15.07.2022

Kujdesi në përdorimin e pesticideve dhe plehrave kimike në bujqësi.

Konkurenca e madhe në bujqësi, ndryshimi i strukturës së prodhimit bujqësor, pamundësia që të arrihet cilësia dhe rendimentet e larta pa preparate, synimi që të prodhohet sa më shumë në kushte jo të volitshme të prodhimtarisë bujqësore, përdorimi i inputeve të ndryshme që japin më shumë rendiment, kanë shkaktuar përdorimin e konsiderueshëm të pesticideve dhe plehrave kimike nga fermerët.

Kimikatet mjedisore toksike përfshijnë si ato bujqësore dhe jo-bujqësore, dhe është e vështirë për të ndarë efektet ekologjike dhe të shëndetit njerëzor të pesticideve nga ato të komponimeve industriale që janë përdorur qëllimisht ose aksidentalisht në mjedis. Megjithatë, ka analiza të shumta se përdorimi i pesticideve bujqësore ka një ndikim të madh në shëndetin e njeriut, cilësinë e ujit dhe tokës dhe çon në pasoja serioze mjedisore.

Gjithnjë e më shumë janë të dukshme dëmet për shëndetin dhe mjedisin që rrjedhin nga përdorimi i tepruar i plehrave kimike në një stad të një bujqësie intensive, si në aspektin e grumbullimit të toksinave dhe kancerogjeneve në indet yndyrore të njerëzve dhe kafshëve, nga helmimet toksore e nëntokësore dhe ujërave sipërfaqësore, etj.

Të rëndësishme janë dëmtimet mjedisore, të shkaktuara nga pesticidet që janë shtuar në tokë për të mbajtur apo për të rritur produktivitetin e kulturave bujqësore. Plehërimi kimik i lartë modifikon thellësisht ciklet e elementeve (karbonit, azotit, fosforit, etj.) që janë mekanizmat delikate për ruajtjen e ekuilibrave biologjike dhe kimike-fizike në një ekosistem, dhe ndërmjet ekosistemeve të biosferës.

Eshtë e njohur se të ushqyerit e bimëve është një nga faktorët më të rëndësishëm për të kontrolluar cilësinë dhe produktivitetin në bujqësi. Mirëpo, përdorimi i tepruar i pesticideve dhe plehrave kimike shkakton ndotje të mjedisit, gjithashtu ndikon direkt në shëndetin e njerëzve. Por, përdorimi i tyre nuk paraqet problem nëse nuk tejkalohen normat e lejuara, nëse ato përdoren në konsultime me ekspertët bujqësor.

Në mënyrë të vazhdueshme, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes në respektimin e periudhës së karencës apo të bëhet kujdes për periudhën nga përdorimi i fundit i ilaçeve deri në kohën e nevojshme që ato të treten. Pesticidet në sasi të vogla nuk janë të dëmshme, mirëpo nëse ato merren në sasi më të mëdha përmes ushqimit edhe mund të kenë pasoja negative. Me qëllim që të kemi ushqim cilësor dhe të shëndetshëm, fermerët duhet të bëjnë kujdes për përdorimin e pesticideve sipas rregullave dhe respektimit të parametrave të caktuara gjatë shfrytëzimit të këtyre ilaçeve. Me fjalë të tjera nevojitet që ti kushtohet një vëmendje më e madhe ndaj karencës apo kohës së kaluar nga trajtimi i fundit me pesticide deri në kohën e vjeljes së fruta-perimeve.

Pesticidet ose produktet për mbrojtjen e bimëve (PMB) janë kimikate ose komponime kimike që përdoren për të kontrolluar ose dëmtuar parazitët ose dëmtuesit e bimëve bujqësore si dhe parazitët e kafshëve dhe njerëzve. Përdorimi i pesticideve në vendin tonë varion nga 400 në 500 ton/vit, me një tendencë në rritje vitet e fundit. Aktualisht, përdorimi kryesor i pesticideve vërehet në perimet në serra dhe fushë, në pemëtoret intensive dhe vreshta.

Përdorimi i pesticideve çon në mënyrë të pashmangshme në formimin e mbetjeve në bimë dhe tokë të cilat në kohë degradohen dhe bëjnë që të reduktohet përqëndrimi i tyre.

Bazuar në shkallën e toksicitetit të pesticideve, janë përcaktuar ato nivele të mbetjeve të pesticideve që quhen mbetjet maksimale të lejueshme (MML) në produktet me origjinë bimore dhe shtazore të cilat janë të parrezikshme për jetën e njeriut. Mbetjet maksimale të lejueshme janë përcaktuar për çdo lëndë aktive të pesticideve dhe produkt me origjinë bimore dhe shtazore që konsumohen nga njerëzit. Vendi ynë ka miratuar të njëjtat normativa si dhe Bashkimi Europian (BE) në lidhje me MML-të.

Disa lëndë aktive të pesticideve si thiacloprid, imidakloprid, fenbuconazole dhe chlorpyrifos janë të ndaluara në BE, por fatkeqësisht tregtohen dhe përdoren akoma në vendin tonë sasi të importuara duke përbërë një rrezik të shtuar për konsumatorët.

Mosrespektimi i afateve kohore në përdorimin e pesticideve nga fermerët.

Nga vrojtimet në terren por edhe nga reklamimet nga eksportet, vërehet që fermerët nuk respektojnë afatin kohor nga aplikimi i fundit deri në vjeljen e produktit ose siç njihet “karenca” e pesticidit, e cila është koha e nevojshme që sasia e pesticidit të përdorur të reduktohet në nivelin e mbetjeve të lejuara (MML) nëpërmjet proceseve të degradimit. Nga mosrespektimi i karencës së pesticidit, sidomos për bimët bujqësore që konsumohen të freskëta si perimet dhe frutat, do të kemi mbetje të pesticideve në bimë më të larta se normat e lejuara duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

Mosrespektimi i dozave të përcaktuara në përdorimin e pesticideve nga fermerët.

Në disa raste fermerët përdorin doza më të larta se dozat e rekomanduara duke menduar që sigurojne një mbrojtje më të mirë të bimës nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Një përdorim i tillë nuk siguron një mbrojtje më të mirë të bimës, pasi doza e rekomanduar siguron një mbrojtje të plotë të bimës. Përdorimi i dozave më të larta çon vetëm në rritjen e sasisë së mbetjeve të pesticideve në bimë dhe në mjedis, si dhe në rritjen e kostos së prodhimit. Gjithashtu vërehen raste që fermerët për mungesë fondesh, përdorin doza më të ulta se doza e rekomanduar por nuk munden të sigurojnë një mbrojtje të mirë të bimëve e për pasojë detyrohen të ripërdorin pesticide. Ky ripërdorim shoqërohet me rritjen e mbetjeve të pesticideve në bimë dhe në mjedis, si dhe në rritjen e kostos së prodhimit. Pra të dy rastet, si dozat më të larta dhe dozat më të ulta nuk duhet të aplikohen sipas preferencës por duhet të përdoren ato doza që rekomandohen për një pesticid të dhënë.

Analiza tokës.

Në përllogaritjen e saktë të pesticideve që nevojiten për kultura të ndryshme duhet të mbahet parasysh kërkesat e bimës për çdo element ushqyes, llojin e tokës, kushtet klimatike, sistemimin e mirë të tokës, mekanizimin, ujitjen, kullimin, mbrojtjen nga sëmundjet dhe dëmtuesit, luftën kundra barërave të këqia, qarkullimin bujqësor si dhe përdorimin e plehrave organike. Prandaj është e nevojshme kryerja e analizave të tokës për të përcaktuar një bilanc ushqimor të saktë.

Sa plehra dhe kimikate përdoren në Shqipëri dhe në rajon.

Shqipëria ka përdorimin më të ulët të pesticideve dhe plehrave kimike në rajon dhe më gjërë. Bazuar në statistikat e importeve, rezulton që Shqipëria në grupin e pesticideve konsumon rreth 0.8 - 1 ton/1000 ha, ndërkohë që Greqia, vend anëtar i BE-së, konsumon rreth 3.2 - 3.5 ton/1000 ha. Gjithashtu edhe në grupin plehra kimike, Shqipëria ka konsumin më të ulët në Europë, me rreth 90kg/ha, ndërkohë që Kroacia konsumon rreth 210 ton/ha.

Por ndryshimi midis krahasimeve të përmendura është mënyra dhe kriteri i përdorimit të tyre. Kjo është një çështje e rëndësishme që duhet të përmirësohet në bujqësinë Shqiptare. Siç e kemi përmendur, përdorimi i plehrave kimike nuk do të thotë që kemi produkt jo të sigurt nëse respektohen kriteret e përdorimit. Një fermer në Kaliforni kryen mesatarisht rreth 25-30 spërkatje në plantacionet e mollës, ndërkohe që në Korçë fermerët nuk e kalojnë numrin e 15 spërkatjeve. Por mënyra e përdorimit dhe respektimi i protokolleve bën diferencen në produktin e sigurtë për konsum.

Çfarë ndodh në rastet kur në produktet për eksport identifikohen mbetje toksike.

Rastet e identifikimit të produkteve bujqësore në pikat e hyrjes në vendet e BE-së apo Europën Juglindore sjellin një dëm në ekonominë bujqësore Shqiptare, për arsyen e dëmtimit të imazhit dhe reklamimet që mund të denoncohen. Pa diskutuar për koston e asgjësimit të ngarkesës së identifikuar me mbetje toksike, apo penalitetin financiar që varion nga 3,000 – 10,000 euro, ajo që krijon problem për Shqipërinë janë denoncimet në portalin e BE-së, specifikisht në sistemin ALERT.(ref. https://webgate.ec.europa.eu/rasff-window/screen/search).

Prandaj fermerët duhet ti referohen njoftimeve të herëpashershme që Ministria e Bujqësisë publikon në lidhje me preparatet e regjistruara dhe të lejuara për tu përdorur në Shqipëri dhe informacione të tjera më të detajuara. (https://bujqesia.gov.al/wp-content/uploads/2022/05/LISTA-E-PRODUKTEVE-PLEH%C3%8BRUESE-Maj-2022.docx.pdf)

Këshillime të tjera