08.04.2023

Panairet tregtare & rëndësia e tyre

Shqipëria ka një historik të pasur të pjesëmarrjes në panairet ndërkombëtare. Që në vitet’20 ka marrë pjesë në panairet ndërkombëtare që mbaheshin në Itali e Greqi.

Si në panairin e Barit (Fiera del Levante ), ashtu edhe në Panairin e Selanikut ajo ka pasur një pjesëmarrje të konsiderueshme me pavione, dhe përfaqësohej rregullisht me produktet bujqësore e blegtorale si dhe me ato të artizanatit.

Në vitin 1931 Shqipëria do të kishte një pjesëmarrje me një numër më të lartë pavionesh, me 31 të tillë duke mbajtur vendin e tretë sa i përket numrit të tyre. Vendin e parë e mbante Bullgaria me 74 pavione e ndjekur nga Hungaria me 51 të tillë.

Panairet përbëjnë një nga mundësitë që kompanitë mund të shfrytëzojnë për tu ekspozuar me mallrat dhe shërbimet e tyre dhe për të marrë eksperienca nga të tjerët. Është e rëndësishme që kompania juaj tu prezantohet klientëve potencial në mënyrë profesionale.

Më në detaje, panairi paraqet një ekspozitë të organizuar në mënyrë që kompanitë e një sektori të veçantë të industrisë, bujqësisë, etj. mund të shfaqin dhe të demonstrojnë produktet dhe shërbimet e tyre të fundit, ku të takohen me partnerët e industrisë dhe të konsumatorëve, të njihen me aktivitetet e konkurentëve, dhe të shqyrtojnë tendencat dhe mundësitë tregtare të kohëve të fundit.

Llojet kryesore të panaireve

Panairet janë të ndryshme në natyrë dhe qëllim dhe në varësi të kohëzgjatjes së aktivitetit. Ato mund të jenë të përhershme dhe të mbajtura periodikisht.

Këto të fundit janë në intervale të rregullta, afërsisht në të njëjtën kohë. Në varësi të specializimit të produktit, ekzistojnë panaire të specializuara dhe universale.

Panairet e specializuara organizohen me pjesëmarrjen e një grupi të caktuar sektorësh të ekonomisë kombëtare. Ata ofrojnë produkte të një ose më shumë grupeve të produkteve që lidhen me njëra tjetrën. Një numër i madh prodhuesish dhe tregtarësh me shumicë marrin pjesë në panaire universale, në këtë rast ofrohet një gamë e gjerë e produkteve ushqimore dhe joushqimore.

Në bazë territoriale kemi :

-  Panairet Ndërkombëtare,

-  Panairet Kombetare ,

-  Panairet Rajonale

-  Panairet Ndër - rajonale.

Firmat e huaja mund të veprojnë si pjesëmarrëse në panairet ndërkombëtare së bashku me prodhuesit vendas dhe tregtarët me shumicë. Prodhuesit vendas dhe tregtarët me shumicë marrin pjesë edhe në panairet Kombëtare dhe ku ofrohen mallra të prodhuara në vend.

Panairet rajonale dhe ndër-rajonale që kanë rëndësi lokale zakonisht ofrojnë produkte të traditës nga prodhues vendas.p.sh në vendin tonë disa nga panairet Kombëtare apo dhe lokale janë AgroTech Expo 2022, Edicioni i III-të i organizuar nga Expocity “Albania,“Panairi Ndërkombëtar i Mobilerisë “SHQIPËRIA 2022” organizuar nga AlbExpo, Panairi “Shijo produktet lokale”, Tiranë, Panairet Dita e Verës, Elbasan dhe Panairi," Festa e Mandarinës”, Konispol, ku ka marrë pjesë edhe NOA, Panairi i Mollës, Korçë, Panairi i Midhjes, Sarandë, etj.

Panairet tregtare në ndryshim nga panairet e konsumatorëve ose mallrave te konsumit, vetëm disa janë të hapura për publikun, ndërsa në të tjerat mund të marrin pjesë vetëm përfaqësuesit e ndërmarrjeve (anëtarët e tregtisë, p.sh. profesionistët) dhe anëtarët e shtypit, prandaj ekspozimet tregtare të këtij lloji klasifikohen ose "publike" ose "vetëm tregtare".

Disa panaire janë hibride të të dy llojeve; një i tillë është Panairi i Librit në Frankfurt, i cili për tri ditë ka karakter tregtar ndërsa për dy ditët e fundit është i hapur për publikun e gjerë.

Këto lloj eventesh mbahen në mënyrë të vazhdueshme në pothuajse të gjitha tregjet dhe normalisht tërheqin kompani nga e gjithë bota.

Për shembull, në SH.B.A., aktualisht ka mbi 10,000 panaire tregtare që mbahen çdo vit, që kanë krijuar edhe disa mundësi në internet për të ndihmuar organizatorët, pjesëmarrësit dhe tregtarët që të hulumtojnë dhe identifikojnë tendencat dhe ngjarjet e duhura ekonomiko- tregtare.

Shqipëria vijon të jetë pjesë e shumë panaireve ndërkombëtare, kryesisht në ato të agro-përpunimit, tekstil-këpucë, turizmit, etj. të organizuar me ndihmën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë Shqiptare të Investimeve të Huaja (AIDA).

Këshillime të tjera