagesat e kredive në të gjithë sistemin financiar. Këtu përfshihen dhe institucione financiare si NOA.

Nisur nga kjo situatë, NOA ka mbështetur mbi 3.200 kërkesa për riskedulim nga sipërmarrës të vegjël, fermerë apo familje, të ardhurat e të cilëve janë impaktuar nga kufizimet e aktivitetit ekonomik gjatë javëve të fundit. Por në paralel, NOA është angazhuar dhe në ofrimin e një mbështetje në formën e rifinancimit të nevojave aktuale për të mbuluar shpenzimet korente të këtyre klientëve, qofshin këto pagesa taksash, furnizimesh apo paga punonjësish për 3-6 muajt e ardhshëm. Kjo strategji mbështetjeje e dyfishtë, nëpërmjet riskedulimit ose financimit, pasqyron dhe faktin se 28% e portofolit të institucionit është i përqendruar në sektorët më të impaktuar nga masat e mësipërme.

Shifra prej 3,200 kredimarrësish përmbledh një portofol financimi prej rreth 14.5 milion euro. Vlera financiare e mësipërme, dëshmon angazhimin maksimal të institucionit NOA në mbështetje të ekonomisë shqiptare, dhe prioritetin e vendosur ndaj çdo profili klienti duke ofruar gjithmonë një zgjidhjeje të përshtatur ndaj çdo situate.

 Si do të jetë në vijim strategjia e institucionit financiar NOA në ndihmë të bizneseve në nevojë?

NOA parashikon një kërkesë për riskedulim të kësteve të kredisë gjatë muajit maj në nivelin 500 deri në 800 klientë të tjerë që përfaqësojnë biznese të cilat nuk kanë filluar ende aktivitetin, apo individë të punësuar në të tilla biznese.

Procesimi i shpejtë i një numri kaq të konsiderueshëm klientësh, është bërë i mundur nëpërmjet një përqasjeje shumë dinamike që në momentin e parë të lëshimit të udhëzimit respektiv nga Banka e Shqipërisë në riskedulimin e kësteve të kredisë për periudhën mars – maj 2020. Kështu, pavarësisht kufizimit të orareve të funksionimit në veçanti gjatë javëve të para të pandemisë, falë investimeve të rregullta në infrastrukturën e NOA, është mundësuar  puna nga shtëpia e rreth 50 punonjësve të cilët kanë mbështetur në mënyrë të pandërprerë veprimet operacionale të klientëve tanë, sidomos proçesin e riskedulimit. 

Rikujtojmë që prej 12 marsit, operacionet e institucionit nuk janë ndërprerë në asnjë moment, duke i shërbyer çdo nevojë të klientëve, dhe për këtë një falenderim i veçantë i shkon stafit, sidomos atyre në degë, të cilët kanë vazhduar të jenë në kontakt të vazhdueshëm me klientët.

Përtej zbatimit rigoroz të udhëzimit të Bankës së Shqipërisë dhe lehtesimin e barrës financiare për të gjithë individët dhe bizneset e prekur nga pandemia e Covid-19, si një institucion financiar lider në sektorin e mikrofinancës, NOA ka vijuar gjithashtu ofrimin e financimeve të reja, me proçedura të shpejta dhe të lehtësuara për të mbështetur rikthimin në një kohë sa më të shkurtër në normalitet të ekonomisë shqiptare.

Vlen të theksohet që 90% e portofolit të financimit të NOA-s është i përbërë nga biznese apo fermerë të vegjël të cilët janë dhe më të prekurit nga kufizimet e aktivitetit ekonomik të javëve të fundit. Ndaj në paralel me riskedulimet e mësipërme, institucioni nuk ka ndërprerë në asnjë moment trajtimin e dhjetëra kërkesave për financim të reja nga biznese apo individë të cilët kanë nevojë për një financim shtesë në këtë periudhë të vështirë për mbarë ekonominë.

Për pasojë, gjatë muajve mars – prill 2020, NOA ka vijuar kredidhënien duke ju përgjigjur pozitivisht më shumë se 1,000 kërkesave për kredi, nga të cilat rreth 50% kanë qënë në sektorin e bujqësisë / blegtorisë dhe 35% në sektorë si tregtia me pakicë, minimarkete apo furra buke, dhe diferenca nga individë të punësuar në sektorin publik apo privat. 

Së fundmi, meriton të përmendet dhe investimi gjatë kësaj periudhe në zbatimin më rigoroz të mundshëm të rregullave të sigurisë dhe distancimit të kërkuara me qëllim mundësimin e shërbimit për klientët tanë, edhe pse javët e para ishin shumë të vështira për shkak të pezullimit të lëvizjeve.

Cilat janë vështirësitë e hasura gjatë kësaj përiudhe në institucionin tuaj?

Vështirësitë burojnë nga fakti se proçeset e kredidhënies të institucionit, ashtu si dhe kërkesat për riskedulim, kryhen normalisht në terren, pranë ambienteve të klientëve tanë. Kjo me qëllimin e vetëm për të lehtësuar dhe për të përshpejtuar maksimalisht proçesin, në veçanti për klientët e zonave rurale. Kryerja e këtyre proçeseve në terren, arrihet me sukses falë investimeve të vazhdueshme që institucioni ka kryer në teknologjitë e reja dhe sigurinë e përcjelljes së informacionit, por edhe falë profesionalizmit së një stafi tejet të përkushtuar dhe ekspertizës së fituar në këto 21 vite në kredidhënie.

Duke qënë më të limituar në lëvizjet në terren gjatë javëve të para të pandemisë, NOA arriti të zhvillojë me sukses mënyra alternative të kryerjes së operacioneve, qoftë duke përmirësuar aplikimet on-line direkt nga klientët nëpërmjet faqes së internetit të kompanisë, apo mediave sociale, ashtu si edhe duke zhvilluar bashkëpunime me partnerë të rëndësishem sikurse EasyPay. Një bashkëpunim institucional krejt i ri ky dhe njëkohësisht shumë i suksesshëm në avantazhet që i sjell klientëve të kompanisë. Në këtë mënyre, është lehtësuar si proçesi i kredidhënies në distancë, ashtu edhe kryerja e pagesave të kësteve të kredisë nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes të EasyPay. Ky hap përbën një lehtësim shumë të rëndësishëm për klientët tanë sidomos në zonat rurale, aq më tepër në këtë situatë të distancimit social dhe lëvizjeve të kufizuara interurbane.

Në përfundim, pse duhet t’i besojmë NOA-s?

Shifra kryesore që mbetet në mëndje kur citohet NOA, është injektimi në ekonominë kombëtare të rreth 28 milion eurove në vit, që shkojnë në investime për biznesin e vogël, në krijimin e vëndeve të reja të punës, në rritjen e kapaciteteve prodhuese të sipërmarrjes shqiptare, në financimin e ekonomisë rurale, dhe në rritjen e standarteve të jetesës për mijëra klientë shqiptarë. Këto fonde përfaqësojnë linja financimi private të siguruara në tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat nuk do të injektoheshin ndryshe në ekonominë shqiptare pa ndërmjetësimin e institucioneve financiare si NOA.

Me një aktivitet të shtrirë prej 21 vitesh, institucioni financiar NOA është i liçencuar dhe i monitoruar në aktivitetin e saj nga Banka e Shqipërisë. Çertifikuar gjithashtu nga Bashkimi Europian si një institucion që zbaton praktikat më të mira Europiane të mikrofinancës, NOA është një ndër institucionet privat me kapital 100% të huaj që ndjek standartet më të larta në marrëdhëniet me klientët kredimarrës shqiptarë. Si e tillë, NOA angazhohet që do të mbetet një institucion prijës në financimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit duke vazhduar t’u përgjigjet me produkte financiare avantazhuese çdo nevoje të sipërmarrësit të vogël dhe të fermerit shqiptar.

Të reja të tjera