Pyetje të shpeshta
Kush mund të investojë në këto obligacione?
Në këto instrumenta mund të investojnë të gjithë pa përjashtim: Çdo person fizik, juridik (individ dhe biznes), institucion apo njësi tjetër ekonomike.
Ku duhet të drejtoj kërkesën për investim?
Kërkesat për investim në obligacione mund të drejtohen në çdo degë të NOA sh.a si dhe në 10 degë të Banka Credins sh.a të specifikuara në prospekt.
Sa është kohëzgjatja e periudhës së ofertës gjatë së cilës pranohen kërkesat për investim?
Periudha e ofertës gjatë së cilës pranohen kërkesat për investim është 24 Maj 2023-21 Qershor 2023.
Sa është çmimi i një obligacioni?
Gjatë periudhës së ofertës çmimi i një obligacioni është 500.000 Lekë, sa vlera nominale e tij. Instrumentat do të emetohen me vlerë nominale (par value).
Sa është vlera Nominale e një obligacioni?
Një Obligacion me vlerë nominale 500.000 Lekë; kjo përfaqëson vlerën që investitori do të marrë në datën e maturimit të obligacionit.
Sa është interesi i investimit në këto obligacione?
Interesi (kuponi) i obligacioneve është 8% në vit dhe paguhet çdo 6 muaj në çdo datë 23 Dhjetor dhe 23 Qershor.
A do të jetë ky titull i listuar në Bursë?
Ky obligacion do të listohet në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE pas emetimit të tij. Çdo transaksion shit-blerje me këtë titull, pas listimit të tij, do të mund të realizohet në Bursë.
Si duhet të veproj për të shitur titullin para datës së tij të maturimit?
Për të shitur obligacionin para maturimit të tij duhet t’i drejtoheni një Banke apo shoqërie komisionere anëtare në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE. Banka/shoqëria komisionere do të vendosë urdhërin dhe/ose ekzekutojë transaksionin sipas porosisë së investitorit.
Si përcaktohet çmimi me të cilin mund të shes këtë obligacion para datës së maturimit?
Çmimi i shit-blerjes së këtij obligacioni në treg sekondar (Bursë) përcaktohet nga kërkesa dhe oferta për këtë titull. Çmimi i shitjes para maturimit të tij mund të rezultojë më i ulët ose më i lartë se çmimi i blerjes së tij gjatë periudhës së ofertës prej 500.000 Lekë.
A ka rreziqe investimi në këtë titull?
Si çdo investim tjetër edhe investimi në këtë titull shoqërohet me rreziqe. Në Prospektin e Obligacioneve trajtohen gjerësisht rreziqet që lidhen me emetuesin NOA sh.a si dhe rreziqet specifike që lidhen me titullin.
Cila është forma e këtyre instrumentave dhe ku do të jenë të regjistruar ata?
Këto obligacione janë të dematerializuara dhe regjistrohen pranë Regjistrit Shqiptar të Titujve ALREG.