28.10.2022

Identifikimi dhe njohja e tregjeve me potencial për eksport

Si të përcaktoni potencialin tuaj të eksportit?

Zakonisht  në të tilla raste shtrohen disa pyetje:

-  A është produkti ose shërbimi i kompanisë suaj një kandidat i mirë për t'u shitur në tregjet jashtë shtetit?

- Cili është potenciali i eksportit i produktit ose shërbimit tuaj?

Ka disa mënyra për të vlerësuar potencialin e eksportit të produkteve tuaja në tregjet ndërkombëtare.

Qasja më e zakonshme është të ekzaminoni shitjet e brendshme të produkteve tuaja.

Nëse kompania juaj është e suksesshme në tregun Shqiptar, ka shumë mundësi që produktet tuaja të shitet edhe në tregjet jashtë vendit, të paktën në ato tregje ku ekzistojnë nevoja dhe kushte të ngjashme.

Kështu, nëse produkti juaj është një sukses në tregun tuaj vendas, hapi tjetër është të identifikoni sa më qartë përse produkti shitet kaq mirë, duke pasur parasysh se kushtet jashtë vendit mund të jenë diku pak, dhe diku shumë më të ndryshme.

Një mënyrë tjetër për të vlerësuar potencialin e kompanisë suaj në eksport është duke ekzaminuar veçoritë unike ose ato më të rëndësishme të produktit tuaj.

Një produkt unik mund të ketë pak konkurrencë, kështu që kërkesa për të mund të jetë mjaft e lartë. Megjithatë, edhe nëse produkti juaj nuk është unik, nuk duhet të dekurajoheni...

Cili është qëllimi eksportues i kompanisë suaj?

Cilido qoftë qëllimi juaj, merrni parasysh nëse përfitimet e pritshme tejkalojnë kostot. Nëse një veçori unike juaja është e vështirë të kopjohet jashtë vendit, atëherë ka të ngjarë që produkti juaj të jetë i suksesshëm jashtë shtetit.

Megjithatë, për të përcaktuar me saktësi potencialin e eksportit, duhet të dini  në çdo rast detyrimisht:

a) nëse ka kërkesë të mjaftueshme

b) nëse kompania juaj ka një avantazh konkurrues, duke marrë parasysh të gjitha kushtet e jashtme.

A ka kërkesë të mjaftueshme për produktet tuaja? 

Së pari, për të përcaktuar kërkesën, zgjidhni një treg të qartë (gjeografi; segment moshe dhe tipologji klientele, forcë blerëse; kanal shitjeje etj.) dhe më pas analizoni tregun e zgjedhur. Duke analizuar tregun tuaj  të synuar, ju mund të zbuloni nëse tregu përmban një numër të mjaftueshëm  klientësh potencialë që mund të kenë interes për produktet tuaja.

Së dyti le të shqyrtojmë avantazhin konkurrues të firmës suaj.  Pa një avantazh konkurrues, kompania juaj nuk mund të jetë kurrë e suksesshme ndërkombëtarisht pasi konkurrentët thjesht mund të kapin të gjithë klientët tuaj të mundshëm.

Ky avantazh konkurrues mund të ndryshojë në mënyrë drastike nga tregu në treg dhe do të varet kryesisht nga pozicionimi i kompanisë suaj.

Besoni se firma juaj do të ketë një avantazh konkurrues?

Tani, le të shqyrtojmë çdo faktor që mund të përmirësojë ose të ulë në mënyrë drastike perspektivat tuaja të eksportit. Kushtet e jashtme përfshijnë ndikimet sociale, kulturore, ekonomike, politike dhe mjedisore në biznesin tuaj dhe për këtë arsye duhet të merren parasysh përpara se të filloni ndonjë aktivitet në një shtet të huaj.

A keni barriera komerciale (konkurrencë e lartë, zvogëlim të kërkesës etj.)?

A keni barriera doganore (tarifë e lartë që rrit çmimin tuaj të shitje) ?

A keni barriera standartesh (çertifikime të detyrueshme) ?

A keni barriera logjistike (kosto transporti apo logjistikë mirëmbajtje produkti)?

A keni barriera financiare (kosto që prekin rritjen e volumit apo shitjen e produktit tuaj)?

Nëse keni besim për sa me sipër! 

Atëherë jo keq, dhe tani mund të mendoni se kompania juaj ka aftësitë dhe burimet e nevojshme për të realizuar potencialin e identifikuar. Në të vërtetë, potenciali është i pavlefshëm nëse nuk realizohet.

Potenciali i eksportit mund të realizohet ose nga firma juaj ose nëpërmjet kontraktimit të një firme të jashtme. Ose përndryshe, përmes ndonjë kombinimi të të dyjave. Në këtë rast metoda juaj e eksportit duhet të përputhet me interesat dhe strategjinë tuaj, duke patur në konsideratë të gjitha  metodat e eksportit.

Siç mund ta keni kuptuar deri tani, potenciali i eksportit nuk është i lehtë për t'u përcaktuar.

Në fakt, edhe nëse merren parasysh të gjithë faktorët, disa do të mbeten gjithmonë të paparashikuar. Normalisht hapat e mëparshëm përpunohen në hartimin e plan marketingu dhe strategjie eksporti të mirëhartuar.

Si dhe ku janë mundësitë në kushtet e sotme?

Kushtet e reja ekonomike dhe gjeopolitike të krijuara nga pandemia mund të kthehen në një burim mundësish dhe potencialesh të reja eksporti për ekonominë shqiptare, nëse  Shoqatat e Biznesit, vetë bizneset Shqiptare, grupet e interesit bashkë me organet shtetërore do të mund t’i shfrytëzojnë këto shanse pa humbur kohë.

Shqipëria mund të shfrytëzojë më shumë dhe më mirë këtë situatë për t’u bërë një nga furnizuesit e rëndësishëm për veshjet dhe pajisjet mjekësore etj. në afat shkurtër, duke zëvendësuar furnizimet në ato vende që po rishikojnë marrëdhëniet tregtare me Kinën, Vietnamin, etj.  Gjithashtu, kërkesa më e lartë për perime të freskëta dhe prodhime organike, krijon mundësira  të reja për bujqësinë në zgjerimin e shtimin e tregjeve me potencial për eksport.

 

Këshillime të tjera