Historiku
Që prej themelimit në vitin 1998 dhe deri më sot, NOA i shërben një objektivi unik: zhvillimit financiar dhe ekonomik të vendit tonë.
Duke financuar ngritjen dhe zgjerimin e aktivitetit të bizneseve dhe të fermerëve shqiptarë, NOA synon të kontribuojë drejtëpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetesës për mijëra familje që përfitojnë nga rritja e të ardhurave, nga vendet e reja të punës, nga rritja e aktivitetit ekonomik, si në qytetet ashtu në zonat rurale të vendit. Në këto 25 vite aktivitet, NOA ka provuar se ky model biznesi, financimi i sipërmarrësve dhe fermerit të vogël, kreditim i shpejtë dhe pa burokraci për këtë segment të ekonomisë shqiptare, sjell zhvillim e mirëqënie, si dhe përmirësim të jetesës në familjet shqiptare.
Të themeluar nga USAID dhe transformuar në vitin 2010 si NOA sh.a, institucioni ka si qëllim kryesor përmirësimin e jetës së shqiptarëve duke përmbushur ambiciet e tyre për zhvillim financiar, nëpërmjet vetë-punësimit, zhvillimit të pronës familjare bujqësore, krijimit të një biznesi të vogël apo zgjerimit të aktivitetit sipërmarrës. NOA beson tek forca e tregut për të bërë mirë, për të gjeneruar pasuri e mirëqënie sociale për të gjitha shtresat, tek aksesi i gjerë në financë, tek një konkurrencë e lirë dhe e ndershme për të gjithë.
Që në krijim misioni ynë është ai i fuqizimit të bizneseve, fermerëve dhe familjeve shqipëtare, duke qenë partner afatgjatë i klientëve tanë në rrugëtimin e tyre sipërmarrës, për të zhvilluar më tej ambicjet në përmbushjen e ëndërrave të tyre sipërmarrëse.
NOA operon në tregun e mikrofinancës shqiptare mbështetur nga një infrastrukturë moderne, një model operacional unik, dhe një staf profesional që vendosin mbi gjithçka vlerat e transparencës, cilësisë së shërbimit, shpejtësisë dhe sigurisë. Ekspertiza dhe niveli i lartë teknologjik për të cilin është investuar ndër vite, i mundëson NOA-s një trajtim shumë herë më të shpejtë se sektori bankar të çdo kërkese për kredi, pavarësisht kanalit të zgjedhur nga klienti: aplikim online, aplikim në terren falë stafit tonë mobile pajisur me tableta elektronike, apo aplikim fizik pranë rrjetit të degëve të NOA-s, thjesht me një ID os me dokumentacion minimal. Ky model, i shoqëruar me një procedurë të centralizuar aprovimi si dhe me një kuadër ligjor solid e të sprovuar, i ka mundësuar NOA-s rritjen e një portofoli kredie me cilësi të lartë si në terma impakti ashtu dhe kthimi.
Me mbi 300 punonjës, NOA injekton çdo vit rreth 30 milion euro në ekonominë e vendit tonë, drejtuar sipërmarrësve të vegjël, bizneseve të konsoliduara apo atyre në hapat e parë, fermerëve si dhe agro-përpunuesëve, çdo individi që ka besim tek vetvetja dhe që sistemi bankar nuk u ofron një zgjidhje financiare të adaptuar. Këto fonde nuk janë donacione publike por linja financimi private dhe të dedikuara sipërmarrjes e bujqësisë që aksesohen vetëm nëpërmjet tregjeve financiare private europiane.
Në NOA, i gjithë stafi angazhohet për të ofruar një shërbim “Shpejt dhe Lehtë”, kurdo dhe kudoqoftë klienti ynë, banues i zonave urbane apo atyre rurale. Kjo vjen pasi NOA mbulon me shërbimin e saj financiar, rreth 90% të të gjithë territorit të Shqipërisë dhe është e specializuar të trajtojë financime në sektorë të tillë si prodhimi, përpunimi, bujqësia, blegtoria, tregtia, turizmi dhe shërbimet, vetëm me një ID ose me dokumentacion minimal. Ky investim ka bërë që NOA të zhvillojë ndër vite një portofol të diversifikuar kredie i cili është kryesisht në monedhën vendase, duke menaxhuar kështu vetë riskun e këmbimit dhe mbrojtur klientin.
Përveç angazhimit në strategji afatgjata e të qëndrueshme, certifikimit sipas Kodit Europian të sjelljes së mirë në Mikrofinancë, mirë-menaxhimit të burimeve të kompanisë falë angazhimit të një stafi tejet profesional, apo dhe mbështetjes në një ekspertizë ndërkombëtare si një kompani me kapital totalisht të huaj, rritja dhe soliditeti i NOA-s i atribuohen gjithashtu edhe partnerët strategjikë me reputacion, ndërkombëtar dhe vendas, të cilët janë faktorë të rëndësishëm në industrinë e mikrofinancës në rajon si: BERZH, OMP, BKT, Responsibility Global Microfinance Fund, EFSE, BSTDB, Oiko Credit, Blue Orchard, Societe Generale, International Commercial Bank, Tirana Bank, First Investment Bank, etj.
KUJTESË!
*Të gjitha të dhënat në lidhje me kompaninë mund të gjenden në faqen zyrtare të QKB duke përdorur niptin K11604002V