10.11.2022

NOA mbështet me produkt financiar investimet në panele foto-voltaike

Shqipëria ka një pozicion të favorshëm gjeografik në pellgun e detit mesdhe, kushte klimatike shumë të favorshme për shfrytëzimin e energjisë diellore. Intensiteti i lartë i rrezatimit diellor, kohëzgjatja e këtij rrezatimi, temperatura, lagështia e ajrit, klima mesdhetare, me një dimër të butë dhe të lagësht dhe verë të nxehtë dhe të thatë përcaktojnë një potencial energjitik të madh për shfrytëzimin e energjisë diellore.

Shqipëria vlerësohet nga ekspertët si një nga vendet më të favorshme në Europë për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore. Rrezatimi diellor llogaritet rreth 20-30% më mirë se vendet e tjera të rajonit si Maqedonia, Kosova apo krahasuar me vendet e ftohta europiane. Përveç potencialit energjitik për vetë-konsum nga popullsia, teknologjia e paneleve diellore mund të përdoret me efikasitet të lartë në bujqësinë primare dhe në veçanti në agropërpunim.

Territori i Republikës së Shqipërisë është ndarë në 4 zona kryesore klimatike, ku luhatjet e elementeve klimatike brënda tyre janë në kufij relativisht të vegjël. Këto zona emërtohen si më poshtë:

Zona Mesdhetare Fushore;

Zona Mesdhetare Kodrinore;

Zona mesdhetare Paramalore;

Zona Mesdhetare Malore;

Në territorin e vendit tonë kemi një potencial energjitik diellor të konsiderueshëm, ku shumë zona të saj i ekspozohen një rrezatimi që shkon nga 1185 kWh/m2 në vit deri në 1700 kWh/m2 në vit.

Si funksionojnë panelet diellore?

Energjia elektrike nga panelet diellore ka si burim diellin, e cila mund të përdoret për të prodhuar energji elektrike për bizneset, agrobizneset dhe ngrohje apo nevoja të tjera të konsumatorit familjar. Teknologjia konverton drejtpërdrejt dritën e diellit në energji elektrike duke shfrytëzuar efektin foto-voltaik. Kjo krijon tension ose rrymë elektrike kur ekspozohet ndaj dritës. Paneli diellor është nje mekanizëm që lejon transformimin e rrezatimeve diellore në energji termike (siç ndodh me ngrohjen e ujit në shtëpi), ose energji elektrike. Sistemi normalisht është ndërtuar nga një panel që merr energjinë diellore, nga një shkëmbyes, dhe një akumulator i përdorur për të ruajtur energjinë e akumuluar. Përdorimi i paneleve diellore ka si rrjedhojë të parë pozitive, kursimin e energjisë së rrjetit elektrik.

Kërkesa për energjinë e industrisë së turizmit fokusohet kryesisht në periudhën qershor-tetor. Në këto 5 muaj janë rreth 80% e akomodimit e rreth ¾ e nevojave energjitike vjetore.

Gjithashtu, bujqësia shqiptare në verë ka konsum të lartë energjie (pompat elektrike, apo pompa me gjeneratorë me karburant), e cila është e nevojshme për të ujitur fushat e tyre apo për të furnizuar me energji elektrike ambjentet frigoriferike.

Familjet si dhe institucionet shtetërore shfrytëzojnë shumë energji për kondicionerë dhe harxhojnë energji elektrike për ngrohjen e ujit të nxehtë.

Në bujqësinë primare sistemi foto-voltaik përfshin: pompat, sistemet automatike në sera (hapjet dhe mbylljet automatike të dritareve), ndriçimi në fermë apo operacione të ndryshme në fermë.

Çfarë elementësh përmban një sistem i thjeshtë foto-voltaik për përdorim në ambjentet e baninimit.

Përdorimi i energjisë së diellit për të furnizuar ndërtesat e banueshme është padyshim më i mirë për mjedisin krahasuar me burimet e tjera të energjisë. Burimet tradicionale të energjisë si qymyri, nafta dhe gazi natyror janë përgjegjëse për gazrat serë, ndotjen e ajrit dhe ujit dhe mbetje të tjera toksike që po shkaktojnë disa probleme të mëdha në shëndetin e mjedisit tonë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se këto burime tradicionale të energjisë nuk rinovohen dhe gjithashtu po mbarojnë shpejt. Përdorimi i energjisë diellore gjithashtu kontribuon në një atmosferë shumë më të pastër.

Elementët që përbëjnë një sistem të tillë për konsumatorët familjarë janë:

- Paneli diellor;

- Inverteri;

- Paneli kontrollit;

- Kontatori;

- Rjeti elektrik;

Sa kushton një investim i tillë dhe si paraqitet kthyeshmëria e investimit.

Në vendin tonë, numri i ditëve me diell ndryshon mesatarisht 240-260 ditë në vit deri në një maksimum 280-300 ditë në vit. Në Shqipëri është momenti i duhur për të investuar në sistemet foto-voltaike.

Investimi për një familje me një sipërfaqe të banueshme 100-120m2, që konsumon 7-8 kW në muaj, kërkon një investim prej 10,000-12,000 Euro, duke instaluar 20 panele foto-voltaike që arrijnë të prodhojnë rreth 10kWp energji elektrike. Ky investim mbulon nevojat familjare 100% nga muaji Maj-Tetor, dhe 60-70% për periudhën e mbetur të vitit. Në bazë të rendimentit të paneleve foto-voltaike dhe çmimeve të energjisë elektrike në Shqipëri mund të llogarisim kthimin e investimit. Një investim në panelet foto-voltaike shlyhet për të paktën 6 vite për sisteme rezidenciale dhe 3 deri në 4.5 vite për impiante foto-voltaike biznesi.

Gjithashtu një ndihmë ekonomike për familjarët është edhe instalimi i bolierëve foto-voltaike për prodhimin e energjisë elektrike për ngrohjen e ujit. Ky investim kushton 1000-1500 euro dhe ka nje kthyeshmëri prej 5 vitesh.

Një nga arsyet kryesore që shumë pronarë të shtëpive apo apartamenteve janë duke zgjedhur sistemet diellore është se ato mund të ndihmojnë në kursimin e faturave mujore të energjisë. Kur përdorni instalimin e një sistemi diellor në shtëpi, mund të ulni ndjeshëm kostot e konsumit të energjisë. E tëra çfarë ju duhet të bëni është të instaloni madhësinë e duhur të qelizave diellore dhe t'i montoni ato në vendin e duhur. Sasia e energjisë elektrike që mund të prodhoni nga një sistem diellor në shtëpi është mjaft e madhe.

Çfarë kosto ka mirëmbajtja e paneleve foto-voltaike dhe a kërkohet leje nga organet shtetërore?

Përkundër asaj që mendojnë shumica e konsumatorëve familjarë, sistemet diellore në shtëpi mirëmbahen shume lehtë. Në fakt, panelet diellorë janë shumë të qëndrueshme dhe madje do të duhen disa vite para se të kërkojnë mirëmbajtje, që do të thotë më pak problem për pronarët e shtëpive dhe apartamenteve. E vetmja ndërhyrje apo mirëmbajtje që kërkohet është larja e pluhurit dhe papastërtinë nga panelet diellore disa herë në vit.

Investimi në panele foto-voltaike për përdorim të brëndshëm familjar, kategorizohen në sistemin “off-grid” dhe si të tilla nuk kërkohen leje nga OSHEE, Agjensia Mjedisit etj. Të vetmen leje që investitorët familjarë duhet të sigurojnë është një “Autorizim” nga Njësia Administrative për instalimin e paneleve në çati, tarraca apo vendndodhje të tjera, të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Urbanistik.

Çfarë produkti financiar specifik ka miratuar NOA?

Për investimet në energji të rinovueshme, specifikisht panele foto-voltaike, institucioni mikro-financiar NOA ka miratuar produktin financiar “Kredia Eco” e cila ka këto kushte:

- Financim deri në 1,5 milion lekë;

- Afat shlyerje deri në 60 muaj;

- Normë interesi preferenciale;

- Komisione 0 - 2%;

- Pa bashkëkredimarrës;

- Dokumentacion minimal;

NOA mbështet kreditimin e Ekonomisë së Gjelbër!

 

Këshillime të tjera