15.03.2023

Skemat kombëtare të mbështetjes së bujqësisë

Aplikimet për skemat kombëtare të mbështetjes së bujqësisë parashikohet të fillojnë me datë 20 Mars 2023. Përfitues janë fermerët e serrave dhe tuneleve plastike, vreshtave, blegtorët, bletarët, peshkatarët dhe atyre që aplikojnë për certifikimet Global Gap dhe Organike.

Ndërkohë, skemat e vitit 2023 përfshijnë edhe grande për investime në asete fikse për ndërtimin e tregjeve bujqësore dhe të kafshëve të gjalla dhe thertoret. Gjithashtu pjesë e skemave të mbështetjes do të jenë edhe trajnimet dhe transferimi i njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural nga UBT.

Këto investime mund të bashkë financohen edhe nga instrumentat e fondit të garancisë së BERZH dhe Qeverisë Shqiptare, nëpërmjet bankave partnere dhe institucioneve mikro-financiare.

Kush do të jenë aktivitetet bujqësore e përfshira dhe përfituesit e skemave mbështetëse për vitin 2023 ?

1) Përfitues do të jenë fermerë që ushtrojnë aktivitete në bujqësi, blegtori dhe peshkim, për si më poshtë:

a) Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, në vlerën deri në 10,000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt;

b) Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën deri në 1,200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt;

c) Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1,000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150,000 (njëqind e pesëdhjetë) mijë lekë për subjekt;

ç) Mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera, në vlerën deri në 200,000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individualë ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 1 500,000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për aplikant;

d) Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100,000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë 150,000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150,000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200,000 (dyqind mijë) për fermë të certifikuar;

dh) Implementimi dhe certifikimi Global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore:

-     por jo më shumë 175,000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha;

-     por jo më shumë se 500,000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 (dhjetë) ha në fushë të hapur.

e) Për rinovimin e infrastrukturës së anijes së peshkimit, masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 13,500,000 (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20,000,000 (njëzet milionë) lekë për subjekt. Rinovimi i anijes së peshkimit përfshin:

-   Blerjen dhe instalimin e motorit kryesor, por jo më shumë se 7,000,000 (shtatë milionë) lekë;

-   Blerjen dhe instalimin e motorit ndihmës (gjeneratori detar), por jo më shumë se 1,000,000 (një milion) lekë;

-   Blerjen dhe instalimin e vinçit të anijes, por jo më shumë se 3,500,000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekë. Vinçi përfshin edhe agregatet, hidromotorin, pompë vaji friksion, multiplikator dhe tubacionet;

-   Blerjen dhe instalimin e kamios (koplunit), por jo më shumë se 3,000,000 (tre milionë lekë);

-   Riparimin e përgjithshëm të anijes, por jo më shumë se 9,000,000 (nëntë milionë) lekë. Në riparimin e përgjithshëm, përveç zërave të përcaktuar në dokimin periodik, përfshihen dhe zëvendësim llamarine ose ndërrim dërrase;

-   Dokimin periodik të anijes, por jo më shumë se 3,000,000 (tre milionë) lekë. Dokimi periodik përfshin ngritjen dhe uljen nga kantieri, pastrimin dhe heqjen e bojës së vjetër, blerje boje, stuko, protektor (zinqe), riparim aksi helike.

2)  Ndërtim tregjesh për produktet bujqësore, tregjet e kafshëve të gjalla dhe thertoret

Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore, tregjeve të kafshëve të gjalla ose thertoreve për shoqëritë tregtare me kapital 100% shtetëror, të zotëruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në vlerën jo më shumë se 30,000,000 (tridhjetë milionë) lekë për subjekt, nëpërmjet transferimit të fondit nga llogaria ekonomike 606 në llogarinë ekonomike 604 “Të tjera transferta të brendshme”. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ekzekuton transferimin e fondit përkatës te bashkia përkatëse, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e këtij fondi.

 

3)  Mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara, për si më poshtë:

-   Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, në vlerën deri në 1,328,000,000 (një miliard e treqind e njëzet e tetë milionë) lekë.

-   Subjektet përfitues mbështeten me sasi nafte falas në barasvlerë të lehtësimit fiskal të naftës, që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, sipas kritereve dhe masës së përfitimit, të përcaktuara në këtë vendim.

-   Kulturat bujqësore/grup kulturat, normativat e konsumit të naftës dhe sasia respektive e naftës, që përfitohet falas, janë sipas aneksit te ketij vendimi. Çmimi referencë për naftën llogaritet nga çmimi i publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, i Agjencisë së Prokurimeve Publike (rubrika “Të dhëna për karburantet), me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Subjektet përfitues duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

1. Të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës;

2. Madhësia totale e fermës duhet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha;

3. Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë, bëhet “on-line”, në portalin “e-Albania”, me vetëdeklarim;

Përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet është, si më poshtë vijon:

-       100% e sasisë për subjektet me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra, referuar aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

-       subjektet me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen deri në 10ha, përfitojnë sasitë, sipas përcaktimit të nëndarjes te mesiprme, të kësaj pike, ndërsa për pjesën tjetër mbi 10 ha përfitojnë sasinë e naftës me normativë të reduktuar. Normativa e reduktuar përllogaritet bazuar në nevojat për naftë të subjekteve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar, si dhe në sasinë e mbetur të naftës në dispozicion, pasi janë plotësuar nevojat deri në 10 ha të të gjithë subjekteve, që janë kualifikuar si përfitues.

4) Trajnimi dhe transferimi i njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural nëpërmjet fermave model (ferma demonstrimi) nga Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), në vlerën deri në 30,041,000 (tridhjetë milionë e dyzet e një mijë) lekë.

Përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, janë fermerët, personat fizikë, personat juridikë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), grupet vendore të veprimit (GVV) dhe UBT-ja.

Roli i institucionit mikro-financiar NOA në mbështetje të fermerëve aplikues në skemat kombëtare

- Të gjithë fermerët që plotësojnë kriteret e përfitimit mund të paraqiten pranë degëve të NOA-s, me kartën e identitetit dhe fjalë-kalimin në sistemin e-albania për të aplikuar në skemat kombëtare.

- Fermerët që kërkojnë financim paraprak për të zbatuar investimin e aplikuar si psh. Certifikimi organik, Global Gap, investimet në masat e peshkimit apo ato që kërkojnë të investojnë në blerjen e gjësë së gjallë për të plotësuar numrin e krerëve të lejuar, do të përfitojnë një paketë preferenciale kredie nga NOA.

Këshillime të tjera