30.11.2023

Çfarë janë “Markat Tregtare” dhe rëndësia e tyre për bizneset

Origjina e markës tregtare

Zanafilla apo origjina e markës tregtare daton që nga kohët e lashta, kur zejtarët riprodhuan renditjet e tyre, ose "shenjat", mbi veprat e tyre artistike ose produkte të natyrës afektive ose praktike. Me kalimin e viteve, këto shenja kanë hyrë në sistemin e sotëm të regjistrimit dhe mbrojtjes së markës tregtare.

Çfarë është në vetvete një markë tregtare apo një markë shërbimi  (Brand-i)?

Me markë tregtare do të kuptojmë çdo shenjë që është e aftë të dallojë mallrat ose shërbimet e një personi fizik apo juridik nga ato të një personi fizik apo juridik tjetër. Pak më thjesht  marka tregtare është një shenjë dalluese, e cila identifikon mallra apo shërbime të ofruara nga një individ apo ndërmarrje e caktuar.
Marka mund të jetë një fjalë ose kombinim fjalësh (psh. emri biznesit tuaj), logo, simbol, slogan, figurë, kombinim ngjyrash e dritëhijesh ose çdo mjet tjetër, i cili shërben për të dalluar produktet/shërbimet e një biznesi nga produktet/shërbimet e ngjashme që ofron një biznes tjetër. Edhe përkufizimi i markës së shërbimit nuk ndryshon me atë të markës tregtare,  me përjashtim që ato identifikojnë dhe dallojnë burimin e shërbimeve dhe jo produktet.
Qëllimi apo funksioni kryesor i markës tregtare si objekt i pronësisë industriale është funksion identifikues, tregues apo tregtar i origjinës së mallrave ose shërbimeve që ajo përfaqëson.
Përveç markës individuale  pra, identifikimit të burimit tregtar të mallrave ose shërbimeve, ekzistojnë edhe disa kategori të markave të tjera tregtare si p.sh. markat kolektive.
Ato  mund të zotërohen nga një shoqatë, anëtarët e së cilës i përdorin ato për të treguar produkte me një nivel të caktuar të cilësisë dhe që pranojnë të reklamohen këtu për kërkesat specifike të përcaktuara nga shoqata.
Kjo ndarje tregon se pronësia e tyre i përket formës së krijimit nga një ose disa krijues të cilët zgjedhin të njëjtën formë për ta regjistruar, pra pronësia të tregojë pronarin tek markat individuale dhe pronarët tek markat kolektive.

Cilat janë shenjat që mund të përbëjnë një markë tregtare?

Për sa më sipër, shenjat që mund të përbëjnë një markë tregtare mund të jetë çdo shenjë  dhe në veçanti: fjalët, kombinimet e fjalëve (duke përfshirë emrat personalë), dizenjimet/vizatimet apo shenjat figurative, shkronjat, numrat, format e mallrave ose të paketimeve të tyre, ngjyrat (duke përfshirë kombinimet e ngjyrave), tingujt.
Pra çelësi për krijimin e një marke, është aftësia për të zgjedhur një emër, logo, simbol, dizajn të ambalazhimit apo karakteristika të tjera të cilat identifikojnë një produkt dhe e bëjnë të dallohet prej të tjerëve.
Për shembull, ka shumë llojshmëri  strategjish  për vendosjen e emrit të markës. Disa kompani, si General Electric dhe Samsung, i përdorin emrat e tyre, në thelb, për të gjitha produktet e tyre.
Prodhuesit e tjerë caktojnë emra të veçantë të markave për produktet e reja të cilat nuk janë të lidhura me emrin e kompanisë, si Procter & Gamble’s Tide, Pampers dhe markat e produkteve të Pantene-it. Shitësit me pakicë i krijojnë markat e tyre bazuar në emrin e dyqanit të tyre apo në disa kuptime të tjera; për shembull, Macy’s e ka Alfani-nin e tij, INC, Charter Club dhe markat e Club Room-it.
Emrat e markave paraqiten shpesh në shumë forma të ndryshme. P.sh ekzistojnë emra të markave që bazohen në emrat e njerëzve, si kozmetika e Estee Lauder, automobilat Porsche dhe kokoshkat Orville Redenbacher; ka emra që bazohen në vende, si kolonja Sante Fe, Chevrolet Tahoe SUV dhe British Airways; dhe emra që bazohen në kafshë apo shpendë, si automobilat Mustang, sapunat Dove dhe autobusat Greyhound.

Rëndësia e markës tregtare 

Marka tregtare  ( trademark ) është një ndër elementet kryesore identifikues për një subjekt tregtar i cili kryen veprimtari biznesi të çdo lloji, e sidomos për ato subjekte të cilët operojnë në fushën e tregtisë dhe shërbimeve. Secili prej nesh ndeshet çdo ditë, me marka tregtare të shumëllojshme gjatë një shëtitjeje në rrugë, duke bërë shopping, në rrjete sociale, internet apo TV. 
Markat tregtare përfaqësojnë një mjet të domosdoshëm për t’u mbrojtur në botën e sotme dinamike të zhvillimit të biznesit. Sipas ekspertëve, markimi i një produkti që është njëkohësisht dhe popullor në një rajon do të çojë në një numër më të madh konsumatorësh, gjë që do të çojë në një nxitje të vetë vendit dhe do të sjellë zhvillim të ekonomisë lokale e rajonale.
Pra markat, padyshim ofrojnë përfitime të rëndësishme për të dy palët, konsumatorët dhe kompanitë.

Mbrojtja e markës tregtare dhe pse është e rëndësishme

Një markë mund të mbajë të drejta të pronës, duke i dhënë titull ligjor pronarit të markës . Një markë, gjithashtu i ofron kompanisë mbrojtje ligjore për karakteristikat e veçanta apo për aspektet e produktit.
Mbrojtja e markës tregtare siguron që pronarët e markave të kenë të drejtën ekskluzive t'i përdorin ato për të identifikuar mallrat ose shërbimet, ose t'i autorizojnë të tjerët t'i përdorin ato para se të paguajnë.  
Gjithashtu mbrojtja e markës tregtare pengon përpjekjet e konkurrentëve të padrejtë, si kundërvajtës, për të përdorur shenja të ngjashme dalluese për të tregtuar produkte ose shërbime të ndryshme.
Emri i markës mund të mbrohet nëpërmjet regjistrimit të shenjave tregtare; procesi i prodhimit mund të mbrohet nëpërmjet patentave dhe paketimi mund të mbrohet nëpërmjet të drejtave të autorit dhe dizajnimeve.

Për çfarë mallrash dhe shërbimesh mbrohen markat?

Markat mbrohen për të gjitha llojet e mallrave dhe shërbimeve që hidhen në treg dhe janë të lira në qarkullimin civil. Këto mallra dhe shërbime janë klasifikuar në 45 klasa në bazë të “Konventës së Nicës për Klasifikimin Ndërkombëtar të Mallrave dhe Shërbimeve” dhe zbatohet nga të gjitha vendet anëtare të “Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale”. Mbrojtja e markës jepet për një periudhë 10-vjeçare .
Periudha e mbrojtjes ndryshon nga një shtet në shtetin tjetër, por marka tregtare mund të rinovohet pafundësisht me pagimin e tarifave përkatëse.
Mbrojtja e markës tregtare zbatohet me ligj nga gjykatat që, në shumicën e sistemeve, kanë autoritetin  e duhur për të ndaluar shkeljen e markës.
Për të gëzuar mbrojtje kombëtare, marka tregtare në Shqipëri, duhet të regjistrohet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI). Ndërsa në nivel ndërkombëtar  duhet te paraqitet një aplikim për markën tregtare në zyrën e regjistrimit të markës tregtare të secilit vend në të cilin kërkohet mbrojtje, ose mund të përdoret Sistemi i Madridit. Afati i mbrojtjes së markës tregtare është 10 vite, duke filluar nga data e depozitimit.

Rekomandime

Nga studimet  dhe analizat  e bëra rekomandohet  që bizneset që operojnë në tregun shqiptar, duhet të përforcojnë:

  a) Imazhin pozitiv të markës së tyre, pasi markat janë kyçe në rritjen e prodhimit dhe të konsumit;

b)Të krijojnë një imazh të fortë marke, duke pasuruar produktet ekzistuese dhe zhvilluar produkte të reja me paketime tërheqëse, informuese dhe funksionale;

c) Në etiketimin e produkteve t`i vendoset theksi tek stilit, ngjyrat dhe informacionit mbi përbërësit, kjo duke marrë në konsideratë aspektet socio-demografike të segmentit të konsumatorëve ku ofrohen produktet;

d) Të zbatojnë programe promocionale nëpërmjet shitjeve personale në njësitë e shitjeve, me qëllim  që konsumatorët të jenë të informuari lidhur me produktet ushqimore (ekzistuese dhe të reja) për përbërësit, përdorimin dhe përparesitë krahasuar me produktet e kompanive konkurrente.

Fjalë Kyçe: markë tregtare, markë shërbimi , pronësi industriale, DPPI

Këshillime të tjera