14.09.2022

Pse duhet të investoni në ferma blegtorale për prodhim qumështi.

Blegtoria është një nga degët kryesore të bujqësisë, që merret me rritjen, mbarështimin dhe përmirësimin e racave të bagëtive për të marrë prej tyre produktet më jetike për njeriun, qumështin dhe mishin si lëndë të para për industrinë. Sipërfaqja e përgjithshme tokësore në Shqipëri është 2,875,000 ha, nga e cila 699,000 ha ose 24 % është tokë bujqësore, 36% pyje, 15% kullota & livadhe dhe 25% pjesa tjetër.

Sa është prodhimi i qumështit të lopës dhe sa janë kërkesat e industrisë përpunuese?

Prodhimi i qumështit në 2021 ishte rreth 1,013 milion ton, duke u ulur me 3.8% krahasuar me vitin 2020 dhe afërisht 9.6% ulje krahasuar me 2019. Kjo ulje e ndjeshme ka sjellë një nevojë të madhe për lëndë të parë për industrinë përpunuese.

Struktura e prodhimit të qumështit, referuar INSTAT-it per vitin 2021 është: qumështi i lopës 84.8%, qumështi i deles 7.3% dhe qumështi i dhisë 7.9%.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri numëron rreth 316 operatorë, të cilët karakterizohen nga një numër i madh fabrikash të vogla të përpunimit të qumështit, baxho, shumë prej të cilave janë biznese gjysmë informale ose informale. Shumica e operatorëve punojnë me një kapacitet 50-60% për arsye të pamjaftueshmërisë së lëndës së parë.

Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave rezulton që gjatë vitit 2021 janë importuar 16,246 ton qumësht, pra rreth 42% më shumë se viti 2020. Gjithashtu edhe sasia e qumështit pluhur e importuar gjatë vitit 2021 është 2,082 ton, pra ka një rritje me 44% në krahasim me vitin 2020.

Përllogaritet që kapaciteti përpunues i qumështit në Shqipëri është rreth 1.7 milion ton, pra një mungesë qumështi prej rreth 700 mijë ton.

Pse tashmë investimi në blegtori është një mundësi e mirë për të gjeneruar të ardhura?

Investimi në ferma blegtorale paraqet një interes të lartë për 4 arsye kryesore:

- Kërkesa për lëndë të parë është e lartë nga fabrikat dhe njësitë e përpunimit të qumështit;

- Paraqitet një stabilitet në çmimin e blerjes së qumështit cilësor që luhatet nga 70-80 lek/litër;

- Likujdime korrekte sipas grafikëve të vendosura në kontratë për blegtorët. Kjo specifikisht nga fabrikat e qumështit të konsoliduara;

- Mbështetje me grantet e IPARD-it për stalla, pajisje, sisteme mjelje, mekanikë bujqësore etj.

Fitimi në një fermë me 20 lope racë Holtshein, me standarte dhe respektim të një racioni ushqimor të pasur (40-44 kg ushqim/krerë/ditë) është rreth 900,000 lek/vit. Në këtë fitim përfshihet shitja e qumështit, vicave dhe plehut organik.

Çfarë duhet të ketë parasysh një fermer për të investuar në një fermë blegtorale me 20 krerë lopë qumështi?

Për të pasur një fermë blegtorale efikase, fermerët duhet të ndjekin një sërë rregullash, për si më poshtë:

- Investim në raca produktive dhe të përshtatshme me klimën e zonës psh. raca Holshtein, Simental, Xhersi etj.

- Materiali biologjik të jetë cilësor;

- Kushtet e stallës të plotësojnë parametrat e mirëqënies së kafshëve të përcaktuara në ligj;

- Racioni ushqimor duhet të jetë i pasur në vlera ushqyese;

- Të respektohet legjistacioni në fuqi për investimin në mënyrë që të aplikohet në grantet IPARD psh. leje ndërtimi stalle, matrikullimi, Nipt fermerit etj;

Investimi në shtimin e numrit të krerëve në blegtori, si dhe pajisjet apo stallat blegtorale, mbështeten me financim deri në vlerën 20 milion lekë nga institucioni mikro-financiar NOA. Proçedura e kreditimit është e menjëhershme dhe pa burokraci në operim.

 

Këshillime të tjera