11.12.2023

Si të regjistrojmë një "Markë Tregtare" për produktin

Regjistrimi i markës tregtare është një element thelbësor për çdo biznes, shoqëri tregtare apo person fizik tjetër.  Marka tregtare si një e drejtë pronësore sigurohet duke u regjistruar pranë institucioneve përkatëse kombëtare ose ndërkombëtare të pronësisë industriale.
Në vendin tonë, institucioni përgjegjës për regjistrimin e markave tregtare dhe objekteve të tjera të pronësisë industriale është Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI). Legjislacioni shqiptar, e konkretisht Ligji nr. 9947/2008 “Për Pronësinë Industriale” i ndryshuar, mundëson që emri i një biznesi të caktuar të regjistrohet si markë në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale > http://dppi.gov.al/objektetpi/markat/
Në nivel ndërkombëtar, markat tregtare mund të regjistrohen pranë Zyrës Botërore të Pronësisë Intelektuale (duke përcaktuar listën e shteteve që do të përfshijë regjistrimi ndërkombëtar) ose pranë Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Europian (duke kufizuar mbrojtjen e markës tregtare brenda territorit të Bashkimit Europian). Aplikimi për regjistrimin ndërkombëtar të një marke mund të paraqitet edhe pranë DPPM, e cila në këtë rast vepron jo si zyrë regjistrimi, por si zyrë pritëse e aplikimit, vetëm nga një person fizik ose juridik që: a) ka selinë e veprimtarisë tregtare ose industriale në territorin shqiptar dhe b) Ka regjistruar pranë DPPM ose ka depozituar pranë DPPM aplikimin për regjistrimin e markës.

Kuadri Ligjor në Shqipëri

Duhet theksuar që kuadri ligjor rregullues për procedurat e regjistrimit dhe mbrojtjes së markave tregtare është pothuajse i njëjtë si në Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe në shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë kuader, Shqiperia ka ratifikuar konventat ndërkombëtare më të rëndësishme në fushën e pronësisë industriale si dhe ka nënshkruar marrëveshjet ndërkombëtare themelore në këtë fushë (në veçanti për markat tregtare).

Hapat ligjorë të nevojshëm për regjistrimin e  markës tregtare

Si në çdo procedurë tjetër edhe për regjistrimin e markës tregtare, kërkuesi dhe krijuesi i saj duhet që të bëjë një përgatitje mjaft serioze dhe të mirëfilltë në mënyrë që institucionit për regjistrim t`i japë prova, që të arrihet regjistrimi dhe mbrojtja e një marke tregtare. Në përgjithësi, çdo person që synon të përdorë një markë tregtare ose ta përdorë atë nga palët e treta mund të aplikojë për regjistrimin e saj i cili mund të jetë  një person fizik ose një person juridik.

Cilat janë disa nga  përfitimet e pronarit të markës pas regjistrimit?

Pronari i markës së regjistruar gëzon të drejtën ekskluzive  të ndalojë palët e treta  të bëjnë marketingun e produkteve në të njejtën markë apo nën marka të ngjashme me të. Dallon biznesin e tij nga bizneset e tjera dhe krijon identitetin unik në treg.
Mund t’ia japë për përdorim palëve të treta në bazë të kushteve të rëna dakord në një kontratë licence të nënshkruar mes palëve.
Vetëm pas regjistrimit pranë DPPI, marka kthehet në aset për kompaninë dhe burime të ardhurash. Kjo pasi regjistrimi i një marke bën që konsumatorët të zgjedhin midis produkteve në treg. Por markat e regjistruara janë edhe një mjet i rëndësishëm marketingu dhe një bazë për të krijuar një emër të mirë dhe reputacion për kompaninë.
Gjithashtu vetëm pronari i një marke të regjistruar mund të kërkojë pranë organeve të ruajtjes së rendit apo pikave doganore ndalimin e kalimit dhe hedhjen në treg të produkteve të falsifikuara nën këtë markë. Ai fiton të drejtën e shitjes së markës duke siguruar fitime.

Procedurat e regjistrimit të markës

Është e rëndësishme që çdo shoqëri, person apo biznes që përdor një shenjë gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare, duhet të ndërmarrë hapat ligjorë të nevojshëm për regjistrimin e saj.  Regjistrimi i markës tregtare garanton sigurinë juridike dhe përforcon ndjeshëm pozitat e mbajtësit të të drejtës (pronarit të markës) në rast të konflikteve ligjore të mundshme.
Në Republikën e Shqipërisë, afati kohor i regjistrimit të markës tregtare është 10 vjet, duke filluar nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrim marke, por ky afat mund të ripërtërihet në mënyrë të pakufizuar për periudha dhjetëvjeçare. Është mirë të zgjidhet një markë që të prezantojë sa më mirë biznesin  në mënyrë që ajo të jetë e lehtë për tu mbajtur mend, dhe të jetë tërheqëse dhe joshëse për syrin e konsumatorit.
Në kuadër të kryerjes sa më mirë të shërbimeve të informacionit për bizneset, DPPI ka publikuar informacion më të hollësishëm në lidhje me mënyrën e plotësimit të formularit të kërkesës për regjistrim marke (FM1) si dhe në lidhje me dokumentet që duhet të përmbajë aplikimi, në momentin e depozitimit nga aplikanti Kliko linku : http://dppi.gov.al/objektetpi/markat/
Por aplikimi për regjistrim kombëtar të markës mund të bëhet edhe nëpërmjet shërbimit elektronik E- Albania "Aplikim për regjistrim të markës"

https://e albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13401

Subjektet e interesuara mund të mbrojnë markat tregtare nëpërmjet regjistrimit të tyre në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI). Regjistrimi i markës siguron mbrojtjen ligjore të saj për përdorimin ekskluziv në treg dhe mbrojtjen nga falsifikimi.

Cilat janë dokumentet që duhet të përmbajë një aplikim për regjistrim marke?

Në bazë të ligjit nr. 9947 dt. 07.07.2008 “ Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar, neni 145 dhe VKM Nr.1706, datë 29.12.2008, “dokumentet që duhet të përmbajë një aplikim për regjistrim marke, janë: linku - http://dppi.gov.al/objektetpi/markat/

Pasi si biznes je siguruar që marka që keni zgjedhur nuk figuron e regjistruar në Rregjistrin e Markave të DPPI-së, mund të bësh gati aplikimin për regjistrim duke e depozitur atë pranë DPPI-së. Vetëm regjistrimi ju bën pronarë të markës tuaj!
Sistemi i regjistrimit ndërkombëtar të markave rregullohet nga dy marrëveshje në të cilat Republika e Shqipërisë ka aderuar dhe  ka ratifikuar si shtet anëtar:  Marrëveshja e Madridit për Regjistrimin Ndërkombëtar të Markave dhe Protokolli i Marrëveshjes së Madridit.

Fjalët kyçe: markë, zhvillim, treg, regjistrimi i markës, etj.

Këshillime të tjera