03.11.2023

Cilat tregje të huaja kanë potencial për eksportuesit shqiptarë

Përpara se të futeni në tregtinë me jashtë, pra të eksportoni në shkallë rajonale apo dhe globale, duhet të identifikoni tregjet e huaja që kanë më shumë gjasa t'i përgjigjen ofertës suaj dhe të përcaktoni tregjet tuaja të synuara.
Kjo do të kërkojë një pasqyrë të qartë të tregjeve, dhe për këtë do t'ju duhet të bëni kërkime të tregut të eksportit sipas vendeve dhe potencialeve të pashfrytëzuara që ka vendin ynë me to.
Dhe padyshim e rëndësishme është që të kemi një pasqyrë të përgjithshme të mundësive dhe potencialeve që ka vendi ynë me partnerët kryesorë në rajon dhe më gjerë, gjë që do të lehtësojë padyshim realizmin e objektivave tuaja për një eksport të suksesshëm.

Cilat janë potencialet e eksportit të Shqipërisë në vendet e rajonit dhe më gjerë?

Shqipëria është një qendër rajonale transporti, me portet e Durrësit dhe Vlorës të lidhura me rrjetin rrugor europian, duke ofruar akses në transportin detar për fqinjët në ballkan pa dalje në det.
Shqipëria ka potenciale në bujqësi, manifakturë, turizëm dhe sektorët e naftës dhe gazit që bazohen në burimet natyrore, fuqinë punëtore me kosto të ulët si dhe afërsinë me tregjet evropiane. Pavarësisht sfidave të saj, ekonomia në zhvillim e Shqipërisë ofron mundësi të rëndësishme për eksportet dhe investime në një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë energjinë, kujdesin shëndetësor, turizmin, telekomunikacionin dhe TIK-un, infrastrukturën dhe ndërtimin, dhe përpunimin e ushqimit.
Për më tepër, Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të vitit 2006, e cila zgjeron aksesin e saj në tregjet e BE-së; ka një marrëveshje të tregtisë së lirë (MTL) me Turqinë; është nënshkruese e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA); së bashku me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovën, Moldavinë, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Cilat janë eksportet kryesore të Shqipërisë?

Ecuria e mirë e eksporteve dhe importeve luan një rol të rëndësishëm në prespektivën dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit, si dhe në bilancin tregtar, me qëllim që t`i bëjë ballë edhe konkurencës ndërkombëtare. Në vitin 2021, eksportet kryesore të Shqipërisë ishin këpucë lëkure 589.7 milion USD (18% e eksporteve totale), lëndët djegëse minerale duke përfshirë naftën: 408.8 milionë dollarë (12.5%), veshje, aksesorë (të thurura me grep ose jo): 302.9 milionë dollarë (9.2%) , shufra hekuri të papërpunuara: 232.9 milionë dollarë (7.1%), makineri, pajisje elektrike: 209.7 milion dollarë (6.4%), perimet: 74.9 milionë dollarë (2.3%).

Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë

Të dhënat më të fundit të disponueshme për vendet specifike tregojnë se 87.4% e produkteve të eksportuara nga Shqipëria janë blerë nga importuesit në: Itali (45.3% e totalit global), Serbi (12.1%), Spanjë (6%), Gjermani (5.4%), Greqia (5%), Maqedonia e Veriut (3.3%), Franca (2.1%), Kina kontinentale (1.9%), Mali i Zi (1.8%), Republika Çeke (1.7%), Bullgaria (1.4%) ,etj.

Por cilat tregje kanë potencialin më të madh të pashfrytëzuar?

Në këtë rast ekspertët sugjerojnë që të shihet harta e potencialit të eksportit e cila analizon performancën e eksportit të një vendi, kërkesën e një tregu të synuar, kushtet e aksesit në treg dhe lidhjet dypalëshe midis vendeve eksportuese dhe importuese, për të pasqyruar vlerat e mundshme të eksportit dhe renditur mundësitë për diversifikimin e eksporteve në tregje të reja.
Bazuar në të dhënat e ITC potenciali i pashfrytëzuar i eksportit të Shqiperisë është rreth 710 milionë dollarë.
Sipas ITC-së, 5 (pesë) tregjet me potencialin më të madh për eksportet shqiptare të të gjitha produkteve janë Italia, Kina, Gjermania, Greqia dhe Serbia.
Italia shfaq diferencën më të madhe absolute midis eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë mundësi/hapësirë për të realizuar eksporte shtesë me vlerë 294 milionë dollarë. Në vend të dytë dhe të tretë qëndrojnë respektivisht Kina dhe Gjermania me vlera potenciale eksporti shtesë 105 dhe 51 milion dollarë. Më pas rradhiten Greqia dhe Serbia me vlera 33 dhe 21 milion dollarë vlera potenciale eksporti shtesë..

Tregjet ku produktet tona kanë potencialin më të madh të pashfrytëzuar

Nga analiza apo studime të bëra lidhur me dinamikën dhe flukset tregtare potenciale ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve të saj kryesorë, ndër të cilët BE-ja si partneri tregtar kryesor si edhe vendet e rajonit, ku përmendim Italinë, Greqinë, Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut, Mali i Zi, Serbinë, etj, dalin konkluzione shumë të rëndësishme për tregjet ku produktet tona kanë potencialin më të madh të pashfrytëzuar.

· Eksportet shqiptare të veshjeve dhe produkteve tekstile - Tregjet me potencialin më të madh për eksportet shqiptare të veshjeve dhe produkteve tekstile janë Italia, Gjermania dhe Greqia. Greqia shfaq diferencën më të madhe absolute midis eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë hapësirë për të realizuar eksporte shtesë.

· Eksportet shqiptare të bimëve mjekësore dhe të kërpudhave - Tregjet me potencialin më të madh për eksportet e Shqipërisë së bimëve të gjalla dhe të kërpudhave janë Italia, Mali i Zi dhe Serbia. Greqia shfaq diferencën më të madhe absolute midis eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë hapësirë ​​për të realizuar eksporte shtesë.

· Eksportet shqiptare të shalqinjve - Tregjet me potencialin më të madh për eksportet shqiptare të shalqinjve të freskët janë Gjermania, Serbia dhe Italia. Gjermania shfaq diferencën më të madhe absolute midis eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë hapësirë për të realizuar eksporte shtesë me vlerë 2.1 milionë dollarë.

· Eksporte shqiptare të perimeve, të freskëta apo të ngrira - Tregjet me potencialin më të madh për eksportet e perimeve të freskëta apo të ngrira janë Italia, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut. Italia shfaq diferencën më të madhe absolute midis eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë hapësirë për të realizuar eksporte shtesë.

· Eksporte shqiptare të produkteve të konservuara - Tregjet me potencialin më të madh për eksportet e produkteve të konservuara janë Serbia, Italia dhe Mali i Zi. Serbia tregon diferencën më të madhe absolute ndërmjet eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë hapësirë për të realizuar eksporte shtesë.

· Eksporte shqiptare të patates - Tregjet me potencialin më të madh për eksportet e patateve të Shqipërisë janë Italia, Maqedonia, Veriu dhe Serbia. Italia shfaq diferencën më të madhe absolute midis eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë hapësirë për të realizuar eksporte shtesë.

· Eksporte shqiptare të peshkut të freskët - Tregjet me potencialin më të madh për eksportet e peshkut te freskët janë Italia, Greqia dhe Spanja. Greqia shfaq diferencën më të madhe absolute midis eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë hapësirë për të realizuar eksporte shtesë.

· Eksporte shqiptare të çimentos portland - Tregjet me potencialin më të madh për eksportet e Shqipërisë per çimento portland janë Mali i Zi, Serbia dhe Italia. Mali i Zi ka dallimin më të madh absolut midis eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë hapësirë për të realizuar eksporte shtesë.

· Eksporte shqiptare të xeherorit dhe koncentrateve të kromit - Tregjet me potencialin më të madh për eksportet e Shqipërisë per xeherorin dhe koncentratet e kromit janë Kina, Federata Ruse dhe India. Kina shfaq diferencën më të madhe absolute midis eksporteve potenciale dhe atyre aktuale në vlerë, duke lënë hapësirë për të realizuar eksporte shtesë.

Disa nga veçoritë e eksporteve shqiptare dhe nevoja për diversifikim

Eksportet shqiptare janë mjaft të përqendruara si në tregje ashtu edhe në produkte, dhe integrimi i vendit në zinxhirët e vlerës globale është ende i ulët. Psh, Italia zë pothuajse gjysmën e të gjitha eksporteve Shqiptare. Po kështu tre sektorët kryesorë përbëjnë rreth dy të tretat e totalit të eksporteve të Shqipërisë: Tekstile, Lëkurë dhe Veshje; Bujqësi dhe Ushqime; dhe Metalet.
Gjithashtu, Shqipëria ka shportën më pak të diversifikuar të eksporteve për sa i përket produktet midis vendeve homologe dhe sektorët me vlerën më të ulët të shtuar përbëjnë 60% të eksporteve të mallrave. Në këtë drejtim vendet fqinje kanë ecur më shpejt duke sofistikuar shumëllojshmërinë e produkteve që shesin kryesisht në Europë.
P.sh. në Serbi, kryesojnë produkte të tilla si automjetet, gomat, hekuri dhe çeliku, veshjet, gruri, frutat, metalet, pajisjet elektrike, etj. Në Maqedoni mbizotërojnë pjesët e automjeteve, produktet ushqimore, pijet, duhani, tekstilet, industria përpunuese, hekuri, çeliku, pjesët e automjeteve etj. Ndërsa në Shqipëri, ka dominuar shitja e pasurive natyrore dhe me rieksportet në sektorin fason.

Diversifikimi në produkte dhe destinacione të reja

Rritja ekonomike nxitet nga diversifikimi në produkte të reja që janë gjithnjë e më komplekse. Në këtë drejtim ka hapa pozitive. Kështu Shqipëria ka shtuar 20 produkte të reja që nga viti 2005 dhe këto produkte kontribuan me 85 dollarë të ardhura për frymë në vitin 2020.
Duhet theksuar se Shqipëria është diversifikuar në një numër të mjaftueshëm produktesh të reja, por në një vëllim shumë të vogël për të kontribuar në rritjen e konsiderueshme të të ardhurave. Nisur nga eksportet e saj aktuale, disa nga sektorët me potencial të lartë për diversifikim të ri në Shqipëri janë: makineri industriale dhe makineri e pajisje elektrike. Prandaj është e domosdoshme që Shqipëria duhet të diversifikojë me forcë si shportën e eksportit ashtu edhe tregjet e destinacionit për të arritur ekonomi të mjaftueshme të shkallës për të rritur kompleksitetin e saj ekonomik.
Duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar industrial të vendit, kjo do të kërkojë investime të brendshme të konsiderueshme në sektorë me nivel më të lartë teknologjik ose tërheqje të projekteve strategjike të IHD-ve që do të kontribuonin në drejtim të realizimit të këtij qëllimi.

Fjalë Kyçe: eksporte, tregjet, potenciali i pashfrytëzuar, diversifikim

                    Tregjet me potencialin më të madh për eksport në Shqipëri
Produkti   Itali Gjermani    Serbi   Mal i Zi Maqedoni    Greqi   Spanje   Kine
Peshk të freskët     +               +       +  
Eksporte shqiptare të perimeve të konservuara     +         +      +        
Eksporte shqiptare të perimeve, të freskëta apo të ngrira     +       +           +      
Eksportet shqiptare të bimëve mjekesore     +        +      +        
Eksporte shqiptare të patates     +        +         +      
Eksportet shqiptare të veshjeve dhe produkteve tekstile     +       +                       +      
Eksporte shqiptare të çimentos Portland     +         +      +        
Eksporte shqiptare të xeherorit dhe koncentrateve të kromit                     +
Eksportet shqiptare të shalqinjve     +      +      +          

 

Këshillime të tjera