16.05.2023

Objektiva të Politikës së Përbashkët Bujqësore (PPB) të Bashkimit Europian për vitet 2023-2027

Aktualisht një nga rolet e BE-së është të inkurajojë aspiratat e Ballkanit për anëtarësim duke ndihmuar vendet të kuptojnë pse dhe si vlerat e unionit do të përmirësojnë standardin e jetesës si për secilin vend ashtu edhe për unionin në tërësi. Përafrimi me BE-në mbetet një nga projektet kryesore ekonomike dhe politike për Ballkanin Perëndimor (BB), përfshirë edhe Turqinë. Korniza e ndryshimit të politikave mund të ketë ndikime të gjera për zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi dhe të sektorit të bujqësisë në veçanti.

Politika e Përbashkët Bujqësore (PPB) të BE-së për vitet 2023-2027 është bazuar në performancën dhe rezultate të ndërtuara nga dhjetë objektivave, të cilat përcaktojnë planet strategjike të PPB në vendet e BE-së. Këto objektiva kombinojnë ndërhyrje të synuara që adresojnë nevoja specifike dhe përmbushin objektivat e nivelit të BE-së. Për periudhën 2023-2027, Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP/PPB) është ndërtuar nga dhjetë objektiva kyçe. Të fokusuara në qëllime sociale, mjedisore dhe ekonomike, këto objektiva janë baza mbi të cilën vendet e BE-së kanë hartuar planet e tyre strategjike të PPB, por edhe vendet kandidate duhet ti konsiderojnë në planet e tyre zhvillimore.

Objektivat në programin e ri të Politikës Bujqësore Europiane përmbajnë këto ndërhyrje kryesore:

1). Sigurimi i të ardhura të drejta për fermerët;

2). Rritja e konkurrencës;

3). Përmirësimi i pozitës së fermerëve në zinxhirin ushqimor;

4). Ndërhyrje ndaj ndryshimeve klimatike;

5). Kujdesi mjedisor;

6). Ruajtja e peizazhit natyror dhe biodiversitetin;

7). Mbështetje për rinovimin e gjeneratave;

8). Mbështetje të zonave rurale;

9). Mbrojtje të cilësisë së ushqimit dhe të shëndetit;

10). Rritje të njohurive dhe inovacionit.

1). Të ardhura të drejta për fermerët

Ky objektiv synon në mbështetjen e të ardhurave të qëndrueshme të fermave dhe elasticitetin e sektorit bujqësor në të gjithë BE-në, në mënyrë që të rritet siguria ushqimore afatgjatë dhe diversiteti bujqësor, si dhe të sigurohet qëndrueshmëria ekonomike e prodhimit bujqësor.

2). Konkurrueshmëria

Ky objektiv synon në rritjen e orientimit të tregut dhe konkurrencës së fermës si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë, duke patur fokus më të madh në kërkimin, teknologjinë dhe dixhitalizimin.
Ky objektiv përmban një numër masash dhe politika që janë të disponueshme për të nxitur fitimet dhe produktivitetin në bujqësinë e BE-së, të tilla si programet e kërkimit dhe inovacionit, teknologjitë e reja, zhvillimi dhe infrastruktura rurale, sistemet efikase të këshillimit dhe trajnimi i vazhdueshëm për menaxherët e fermave.

3). Zinxhiri Ushqimor

Ky objektiv synon në përmirësimin e pozicionit të fermerëve në zinxhirin e vlerës ushqimore. Bujqësia vërehet në stanjacion në të gjithë zinxhirin, për shkak të kostove të larta të inputeve, variacionit në prodhim dhe përfshirjes së shërbimeve të reja.
Kjo ndërhyrje shqyrton se si PPB (2023-2027) mund të forcojë pozicionin e fermerëve përmes masave të tilla si forcimi i bashkëpunimit midis fermerëve, rritja e transparencës së tregut dhe sigurimi i mekanizmave efektivë kundër praktikave të padrejta tregtare.

4). Ndryshimet klimaterike

Ky objektiv do ndikojë në zbutjen dhe përshtatjen e ndryshimeve klimatike, duke përfshirë reduktimin e emetimeve të gazrave serrë dhe rritjen e karbonit, si dhe promovimin e energjisë së qëndrueshme.
Bujqësia e BE-së ka një rol kyç për të ndihmuar në arritjen e angazhimeve të marrëveshjes së Parisit dhe strategjive të BE-së për qëndrueshmërinë dhe bioekonominë, duke rritur ambicien e saj në drejtim të emetimeve të gazrave serrë.
Kjo masë shqyrton rolin që mund të luajë bujqësia në reduktimin e emetimeve të gazrave serrë nëpërmjet teknikave të reja të menaxhimit të fermave dhe tokës. Për më tepër, ajo eksploron rrezikun që ndryshimi i klimës paraqet për bujqësinë.

5). Kujdesi mjedisor

Ky objektiv synon në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe menaxhimit efikas të burimeve natyrore si uji, toka dhe ajri, duke përfshirë reduktimin e varësisë kimike.
Toka bujqësore në BE përmban ekuivalentin e 51 miliardë tonë CO2, që është dukshëm më shumë se gazrat serrë të emetuara çdo vit nga vendet e BE.
Kjo ndërhyrje fokusohet në tokë si një nga burimet natyrore më të rëndësishme, që furnizon me lëndë ushqyese thelbësore, ujë, oksigjen dhe mbështetje për bimët. Ajo gjithashtu shqyrton shqetësimet që lidhen me shëndetin e tokës dhe thekson rëndësinë e politikave që promovojnë mbrojtjen e tokës.

6). Peisazhi Natyror

Ky objektivi synon ndalimin dhe rregullimin e dëmit ndaj biodiversitetit, përmirësimin e shërbimeve të ekosistemit dhe ruajtjen e habitateve dhe peisazheve.
Kjo ndërhyrje trajton temën e biodiversitetit brenda BE-së, me një fokus të veçantë në lidhjet e tij me peisazhin bujqësor dhe vetëtiparet e peisazhit. Me këtë fokus, ajo synon disa ndryshime të nëvojshme në sektorin e fermave dhe shpjegon masat  përkatëse të përshkruara në PPB.

7). Përfshirja e gjeneratës së re

Ky objektiv synon të tërheqë dhe mbështes fermerët e rinj dhe lehtësimin e zhvillimit të qëndrueshëm të biznesit në zonat rurale.
Sektori bujqësor ka nevojë për fermerë të rinj të aftë dhe novatorë për t'iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë, nga ushqimi cilësor deri tek të mirat publike mjedisore.

8). Zonat Rurale

Ky objektiv synon në promovimin e punësimit, rritjes, barazisë gjinore, duke përfshirë pjesëmarrjen e grave në bujqësi, përfshirjen sociale dhe zhvillimin lokal në zonat rurale.
PPB/CAP luan një rol të madh në zbutjen e papunësisë dhe varfërisë në zonat rurale.  Në një studim të fundit nga Banka Botërore paraqitet roli pozitiv që luan politika bujqësorë në uljen e varfërisë.
Kjo ndërhyrje i jep theksin rolit të PPB në ekonominë rurale duke siguruar një mbështetje të të ardhurave dhe shpenzimeve për zhvillimin rural për të ndihmuar në ruajtjen e normave të punësimit dhe standardeve të jetesës.

9). Ushqim dhe Shëndet

Ky objektiv synon në përmirësimin e ndikimit të bujqësisë së BE-së ndaj kërkesave të shoqërisë për ushqim dhe shëndet, duke përfshirë ushqimin me cilësi të lartë, të sigurt dhe me vlera ushqyese të prodhuar në mënyrë të qëndrueshme, për të reduktuar mbetjet ushqimore, si dhe për të përmirësuar mirëqenien e kafshëve dhe për të luftuar rezistencën antimikrobike.

10). Njohuri dhe Inovacion

Ky objektiv synon në modernizimin e bujqësisë dhe zonave rurale përmes nxitjes dhe ndarjes së njohurive, inovacionit dhe dixhitalizimit, duke inkurajuar përthithjen e tyre nga fermerët përmes përmirësimit të aksesit në kërkime, inovacione, shkëmbim njohurish dhe trajnime.
Mbështetja për shkëmbimin e njohurive, trajnimin, këshillimin dhe inovacionin është thelbësore për sigurimin e bujqësisë, pylltarisë dhe zonave rurale të qëndrueshme.

Këshillime të tjera