Trajnime për pronarët e bizneseve, menaxherët dhe punonjësit e bizneseve të tekstileve dhe lëkurës

a) Trajnime për pronarët e bizneseve të nvm-ve

Një nga objektivat më të rëndësishme të projektit FALP është ofrimi i Asistencës Teknike /Trajnimeve  për tre nivele të ndryshme të stafit të bizneseve që kanë marrë financime për biznesin e tyre, por edhe për klientët e tjerë potencialë. Kështu, në bashkëpunim me Shoqatën Pro Eksport Albania” dhe me mbështetjen e USAID-it, në datën 19 maj 2023 kanë nisur trajnimet e para për “Sektori i Këpucëve dhe Veshjeve”. Sesioni i parë është pasuar nga katër sesione të tjera trajnimi gjatë muajve në muajt Maj dhe Tetor 2023. Këto trajnime janë realizuar nga një ekspert i huaj, me mbi 20 vite eksperiencë në fushën e shitjeve, marketingut dhe diversifikimit të portofolit të biznesit. Gjatë trajnimeve u trajtuan këto tematika:

  • Si të jemi më konkurrues në tregjet ndërkombëtare
  • Si të diversifikoni produktet tuaja
  • Si të rritet financimi i Sektorit
  • Si të konsolidohet roli i Shoqatës së Prodhimit/Veshjeve/Këpucëve.
  • Si të tregtoni produktet

Pjesëmarrës në këto sesione trajnuese ishin 47 pronarë të bizneseve të NVM-ve të cilët treguan interesim të lartë për tematatikat e zhvilluara gjatë trajnimeve, si dhe kanë parashtruar pyetje të ndryshme të cilat lidhen me punën e tyre në përditshmëri.

Seanca të tjera janë planifikuar të organizohen gjatë muajve të ardhshëm.

b) Trajnim për menaxherët dhe punonjësit e nvm-ve

Gjatë muajve Korrik, Shtator dhe Tetor 2023, pranë ambienteve të bizneseve të NVM-ve u realizuan një sërë trajnimesh për stafet e bizneseve (punonjësit dhe Drejtues Operacionalë) në qytetet:Tiranë, Durrës, Elbasan etj. Këto trajnime u realizuan nga një numër ekspertësh kombëtar në fushën e tekstilit. Numri i përgjithshëm i NVM-ve, stafi i të cilave ka marrë trajnime ishte 13 NVM me një numër total prej më shumë se 570 punonjës. Trajnimet përfshinë tematika në fushat e bashkëpunimit në vendin e punës, produkteve cilësore, menaxhimit të cilësisë, teknikave për përmirësimin e produktivitetit dhe prodhimit të pastër, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe sigurinë, shëndetin në vendin e punës, më konkretisht:

  • Temat e trajtuara gjatë trajnimeve ishin:
  • Puna në ekip
  • Aftësi për të punuar me cilësi dhe standarde
  • Aftësi për të zgjidhur problemet, aftësi për të marrë vendime, aftësi për të planifikuar dhe koordinuar
  • Aftësi për të bërë llogaritje dhe për të interpretuar grafikët

Sa i përket Drejtuesve Operacionalë, tematikat e trajtuara ishin:

  • Menaxhimi i biznesit dhe punonjësve, aftësitë drejtuese dhe zgjidhja e problemeve
  • Aftësia teknologjike për procesin e prodhimit dhe tendencat e reja
  • Njohuri mbi ligjet, sigurinë në punë, tregjet e reja dhe rregulloret e BE-së  

Kompanitë e tekstileve dhe lëkurës në Shqipëri po përballen me shumë vështirësi. Çelësi kryesor që këto kompani të qëndrojnë në tregun e BE-së, është prodhimi i artikujve me cilësi të lartë dhe dorëzimi në kohë të shkurtër i porosive tek klienti.

Kompanitë shqiptare duhet të jenë të qëndrueshme, ndaj është e nevojshme që ato të ndryshojnë konceptin e prodhimit dhe të kalojnë në prodhim me qark të mbyllur. Prodhimi “Made in Albania” është ende në fazat e para. Janë shumë pak kompani që e kanë përqafuar këtë koncept të prodhimit.

Duke qenë se Shqipëria është kandidate për në BE, për të qëndruar në tregun e BE-së, duhet të nisë zbatimin e direktivave të BE-së për produktet e gjelbra dhe eko. Kjo do të thotë të investosh në teknologji të reja, prodhim të gjelbër dhe trajnim të fuqisë punëtore.