Komunikim për publikun

Ditën e martë, datë 1 Dhjetor 2020, Emisioni Fiks Fare i televizionit Top Channel, solli në vëmendje të publikut një kronikë e cila përcillte rastin e një qytetari i cili kundështonte cilësinë e tij si dorëzanës  në një kredi të vitit 2000, bazuar në një njoftim me shkrim që i ishte komunikuar nga një Institucion Financar Jo-Bankë.

Ky rast u soll në vëmendje të NOA nga gazetarët e Top Channel në kuadër të një takimi të zhvilluar në zyrat e kompanisë më datë 28 tetor 2020, me kërkesë të tyre.

Në vijim të këtij takimi dhe me qëllim respektimin e standarteve të cilësisë për trajtimin e ankesave dhe transparencës që NOA zbaton për të gjithë klientët e saj, rasti në fjalë u analizua dhe u investigua nga strukturat përkatëse të kompanisë brenda një afati të shkurtër kohor.

Në vijim të rezultatit përfundimtar të analizës, u realizua edhe kontakti telefonik me gazetarët e televizionit Top Channel, duke parashtruar sqarimet e nevojshme në kuadër të ruajtjes së konfidencialitetin të të dhënave.

Vlen të theksojmë se faktet e paraqitura gjatë emisionit të transmetuar më dt. 1 dhjetor, nuk pasqyrojnë në mënyrë të qartë informacionin e ndarë nga NOA në drejtim të gazetarëve të Top Channel, ashtu si dhe situatën e krijuar me individin, objekt të kronikës në fjalë. Nisur nga këto paqartësi, me qëllim mirë-informimin e publikut, parashtrojmë faktet e mëposhtme për sqarimin e mëtejshëm të rastit të ngritur nga televizioni Top Channel:

  •           Kronika i referohet një kredie të vitit 2000, sipas një kontrate të nënshkruar para një noteri ku identifikimi i palëve, është bërë në prezencë të tij; 

  •         Financimi në fjalë është transferuar sipas një kontrate kalim kredie drejt një kreditori të ri, i cili rrjedhimisht ka kontaktuar me palët që janë pjesë e kontratës së kredisë së firmosur në vitin 2000. Kjo transfertë nënkupton që shkresa njoftuese për personat e përfshirë nuk është dërguar nga NOA, por nga kreditori i ri pasi NOA nuk ka më asnjë lidhje me detyrimet që rezultojnë nga kjo kredi;

  •       Pavaresisht sa me sipër, me qëllim respektimin e standarteve të NOA-s në shërbimin cilësor ndaj klientit, në trajtimin e ankesave, në respekt të transparencës në kthim përgjigje si dhe në frymën e bashkëpunimit me mediat, NOA bëri investigimet përkatëse për këtë ankesë sipas problematikës ngitur nga gazetarët e Top Channel; 

  •      Nga investigimet, rezultoi që personi i paraqitur pranë Top Channel, ka një datëlindje tjetër nga personi i cili figuron palë në cilësinë e dorëzanësit në kontratën e kredisë të vitit 2000. Pavarësisht se gjeneralitetet e tjera përkojnë (emër, mbiemër) personi që ka ngritur shqetësimin i përket ditëlindjes 1982, ndërkohe garantori është i ditëlindjes 1978.

      Rasti në fjalë dëshmon më së miri rëndësinë që NOA i dedikon respektimit të standarteve më të larta në shërbimin ndaj klientëve të saj, shpejtësinë në trajtimin e çdo ankese potenciale, politikën e transparencës dhe të komunikimit të hapur. Rasti konfirmon praktikën e kompanisë në ndërtimin e një marrëdhënieje sa më cilësore, konfidenciale e afatgjatë me çdo klient, organizatë të mbrojtjes së konsumatorit, apo dhe me media, duke  ftuar secilin prej tyre të kontaktojë pa hezitim stafin e kompanisë me qëllim adresimin e çdo paqartësie apo ndarjen e çdo lloj informacioni të nevojshëm.

Aktive në tregun shqiptar prej 22 vitesh, dhe me fokus financimin e sipërmarrësve të vegjël, të vetë-punësuarëve, fermerëve dhe familjeve shqiptare, NOA i shërben klientëve të saj konform kuadrit ligjor dhe akteve rregullative në fuqi për sektorin financiar. Liçencuar nga Banka e Shqipërisë, çertifikuar nga Bashkimi Europian sipas Kodit të Praktikave të Mira për Institucionet e Mikrofinancës, NOA prioritizon maksimalisht cilësinë dhe standartet e shërbimit ndaj klientëve të saj, duke u përpjekur gjithmonë që produktet financiare të përputhen me nevojat e klientëve. Dhe është ky investim i përhershëm për të ofruar produkte terësisht të adaptuara ndaj realitetit ekonomik të vendit tonë, që është në themel të diferencimit tonë si një institucion financiar lider në vend.