19.10.2022

Muaji tetor është periudha e mbjelljes së grurit

Rëndësia ekonomike e kultivimit të grurit:

Gruri është kultura e dytë më e përhapur në botë, e vlerësuar në rreth 200 milionë ha. Konsumi i kokrrave të grurit përbën 19% të kalorive në dietën globale të njeriut, ndërsa rreth 40% e grurit të prodhuar përdoret për ushqim për shpendët dhe blegtorinë. Kokrra e grurit është e pasur me karbohidrate dhe ka një përmbajtje më të lartë proteinash se drithërat e tjerë kryesorë, si prsh orizi, misri, thekra dhe mielli. Ai gjithashtu përmban sasi të konsiderueshme të mineraleve (prsh. Zn, Fe), vitamina dhe fitokimikale, duke e bërë atë një burim të mirë ushqimi. Gruri përdoret globalisht për prodhimin e bukës, makaronave dhe produkteve të pastiçerive dhe në një masë të vogël për produktet industriale.

Gruri shërben në rend të parë për ushqimin e njeriut, i cili në rrethana të veçanta mund të shërbej si i vetmi ushqim sepse përmban të gjitha materiet e nevojshme për ushqimin e organizmit të njeriut. Vlerat ushqyese të grurit janë të lidhura me përmbajtjen e proteinave, yndyrnave, karbohidrateve etj. Mielli i grurit është i pasur me vitamina dhe minerale të cilat variojnë: vitamina B1 – 14,7%, kolina – 12,2%, vitamina B5 – 13,6%, vitamina B6 – 15%, vitamina E – 14%, vitamina PP – 23%, Si – 27%, Mn – 13,8%, Fe- 24,9%, Cl – 38,3%, Fe- 17,8%, Co – 38%, Mg- 129,5%, Cu- 32,4% , molibden – 25,7%, Zn – 15,8% të cilat kanë një rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut pasi ndikojnë në proçeset e metabolizmit dhe forcimit të sistemit imun.

Kërkesat e fabrikave të blojës dhe aktiviteti i prodhimit të bukës kërkon një minimum prej 12.8% ose edhe më të lartë përqëndrim proteinash në miell gruri. Ky përqendrim i proteinave kërkon nivele të larta të plehrave dhe ujitje në kohën e duhur. Natyrshëm që ka diferenca midis grurit të prodhuar për prodhim buke dhe atij për ushqim për blegtorinë. Prandaj, fermerët duhet të vendosin se cilin treg synojnë, tregun e prodhimit të bukës me cilësi të lartë proteine apo tregun e ushqimit të kafshëve me rendiment të lartë.

Shqipëria importon sasi të konsiderueshme të grurit dhe miellit gjithashtu, edhe pse egzistojnë kushtet  për nje prodhim më të madh në vend. Importi i grurit arrin në 212,242 ton/vit (viti 2021) dhe miell 24,237 ton/vit. Ndërkohë që prodhimi në vend arrin shifrën prej 225,200 ton/vit. Sipërfaqja e kultivuar në Shqipëri arrin në 54,500 ha, nga ku qarqet më potenciale janë Fieri me 31,051 ha, Korça me 24,195 ha, Elbasani me 18,829 ha, Vlora me 8,164 ha, Tirana me 8,430 ha, Dibra me 7,591 ha etj.

Agroteknika e kultivimit të grurit kërkon zbatimin e plotë dhe të përpikët të të gjitha masave bashkohore agroteknike. Gruri duhet kultivuar në sistemin e qarkullimit bimor, edhe pse ndryshe nga kulturat tjera, gruri mund të kultivohet edhe si monokulturë, por kohëzgjatja e një kultivimi të tillë nuk duhet të jetë më shumë se 2-3 vjet.

Parakulturat më të përshtatshme për grurin janë misri si dhe bishtajoret një vjeçare për kokërr si: fasulja, bizelja, soja etj.

Agroteknika bashkohore bazohet në mbjelljen e varieteteve produktive me potencial të lartë gjenetik, si dhe kërkesave agroteknike për tu respektuar.

Zgjedhja e varieteteve të grurit për mbjellje. Nga eksperimentet shkencore vërehet që rendimentet e grurit ndikohen nga këto faktorë të rëndësishëm:

Ndikimi i varietetit  - 40%.

Ndikimi i Agroteknikës - 30-40 %.

Ndikimi i kushteve klimatike - 20-30 %.

Punimi i tokës në kultivimin e grurit është një nga masat e domosdoshme agroteknike, përmes së cilës ndikohen rendimentet e larta dhe cilësia e prodhimit.

Nëse gruri mbillet pas kulturave siç janë: misri, patatja, panxhari, punimi tokës duhet të kryhet menjëherë pas korrjes së tyre në një thellësi 25-30cm.

Në tokat kualitative me bonitet të lartë, lëvrimi i tokës bëhet në thellësi edhe më të cekët prej 15-25 cm.

Nëse gruri mbillet pas llojeve të tjera të drithrave të bardha si psh. elbi, thekra, tërshëra ose pas grurit (në monokulturë), atëherë duhet të bëhet një lëvrim i cekët prej 12-18 cm. Pas kësaj në fillim të vjeshtës duhet të bëhet lëvrimi i thellë 25-30 cm.

Para mbjelljes së farës kryhet punimi plotësues (frezim) me qëllim të imtësimit dhe rrafshimit të pjesës sipërfaqsore të saj.

Mbjellja e grurit është një nga masat agroteknike më të rëndësishme në kultivimin e grurit. Para se të fillojë zbatimi i kësaj mase agroteknime, duhet të bëhet zgjedhja e llojeve përkatëse të variateteve më të përshtatshme të grurit për zona të caktuara. Është e rëndësishme që fara e dedikuar për mbjellje të ketë cilësi të larta kualitative, të jetë e pastërt, e shëndoshë, e madhe, me energji të lartë mbirëse, e dezinfektuar mirë. Fara për mbjellje duhet të ketë certifikatën përkatëse nga Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve, në të cilën janë të shënuara të gjitha cilësitë e farës.

Mbjellja e farës duhet të bëhet në afatin optimal i cili është prej 5 deri 25 tetor, afat ky që mund të ndryshojë me 5-10 ditë, në varësi të kushteve klimatike dhe specifikat e varietetit. 

Sasia optimale e farës për mbjellje duhet të jetë prej 240 – 280 kg/ha. Nëse mbjellja bëhet me dorë apo është e vonuar (pas afatit optimal), kjo sasi e farës duhet të shtohet për 15-20%.

Në toka të shkrifta, farën e grurit duhet ta mbjellim në thellësi 3-4 cm, ndërsa në toka të rënda në thellësi prej 2-3 cm.     

Plehrimi. Gruri formon një sistem rrënjor relativisht të dobët, me fuqi thithëse të dobët, prandaj aplikimi i plehrave minerale dhe atyre organike duhet ti kushtohet kujdes i vecantë. Sasitë optimale të plehrave të përcaktuara në bazë të kritereve agro-teknike janë:

- Pleh organik          100 kv/ha

- Dap                     250 kg/ha

- Ure                      400 kg/ha

- Herbicide                10 lit/ha

Nëse respektohen shërbimet agro-teknike, përzgjedhje të farës cilësore, ujitje në sasi dhe kohën e duhur arrihet të përfitohet një rendiment prej 60-70 kv/ha.

Financimi me kredi dhe subvencionimi i mbjelljes së grurit:

Bazuar në kalkulimet e kartave teknologjike të hartuara nga institucioni mikro-financiar NOA, rezulton që kosto për kultivimin e 1/ha siperfaqe me grurë kushton rreth 295,000 lekë, nga ku vlera e inputeve bujqësore është 159,100 lek/ha dhe mekanizimi rreth 60,000 lek/ha. Agjencia e Zhvillimit Bujqësore dhe Rural, në skemat e subvencionimit për vitin 2022, planifikon të mbështesë të gjithë ato fermerë që kultivojnë grurë në sipërfaqe mbi 1/ha, në vlerën 30,000 lek/ha. Çdo vlerë tjetër e nevojshme për financim, kryesisht për blerjen e inputeve bujqësore, kreditohet brënda 24 orëve nga NOA me kushte preferenciale që konsistojnë në: pa kolateral, shlyrje kredie në momentin e arkëtimit të të ardhurave nga shitja.

NOA është pranë fermerit me financim të menjëhershëm!

Këshillime të tjera