21.12.2021

Fiskalizimi & biznesi

ÇFARË ËSHTË FISKALIZIMI?

Fiskalizimi është procesi i raportimit në kohë reale të të  gjitha transaksioneve me dhe pa para në dorë ndërmjet bizneseve, institucioneve shtetërore dhe individëve.

Me këtë proces të ri të raportimit financiar, sigurohet një kontroll më i mirë dhe inspektim më efikas tatimor, ndërsa i jepet mundësia çdo qytetari, që të verifikojë nëse taksat që ai paguan për mallrat dhe shërbimet, deklarohen në sistemin tatimor.

CILAT JANË ELEMENTET E FISKALIZIMIT?

Për t’u Fiskalizuar çdo subjekt duhet të ketë 6 elementë të domosdoshëm:

1. Çertifikata Elektronike, e cila merret tek AKSHI (Agjensia Kombëtare e Shoqerisë së Informacionit), duke aplikuar përmes kredencialeve nga e-Albania.

2. Software i Fiskalizimit.

3. Të paktën nje operator- ky është punonjës i kompanisë  që përpilon dhe lëshon faturat në sistemin fiskal, i cili duhet të regjistrohet 24 orë përpara lëshimit të faturave.

4. Një pajisje elektronike, tablet, telefon etj.

5. Lidhje të thjeshtë dhe të pandërprerë me internet

6. Printer jofiskal ose kasë e përshtatur për fiskalizim.

TIPOLOGJITË E BIZNESEVE PJESË E FISKALIZIMIT:

1. Biznese të vetëpunësuar

Mund të përdorin Platformën qëndrore të faturave nëse plotëson në të njëjtën kohë 3 kushtet e mëposhtme:

- Eshtë i vetëpunësuar i vetëm

- Ka vetëm një vend aktivitet biznesi

- Nuk është subjekt i tatimit mbi fitimin dhe tvsh-së

2. Biznese të tjera – Persona fizik ose juridik

Këto biznese duhet të kenë patjetër një software dhe elementë tjerë të detyrueshëm.

Kujdes!  Përjashtohen nga fiskalizimi: fermerët, tregtarët ambulantë, linjat e transportit publik urban.

KOSTOT E FISKALIZIMIT
Çdo faturë që do të lëshohet do të jetë e nënshkruar elektronikisht dhe për këtë arsye biznesi duhet të pajiset me çertifikatën e lëshuar nga AKSHI. Ky dokument do të rinovohet çdo vit dhe do të jetë i integruar në pajisjen fiskale dhe në programin software.

- Tarifa vjetore e nxjerrjes së çertifikatës elektronike është 4,000 lekë.

- Kostoja per Kasën është 260 Eur

- Kostoja për kartën SIM është 15 Eur/vit

- Tarifa e mirëmbajtjes, 40 Eur/vit

Kujdes! Ju rekomandojmë bizneseve të vogla, që kryejnë transaksione me para në dorë, se për ta është më ekonomike përshtatja e kasës ekzistuese.

PROCESI I FISKALIZIMIT

Transaksionet tregtare sipas fiskalizimit ndahen në 3 kategori:

·         B2G- Biznes me instiucionet shteterore – janë të gjitha transaksionet dhe faturimet e kryera nga biznesi për qeverinë

·         B2B – Biznes me Biznes - janë të gjitha transaksionet dhe faturimet e kryera ndërmjet bizneseve

·         B2C – Biznes me klient - janë të gjitha transaksionet dhe faturimet e kryera nga biznesi për klientët individë.

Si do të realizohet blerja me procesin e ri të fiskalizimit:
a. Blerje me para në dorë: këtu përfshihen blerjet cash, blerjet me kartë krediti apo debiti dhe blerjet me çek.

Shitesi i lëshon blerësit faturën e firmosur elektronisht e cila përmban tre elementë sigurie:

- NIVF-Numri i identifikimit i veçantë i faturës

- NSLF-Numri i sigurimit të lëshuesit të faturës.

- QR code- Barkodi i faturës që mund të skanohet nga celulari dhe të çon direkt në PQF (Selfcare)

Kujdes! Kur pagesat me lekë në dorë bëhen ndërmjet dy bizneseve, limiti i transaksionit tregtar nuk duhet të kalojë 150,000 lekë. Faturat në këto raste gjithmonë duhet të lëshohen në emër të kompanisë që po bën blerjen.

b. Blerje pa para në dorë: Shitësi i lëshon bleresit faturën e firmosur elektronisht. Nderkohe, kjo faturë i dërgohet elekronikisht të dy palëve, blerësit dhe shitësit, dhe shfaqet në të dy librat e shitjes për shitësin dhe në librat e blerjes për blerësin. Blerësi mund ta printojë dhe të bëjë pagesën e kësaj fature, por shitësi nuk e ka detyrim për ta printuar. Kjo faturë elektronike ka këto elemente sigurie:

-  NIVF,

- NSLF,

- QR Kodin e faturës

- QR kodin e pagesës

Kujdes! Si shitësi dhe blerësi kanë detyrimin për ti ruajtur këto fatura elektronike sipas legjislacionit tatimor.    

Çfarë duhet të bëhet kujdes nga Bizneset në lidhje me Fiskalizimin:
1. Në rast ndërprerje interneti, kjo lidhje duhet të vendoset brenda 48 oresh dhe gjatë kohës duhet të përdoret blloku i veçantë i faturave që është lëshuar nga Tatimet për këto raste. Në momentin e vendosjes së lidhjes duhet ti raportojë dhe ti fiskalizojë këto fatura që ka bërë tek blloku i veçantë i faturave.

2. Shitësi është i detyruar të lëshojë një faturë për çdo furnizim të mallrave dhe shërbimeve.

3. Blerësi është i detyruar të marrë dhe të mbajë faturën 30 metra pasi të dalë nga vendi i ushtrimit të aktivitetit të biznesit.

4. Çdo  faturë duhet të fiskalizohet brenda 72 orësh nga momenti i marrjes së pagesës.

5. Blerësi mund të refuzojë faturat që nuk janë të tij dhe të komunikojë me shitësin që ai të anulojë këto fatura.

6. Anulimi i faturave bëhet duke lëshuar një faturë korrigjuese që duhet të përmbajë të dhëna referencë për faturën që po korrigjohet, pra NSLF e faturës që po korrigjohet dhe të gjithë elementët e tjerë të faturës sipas Ligjit dhe më pas të fiskalizohet njëlloj si çdo faturë tjetër.

Këshillë e vlefshme!

Merrni masat e nevojshme për t’u bërë pjesë e procesit të fiskalizimit përpara datës 31.12.2021 duke aplikuar sa më parë pranë AKSHI për të marrë çertifikatën elektronike, në mënyrë që ti shmangni sanksionet administrative në fillim të vitit të ardhshëm.

Këshillime të tjera