09.12.2022

Eksporti bujqësor në tregun rajonal

Eksportet, sikurse dhe importet, janë tregues të rëndësishëm të një ekonomie, perfshirë këtu dhe atë bujqësore. Mundësitë e eksportit në Shqipëri si për produktet bujqësore ashtu edhe për ato të përpunuara janë rritur ndjeshëm, por ende janë larg kapacitetit të tyre real. Duke qënë se tregu i brëndshëm për disa prej këtyre produkteve është i ngopur, në veçanti frutat dhe perimet shqiptare kanë fituar terren në Ballkanin Perëndimor dhe janë të pozicionuara mirë për të bërë përparim në tregjet rajonale dhe BE -28.

Eksportet bujqësore:

Shqipëria është shumë e varur nga sektori i saj bujqësor, i cili përbën  20 % të PBB-së, 40 % të punësimit dhe 12% të totalit të eksporteve. Eksporti i produkteve bujqësore shqiptare ka përfshirë të gjitha vendet e rajonit, por njëkohësisht edhe Hungari, Gjermani dhe në vende të tjera të Bashkimit e Europian. Veçanërisht eksporti me vendet e BE-së është tregues pozitiv për sektorin e bujqësisë.

Klima e favorshme afërsia me tregjet europiane, mbulimin e tregjeve rajonale me potenciale të pashfrytëzuara, si dhe fuqia puntore me kosto të ulët e bëjnë Shqipërinë një vend me potencial të mirë  investimi në bujqësi. Shumica e produkteve bujqësore janë të një cilësie të mirë, duke ofruar përparësi konkurruese për eksportet në Europë dhe jashtë saj. 

Sektori i fruta-perimeve:

Ky sektor përfaqëson 20% të bujqësisë shqiptare, por kontribuon me 36% të eksporteve të saj dhe kjo pjesë sa vjen e  rritet. Fruta-perimet “Made in Albania” po tregtohen kudo nëpër europë, deri në vendet baltike dhe nga viti në vit ato po rriten me 15% deri në 25%.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2021 Shqipëria eksportoi 44 miliard lekë (361 milionë euro), ndërsa importoi 130 miliardë lekë (1,06 miliardë) euro ushqime nga jashtë për nevojat e tregut të brëndshëm.

Ndërsa importet ishin tre herë më të larta se, eksportet duke bërë vendin tonë një importues neto të produkteve ushqimore me varësi totale nga tregjet e jashtme edhe pse ka klimë të përshtatshme dhe burimet ujore të favorshme për kulturat bujqësore.

Produktet kryesore:

Bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara; fara vajore, shalqinj, bagëti ( pjesë të brëndshme), peshk të konservuar dhe lëkurë të papërpunuar. Në disa produkte të tregut, si mishi i bretkosës ose bima e sherebelës, sektori është një lojtar i rëndësishëm në nivel europian. Mundësi të vogla investimi janë identifikuar edhe në shumë nën-sektorë.

Shqipëria ka lidhur marrëveshje të tregtisë së lirë me të gjitha vendet e ballkanit duke krijuar mundësinë e tregtisë në të gjithë rajonin. Pavarësisht zhvillimeve  në sektorin e bujqësisë prej copëzimit të lartë të tokës dhe mungesës së financimeve,etj, zarzavatet dhe perimet, janë  pika e fortë e eksporteve bujqësore dhe sektori shihet me potencial për rritjen e eksporteve.

Klima e favorshme, përvoja në kultivim dhe rritja e kërkesës së jashtme i kanë vënë në një trend të qëndrueshëm shitjet edhe në tregjet e huaja.

Industria agro-ushqimore:

Indrustria agro-ushqimore ka një zhvillim dhe qëndrueshmëri graduale vitet e fundit duke siguruar një rritje mesatare vjetore në vlerë prej rreth 3-5%. Duke qënë se produktet bujqësore-blegtorale dhe agropërpunimi kanë një potencial të konsiderueshëm për të rritur volumin e eksporteve, në veçanti mbështetjen për rritjen e prodhimit BIO. Mundësitë e eksportit në shqipëri për produktet bujqësore dhe të përpunuara janë rritur ndjeshëm, por ende janë larg kapacitetit të tyre real.

Ndikimi ekonomik i prodhimeve bujqësore në eksportet shqiptare sa vjen e rritet. Vitin e kaluar (2021), eksporti i zarzavateve të freskëta që dominohet nga domatet dhe kastravecët, arriti në 8,8 miliardë lekë, ose 72 milionë euro me një rritje vjetore 13.3%.

Tregtia bujqësore Shqipëri - Rajon:

Nga studimet e bëra tashmë dihet se marrëveshjet rajonale të tregtisë janë një mjet efektiv për nxitjen e tregtisë ndërmjet vendeve anëtare, si në aspektin e vlerës absolute ashtu edhe për zgjerimin e tregjeve, shtimin e produkteve të reja dhe rritjen e firmave eksportuese. Një nga marrëveshjet e rëndësishme që u jep kompanive shqiptare avantazh konkurrues dhe qasje në treg është marrëveshja e Europës Qëndrore për tregti të lirë (CEFTA).

Volumi i shkembimeve tregtare me vendet CEFTA-s përbën sot rreth 18% të tregtisë totale të Shqipërisë nga vetëm rreth 2.6 % që ishte përpara fillimit të procesit të liberalizmit të tregtisë në rajon dhe zbatimit të kësaj marrëveshje ( rritur shumë se 8 herë).

Në fund të vitit 2018 , shkëmbimet tregtare vetëm midis Shqipërisë dhe palëve të CEFTA-s tejkaluan vlerën e 750 milion euro, mbi 300 milion Euro në importe dhe 400 milion Euro në eksporte. Një pjesë e madhe e kësaj rritjeje i atribuohet firmave shqiptare që nuk eksportonin më parë në vendet e CEFTA-s dhe produkteve që ishin ndër më pak të tregtueshmet përpara hyrjes në fuqi të marrëveshjes rajonale të tregtisë.

Tregu rajonal ballkanik:

Nisma e Ballkanit të hapur ka si qëllim lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Në këtë kuader në nëntor 2020 u mbajt në Sofje, Bullgari, një takim me udhëheqësit politikë nga Ballkani Perëndimor, të mbështetur nga Bashkimi Europian që miratuan një plan veprimi për krijimin e një tregu të përbashkët dhe një axhende të përbashkët mjedisore për rajonin. Plani parashikon një sërë masash, të tilla si: ulja e tarifave bankare ndërkufitare, heqja e barrierave teknike tregtare, koordinimi i politikave të investimeve, njohja e kualifikimeve profesionale në të gjithë rajonin dhe promovimi i tregtisë elektronike. Synimi i ndërlidhjes së vendeve dhe komunikimit ekonomik dhe teknologjik midis vendeve është ideja kryesore e procesit të Berlinit. 

Mirëpo bizneset prodhuese në shqipëri janë të shqetësuara për rritjen e konkurrencës. Sektori ynë bujqësor  vuan nga mungesa e subvencioneve, ndaj produktet Serbe sidomos ato të bulmetit kanë nisur që tani të konkurrojnë fermat shqiptare. Gjithashtu bizneset vazhdojnë të raportojnë për barriera të ndryshme jo-tarifore që hasin gjatë tentativës për të shitur produktet e tyre në vendet fqinje. Por, shtetet që janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” presin që me lehtësirat që do t’i ofrohen bizneseve, shkëmbimet tregtare të rriten dukshëm në vitet në vijim në sajë të veprimeve më efiçente në të ardhmen e afërt.

Cila është shporta e mallrave të tregtuara në ballkan?

Tregtia ndër-rajonale e mallrave në Ballkanin Perëndimor është përqëndruar në mallra me vlerë të shtuar, të ulët dhe shporta e mallrave të tregtuara është e reduktuar dhe e pandryshueme në kohë. Kosova dhe Mali i Zi janë vendet më pak të zhvilluara në shportën e eksporteve. Eksportet e Shqipërisë dominohen nga metalet bazë, mineralet dhe produktet bujqësore. Mali i Zi, Bosnjë- Herzegovina eksportojnë kryesisht metale, minerale dhe lëndë drusore, produkte ushqimore, ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë më të diversifikura në eksportin ndër-rajonal edhe pjesa më e madhe e eksportit përfaqësohet nga të njëjtat produkte si dhe vendet e tjera, metale, minerale dhe produkte ushqimore (Komisioni Europian 2018).

Shporta e produkteve, të cilat nuk janë importuar me origjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqëson rreth 90 % të vlerës të importit për Ballkanin Perëndimor ose rreth 46 Mld USD në terma vjetorë për vitin 2019.

Mundësitë dhe sfidat:

Dihet që bujqësia është një sektor thelbësor i ekonomisë së Ballkanit Perëndimor. Dinamikat dhe ndryshimet në zhvillimet ekonomiko-tregtare të Ballkani Perëndimor mund të analizohen nga eksporti, importi dhe bilanci tregtar.

Në vitin 2020 Shqipëria realizoi me vendet e rajonit, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut rreth 10% të volumit tregtar (import+ eksport). Serbia vazhdon të dominojë tregun e rajonit, duke qënë një nga shtetet që eksporton më së shumti në vendet e rajonit, në veçanti në Shqipëri e Kosovë.

Kosova është partneri kryesor i eksporteve dhe shteti ku kemi bilancin më të madh pozitiv (+145 mln euro), ndërsa nga Serbia marrim më shumë importe dhe kemi deficitin më të madh tregtar (-134 mln euro) ndërsa me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ka një deficit të lehtë.

Tregtia me Serbinë:

Serbia vazhdon të ketë bilanc pozitivë tregtar me Shqipërinë dhe është burimi kryesor i importeve në rajon. Sipas INSTAT, Shqipëria vetëm gjatë vitit 2021 ka importuar mallra në vlerë prej 288 milionë euro nga Serbia. Kurse ka eksportuar mallra në vlerë prej 88 milionë euro me nje bilanc negativ 200 milione euro. Serbia dominon në shitjet drejt Shqipërisë të ushqimeve, pijeve e duhanit, mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, si dhe materialeve të ndërtimit e metaleve.

Pozitive është se në vitin 2021 eksportet e Shqipërisë për në Serbi janë trefishuar krahasuar me vitin 2015 kur eksportet kishin vlerën e 3.4 miliardë lekë apo 28.6 milionë euro. Edhe në 4-mujorin 2022 të dhënat e INSTAT tregojnë se deficiti tregtar vazhdon edhe për 4 mujorin e vitit 2022 duke arritur në 8.7 miliardë lekë, ndërsa importet serbe arritën 16.7 miliardë lekë po në këtë periudhë, duke shënuar rritje me 128% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Tregtia me Kosovën:

Kosova është partneri kryesor i eksporteve dhe shteti ku kemi bilancin më të madh pozitiv (+145 mln euro). Për eksportet, Kosova është partneri kryesor i Shqipërisë dhe shteti ku ne kemi suficitin më të lartë tregtar, që nënkupton se eksportojmë më shumë drejt këtij vendi, sesa importojmë prej tij. Në vitin 2020, eksportet drejt Kosovës ishin 26.2 miliardë lekë (9.7% e shitjeve totale jashtë vendit), ndërsa importet 8.3 miliardë lekë, me bilanc pozitiv 18 miliardë lekë (145 milionë euro). Mallrat kryesore që eksportojmë në Kosovë janë materialet e ndërtimit e metalet (kryesisht çeliku, tullat, çimento), lëndë djegëse e energji (naftë) dhe ushqime, pije e duhan. Për të gjitha grupmallrat, vlera e eksporteve është më e lartë sesa e importeve.

Tregtia me Maqedoninë dhe Malin e Zi:

Shkëmbimet dhe volumet e tregtisë me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi janë më të ulëta. Drejt Maqedonisë së Veriut  shkojnë 3.3% e eksporteve dhe vijnë 1.5% e importeve, ndërsa me Malin e Zi këto shifra janë përkatësisht  1.95 dhe 0.38%. Me Maqedoninë, vendi ka një deficit tregtar të lehtë, ndërsa me Malin e Zi, eksportet janë pak më të larta sesa importet.

Në katërmujorin e parë të vitit 2022, balanca tregtare me Maqedoninë u përmirësua ndjeshëm, (ishte në suficit me një vlerë prej 1,3 miliardë lekësh). Importet nga Maqedonia dominohen nga grupi i lëndëve djegëse, mineralet dhe energjisë dhe materialet e ndërtimit etj, ndërsa eksportet shqiptare në Maqedoni në katër-mujorin e parë të vitit 2022 ishin: hekuri, lëndët djegëse, energjia dhe zarzavatet.

Bilanci tregtar  si paraqitet ne vendet e ballkanit perendimor:

Rezultatet e analizave në lidhje me bilancin tregtar  mbi  vitet e analizuara  tregojne se vetëm Serbia ka suficit tregtar, të gjitha vendet e tjera janë importues neto të mallrave bujqësore. Serbia është eksportuesi numër një i bujqësisë në rajon. Kroacia është importuesi më i madh i ndjekur nga BIH dhe  Serbia.  I gjithë ballkani perëndimor ka një mesatare të eksporteve për frymë prej 2,411 dollarë. Ne vendet e rajonit ballkanik, eksportet më të larta për frymë i ka Mali i  Zi, ku gjatë 2017-s ato llogariteshin sa 3,022 dollarë, i ndjekur nga pas nga Serbia me 2,944 dollarë dhe Maqedonia e Veriut  me 2900 dollarë.  Për 2017-n eksportet në 11 vendet më të zhvilluara llogariteshin 8,687 dollarë

Si paraqitet konkurrueshmëria e tregtisë agro-ushqimore të ballkanit perendimor në tregun botëror:

Nga analiza dhe studime te bera mbi strukturën e eksportit dhe importit të vendeve të Ballkanit, arrihet në një përfundim se:

- Eksportet ballkanike janë shumë të përqendruara sipas grupeve të produkteve

- Vendet gjatë periudhës së analizuar nuk e ndryshojnë shumë modelin e tyre të eksportit, që do të thotë se ato në përgjithësi eksportojnë të njëjtat grupe produktesh për periudhën  15- 20 -vjeçare.

- Disa nga vendet ruajnë pozicionin konkurrues në tregjet e eksportit, ndërsa të tjerët nuk e bëjnë këtë.

- Në terma nga importet, vendet importojnë numër më të madh të grupeve të produkteve sesa eksportojnë, me një import model që nuk ndryshon shumë nga viti në vit.

Disa nga Grupet e produkteve më të eksportuara janë: Grupi i produkteve 24 (duhani dhe duhani i përpunuar zëvendësuesit), Grupi i produkteve 22 (Pije, pije alkoolike dhe uthull), Grupi i produkteve 12 (Farat e vajit dhe fruta me vaj, drithëra të ndryshme, fara dhe fruta, bimë industriale ose mjekësore,), Grupi i produkteve 7 (Perime ushqimore dhe disa rrënjë dhe zhardhokë), dhe disa prej tyre Grupi i produkteve 10 (drithëra), 8 (Fruta dhe arra të ngrënshme, lëvozhga e agrumeve ose pjeprit), etj.

Problematikat kryesore:

Arsyet pse niveli i shkëmbimeve ndërmjet vendeve të Ballkani Perendimor është kaq i ulët mund të jenë të shumta, ndër to edhe struktura e prodhimit mund të jetë një arësye e fortë, por disa problematika të identifikuara tashmë po i rradhisim në vijim.

- Kostot e trasportit për njësi të eksportuar në këto vende variojnë nga 65 USD në 232 USD ndërkohë që vendet e tjera të Ballkanit lindor që janë tashmë pjesë e BE i kanë vetëm 34 USD.

- Koha e konsumuar në eksport për vendet e Evropes Lindore, anëtare të BE është 5 orë, ndërkohë që në vendet e Ballkanit përëndimor mund të arrijë deri në disa fish më shumë se kaq

Eshtë e rëndësishme të përmendet është se vendet e Ballkanit janë kryesisht eksportues të lëndës së pare materialeve dhe importuesve të mëdhenj të produkteve të përpunuara, që nxjerr në pah rolin e zvogëluar të industritë e përpunimit të ushqimit në ato vende.

Së fundi, në një analizë mbi Ballkani Perendimor Komisioni Evropian (2018) konkludon se problematikat kryesore të tregtisë ndërrajonale në Ballkani Perendimor mbeten pengesat jo-tarifore kryesisht në tre kategoritë kryesore:

1) pengesat teknike të tregtisë;

2) masat fitosanitare dhe sanitare; 

3) pengesat administrative të tregtisë.

Këshillime të tjera