16.03.2022

Kultivimi i misrit në Shqipëri

Mbjellja e misrit është puna më e rëndësishm e gjatë muajit Prill. Misri zë sipërfaqen më të madhe nga mbjelljet pranverore. Bima e misrit menjëherë pas grurit dhe orizit radhitet e treta në strukturën e mbjelljes në botë. Është bimë me potencial të lartë gjenetik prodhues për masë vegjetative dhe kokërr që realizohet për një bimë apo për njësi sipërfaqe. Rëndësia dhe qëllimi i të kultivuarit të misrit vlerësohet, nga mënyra e përdorimit dhe rendimentit të realizuar për njësi të sipërfaqes, sasia e sipërfaqeve të mbjellura me të, dhe produkteve që fitohen nga kokrra e tij.

Bashkimi Europian (BE) është zona e tretë për prodhimin e misrit në botë, pas SHBA-së dhe Kinës. Në BE misri prodhohet në më shumë se 15 milionë hektarë, nga të cilat 60 përqind (9,4 milionë hektarë) korrret si drith dhe 40 përqind (5,9 milionë hektarë) si silazh. Vitet e fundit, Rumania është bërë prodhuesi më i madh i misrit në BE dhe ka tejkaluar ndjeshëm Francën. Prodhimi i misrit në BE për vitin 2020 ka qenë rreth 63 milionë ton. BE-ja eshte importuesi kryesor i misrit dhe vetëm vitin e kaluar importet arritën në rreth 20 milionë tonë, ku importuesit më të mëdhenj të kësaj kulture janë Spanja me import prej rreth 7 (shtatë) milionë ton dhe Holanda me 4 (katër) milionë tonë. Importuesit kryesorë të misrit janë gjithashtu Portugalia, Italia dhe Danimarka. Shumica e misrit në tregun e BE-së vjen nga Ukraina, Brazili, Serbia, Moldavia dhe Argjentina.

Në Shqipëri kultivohen rreth 56,700 ha sipërfaqe toke me misër, me një prodhimtari 399,100 ton. Qarqet me prodhimtari më të lartë janë Fieri me 10,503 ha, Elbasani me 8,503 ha, Shkodra me 5,700 ha dhe Dibra me 5,623 ha. Nderkohë që kërkesa për misër si ushqim bazë për blegtorinë (misër kokërr) është shumë më e lartë se prodhimtaria në vend. Bazuar në racionet ushqimore/kartat teknologjike dhe nga analizat e sektorit të blegtorisë (gjedhi 363,000 krere, të imtat 2,621,000 krere, deri 184,000 krerë dhe pularia/shpendë 8,179,000 krerë) parashikohet një kërkesë prej afërsisht 1 milion ton misër.

Agroteknika e kultivimit të misrit

a) Përgatitja e tokës për mbjellje dhe plehërim

Para mbjelljes së misrit duhet të bëhet përgatitjet e tokës. Rekomandohet që përgatitja e tokës të jetë bërë në vjeshtë, me shpërndarjen  e lëndëve ushqyese – plehut organik dhe mineral. Përgatitja e tokës duhet të bëhet e tillë që të sigurojë  krijimin e një mjedisi tokësor ku sistemi rrënjor të zhvillohet normalisht, uji dhe elementet ushqyese të jenë maksimalisht të disponushme që të thithen nga rrënjët duke i përcjellë këto në gjethe ku bëhet përpunimi i lëndës organike dhe i prodhimit. Plugimi është mirë të bëhet në vjeshtë (deri nga fundi i tetorit), ose gjatë dimrit. Thellësia e plugimit sillet 30 - 35 cm. Pas plugimit duhet të hapen vija kulluese që të sigurohet largimi i ujërave të tepërta nga reshjet. Përgatitja e shtratit të mbjelljes dhe sigurimi i lagështisë optimale në tokë kërkon që thellësia e mbjelljes të jetë 3-5cm, ndërsa në kushte të thata 5-7cm. Koha e mbjelljes së misrit për kushtet e zonave malore është 20 prill deri 10 maj, ndërsa për ato fushore 10-25 Prill. Para mbjelljes fara duhet të dizifektohet  me fungicid dhe insekticid.

Sasitë e hedhjes së elementeve ushqyese, janë në vartësi të pjellorisë së tokës, nevojave të misrit për elemente ushqyese për njësi të prodhimit, koeficientit të shfrytëzimit nga toka si dhe prodhimit të planifikuar. Në rastet kur përdoren plehra të kombinuar NPK kjo realizohet para punimeve përgatitore për mbjellje. Ndërsa 2/3 e dozës së plehrave përdoren gjatë vegjetacionit në 1 deri në dy duar në fazat kur bimët kanë 4-5 gjethe ose kur kanë 7-8 gjethe.

b) Kërkesat për temperaturë

Temperatura optimale për kultivimin e misrit është 24 - 29° C. Temperatura minimale për mbirjen e bimës së misrit është 10 gradë celcius. Pas mbirjes bima e misrit nuk duron temperatura të ulëta nën zero.

c) Kërkesat për ujë

Është ndër faktorët kryesorë që siguron mbarëvajtje të fenomenit të fotosintezës. Qëndrueshmëria në prodhimin e misrit është e lidhur nga disponimi dhe rregullariteti i reshjeve gjatë vegjetacionit. Nisur nga bilanci ujor këto kërkesa shprehen në nivele më të mëdha në fazat e lulëzimit dhe mbushjes së kokrrës. Në një vaditje kërkohen rreth 600-700m3 ujë.

d) Shërbime të tjera

Mbas mbirjes bëhet rrallimi në fazën e 3-4 gjetheve, duke lënë për hibridet me pjekje të mesme 6500-7000/bimë për dynym, ndërsa për hibridet me pjekje të vonëshme rreth 6000 bimë per dynym.

Kërkohet të realizohen dy prashitje, e para në fazën e 3-4 gjetheve, e dyta pas dy javësh. Prashitja bëhet me kultivator ose me krah. Në të dy rastet hidhet pleh kimik azotik.

Luftimi i barërave të këqija kryhet në dy faza, njëra para mbirjes dhe tjetra në fazën e 3-4 gjetheve.

Financimi i aktivitetit të kultivimit të misrit nga NOA

Sipas kontove kulturale të përditësuara që institucioni Mikro-Financiar NOA ka përgatitur bazuar në ndryshimet e çmimeve të inputeve bujqësore na rezultojnë këto të dhëna financiare:

Rendimenti bazuar në konton kulturale, pra shërbimeve agroteknike, arrin në 90 kv/ha për zonat fushore.

Sipas kontos kulturale të mësipërme, kosto e kultivimit të një sipërfaqe prej 1ha me misër kushton 370,200 lek dhe fermeri mbështetet me kredi 1-3 vjecare, me një procesim brënda ditës dhe pa kolateral.

 

 

 

 

Këshillime të tjera