21.07.2022

Marketingu i produkteve agropërpunuesve

Marketingu duhet të kuptohet si aktivitet i organizuar, me qëllim gjetjen e tregut, të konsumatorëve, përgatitja e produkteve dhe shërbimeve me çmime të volitshme, shpërndarje të përshtatshme dhe komunikim të vazhdueshëm më qëllimin e përmbushjes së nevojave dhe kërkesave të konsumatorëve, gjë që ndikon direkt në realizimin e fitimit të pritshëm në agrobiznesin tuaj. n

Të zhvillosh aktivitet marketingu do të thotë të vesh në dispozicion të konsumatorit:

Produktin e duhur.
Në kohën e duhur.
Në vendin e duhur.
Me çmime të pranueshme nga ana e tyre.

A). Të nxjerrësh në treg produktin e duhur do të thotë që ai të ketë:

1.   Shije dhe veti të preferuara nga konsumatorët:

produktet duhet të prodhohen duke respektuar të gjitha kërkesat e konsumatorit;

teknologjisë së prodhimit;

të mos jenë të dëmshme për shëndetin e njerëzve;

të jenë sa më të freskëta e të pastra;

të jenë pastruar nga pjesët e panevojshme.

2.   Paketimin që preferojnë konsumatorët:

Produktet e paketuara proçesohen dhe transportohen më lehtë. Gjithashtu, paketimi zgjat jetën e produktit duke e mbrojtur atë nga:

Infektimi nga bakteriet;

Myku sipërfaqësor;

Ndotja nga balta dhe papastërtitë e tjera;

Dëmtimi fizik;

Dëmtimi nga lagështira, ajri;

Avullimi.

Paketimi tërheqës i bën njerëzit të interesuar për produktin, kurse një paketim jo-tërheqës e vështirëson shitjen e produktit.

Paketimi duhet të përmbajë datën e skadimit (kjo bazuar në ligjin e ushqimit Nr. 9863, datë 28.1.2008, i ndryshuar).

3.  Madhësitë që blejnë konsumatorët:
Produktet tuaja duhet të shiten në paketime me madhësi të ngjashme me ato që shiten në treg sepse njerëzit janë mësuar me madhësi të tilla.

Produktet e përpunuara, zakonisht, shiten në dy ose tre madhësi paketimi.

Madhësi të vogla shiten për blerje individuale, ndërsa paketimet e mëdha shiten për përdorim shtëpiak dhe masiv.

4.  Të ketë etiketën dhe emrin e markës:
Etiketa që vendoset mbi një kavanoz, shishe ose paketë, apo shkrimet që bëhen mbi një paketë ose kuti janë tepër të rëndësishme sepse ato:

Bindin blerësin të blejë produktin tuaj.

Informojnë konsumatorin për produktin.

Ofrojnë këshilla për përdorimin e produktit.

Etiketa duhet:

T’u japë njerëzve një përshkrim të kujdesshëm për atë që gjendet brënda paketës së produktit.

Të informojë për peshën dhe volumin e përmbajtjes.

Të japë një listë kompletë të përbërësve (kjo kërkohet me ligj).

T’u ofrojë konsumatorëve këshilla për përdorimin e produkteve që nuk janë shumë të njohura.

Lidhur me markën ka rëndësi të theksohet fakti se edhe në qoftë se ju jeni një prodhues i vogël, ju duhet t’i jepni produktit tuaj një emër marke.

B). Të vendosësh në dispozicion të konsumatorit produktin e duhur në kohën e duhur do të thotë që ju t’a bëni produktin të disponueshëm për konsumatorin në kohën që e kërkon ai.  Për këtë ju duhet të realizoni aktivitete të tilla si: Magazinimi/Ruajtja.

Gjatë zhvillimit të këtyre aktiviteteve duhet të respektohen të gjitha kërkesat e proçeseve teknologjike përkatëse dhe të higjenës, të cilat nuk synojnë vetëm ruajtjen e produktit, por në disa raste edhe përmirësimin e cilësisë së tij (për shëmbull, stazhionimi i djathit, vjetërimi i verës, etj.)

C). Të vendosësh në dispozicion të konsumatorit produktin e duhur në vendin e duhur do të thotë që ju t’a bëni produktin të disponueshëm për konsumatorin në vendin ku e kërkon ai.  Për të realizuar këtë ju duhet të realizoni aktivitetet e shpërndarjes dhe t’u jepni përgjigje pyetjeve të mëposhtme:

Ku dhe si do të shitet produkti (do ta tregtoni vetë produktin apo do t’ua jepni të tjerëve për t’a shitur?)

Cili prej varianteve është më i leverdisshëm dhe si mund të furnizohen shpërndarësit?

Cilat janë kërkesat e shpërndarësve lidhur me sasinë, lëvrimin dhe çmimin?

Cilat janë kostot sipas varianteve të ndryshme të shpërndarjes?

D). Të vendosësh në dispozicion të konsumatorit produktin e duhur dhe me një çmim të pranueshëm, do të thotë që nga proçesi i shitjes dhe blerjes të dyja palët (prodhuesi dhe konsumatori) të dalin të kënaqura. Kur vendosni çmimet për produktet tuaja ju duhet:

Të mbuloni të gjitha shpenzimet e kryera për prodhimin e produktit dhe të siguroni fitimin nga aktiviteti juaj.

Të merrni parasysh çmimet që kanë vendosur konkurentët tuaj për produkte të ngjashme.

Të ndryshoni çmimet në varësi të vendodhjes dhe tipit të konsumatorit (për konsumatorë dhe tregje më të largëta mund të vendosen çmime më të larta, apo për konsumatorë apo tregje më të pasura).

Së fundi, në rast se keni mundësi financiare ju mund të bëni reklamë për produktet tuaja. Meqënëse reklama është e kushtueshme mund të përballohet vetëm duke u organizuar si grup prodhuesish për të ndarë midis jush shpenzimet e reklamës që lidhet me një sektor specifik.

Këshillime të tjera