Cilat produkte shqiptare kanë potencial eksporti
Klima e favorshme, afërsia me tregjet evropiane, mundësia për mbulimin e tregjeve rajonale me potenciale të pashfrytëzuara si dhe fuqia punëtore me kosto të ulët, e bëjnë Shqipërinë një vend me potencial premtues në disa sektorë por veçanërisht në bujqësi. Shumica e produkteve bujqësore janë të një cilësie të mirë, duke ofruar përparësi konkurruese për eksportet në Evropë dhe jashtë saj.
Pavarësisht disa zhvillimeve jo pozitive në sektorin e bujqësisë, prej copëzimit të lartë të tokës dhe mungesës së financimeve, etj, zarzavatet dhe perimet, janë pika e fortë e eksporteve bujqësore dhe sektori shihet me potencial për rritjen e eksporteve. Klima e favorshme, përvoja në kultivim dhe rritja e kërkesës së jashtme kanë vendosur në një trend të qëndrueshëm edhe shitjet e tyre brenda dhe jashtë vendit.
Por cilat janë produktet që po eksporton Shqipëria?
Produktet kryesore bujqësore që eksporton Shqipëria janë : Bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara; vajrat esenciale, shalqinj , bagëti ( pjesë të brendshme ), peshk të konservuar dhe lëkurë të papërpunuar. Disa produkte të tregut, si mishi i bretkosës ose sherebelës, janë një sektori i rëndësishëm në nivel evropian.
Destinacionet kryesore të eksportit - Shqipëria eksporton perime - zarzavate në 26 vende dhe kryesisht në vendet e afërta si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina si dhe Italia e Kroacia.
Eksporti i fruta-perimeve në total për vitin 2021 arriti në vlerën 12.3 miliardë lekë dhe përbën 26.5% të totalit të vlerës së eksporteve të produkteve bujqësore dhe blegtorale (nga të cilat 72% e përbëjnë perimet dhe 28% frutat).
Një rritje ka pasur edhe në eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike. Gjatë vitit që lamë pas shifra arriti në vlerën 5.4 miliard lekë dhe përbën 11.6% të totalit të vlerës së eksporteve të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Në këtë mënyrë, bujqësia mbetet sektori më i madh i ekonomisë shqiptare.
Eksportet e Shqipërisë dominohen nga mineralet, tekstil – këpuca dhe produktet bujqësore. Vihet re se, dy grupet kryesore të eksporteve shqiptare janë tekstilet ( 38 % ) dhe lëndët e para. Avantazhi krahasues në industrinë tekstile dhe lëkureve qëndron në kostot e ulëta të prodhimit, të cilat i bëjnë eksportet tona më të konkurrueshme në treg. Ndërkohë, eksporti i lëndëve të para në formë xeherorësh, bëhet duke iu nënshtruar vetëm një ose dy hallkave të procesit të përpunimit, çka ndikon në mbajtjen e ulët të vlerës së shtuar të këtyre eksporteve.
Për këtë arsye, sipas ekspertëve të ekonomisë, politikat afatgjata ekonomike mbi konkurencën e ekonomisë shqiptare duhet të drejtohen më shumë mbi rritjen e vlerës së shtuar të eksporteve dhe mbi rritjen e sofistikimit të tyre duke investuar në teknologjinë e prodhimit.
Sipas burimeve shtetërore grupet e produkteve me potencial më të lartë eksporti janë perimet dhe frutat, bimët mjekësore dhe aromatike dhe produktet e peshkut e akuakulturës.
Mundësitë më të mira mund të gjenden në segmentet ku tashmë realizohen eksporte, përkatësisht bimët dhe erëzat medicinale, vajrat esenciale, fruta pyllit, gështenjat, kërpudhat ,etj, frutat dhe perimet e sezonit të hershëm dhe të vonë, produktet e konservuara si ullinjtë, vaji i ullirit, domate të konservuara, peshk të freskët dhe të përpunuar, etj.
Shqipëria ka një potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar kur bëhet fjalë për sektorin e saj të prodhimit bujqësor,veçanërisht atë të domateve që mund të jetë një burim i konsiderueshëm të ardhurash për fermerët, sipas një raporti të Bankës Botërore.
Eksportet e domateve vijojnë të kryesojnë me më shumë se 40% të totalit të eksporteve bujqësore shqiptare. Sipas statistikave nga MBZHR, eksportet e domateve dhe kastravecave u rritën me 10 % në krahasim me vitin 2021, ndërsa eksportet e perimeve u rritën me 41 milionë dollarë (janar - maj 2022) të përfaqësuara nga rritja e kontratave me jashtë për shitjen e domates.
Shqipëria ka dhe duhet te shtoje mundësitë për eksportin e produkteve me vlerë të shtuar si p.sh eksporti i domateve në tregje me vlerë të lartë apo dhe produkteve të tjera si bimët mjeksore, etj.
Sipas Bankës Botërore (BB), Shqipëria ka potenciale të pashfrytëzuara në produktet bujqësore dhe për disa kultura, ka mundësi që fitimet të rriten në mënyrë më të shpejtë. Banka Botërore në një studim të fundit për kapacitet e zhvillimit në bujqësi, sugjeron p.sh, që i njëjti kultivar i domates, nga Shqipëria eksportohet me një vlerë të ulët, me 0,5 dollarë për kilogram ndërsa Italia eksporton produktin e njëjtë në Britaninë e Madhe me 2,4 dollarë për kilogram. Raporti sugjeron që Shqipëria duhet të konsiderojë shitjen e produkteve të saj në tregje më të zhvilluara si ato në Evropën Perëndimore, pasi me cilësinë dhe standardet që kanë produktet shqiptare mund të konkurrojnë në aspektin ndërkombëtar. Me të njëjtën sasi dhe lloj domatesh fermerët shqiptarë do të trefishonin fitimet nëse do të zhvendosnin eksportet nga rajoni drejt tregjeve të zhvilluara si Gjermania, Franca, Zvicra, Austria, SHBA, etj.
Krahas zgjerimit të investimeve në sera, ku kultivohen më së shumti domatja dhe kastraveci, në Shqipëri ka filluar dhe po zbatohet certifikimi në grup me GlobalGAP, si opsioni më i mirë për fermerët shqiptarë për arsye të lehtësirave që ai ofron në krahasim me certifikimin individual dhe rritjen e eksporteve në tregje me vlerë të lartë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe NOA po asiston certifikimet e nevojshme me Global GAP të produkteve potencialisht të kërkuara nga tregjet e huaja. Kjo me qëllim jo vetëm për plotësimin e standardeve europiane dhe për të rritur besueshmërinë në cilësinë e produkteve shqiptare, në tregun europian por edhe për të shtuar mundësitë e ndërmarrjeve shqiptare për të eksportuar drejt Bashkimit Europian.
Produkte me interes për eksport
Nga analiza dhe studimet e bëra nga ekspertë të BB rezulton se Shqipëria ka avantazhe absolute tregtare në raport me Bashkimin Evropian. Këto avantazhe absolute të krahasuara rezultojnë në rrush, gështenjë, fiq, lulelakër dhe brokoli, qershi, patate dhe kastraveca. Pra, këto produkte Shqipëria i prodhon me kosto më të vogël (për hektar, për njësi sipërfaqeje) se sa mesatarja e shteteve të BE-së. Gjithashtu, Shqipëria ka avantazhe të krahasuara tregtare në raport me Bashkimin Evropian në grurë, misër, domate, rrepa dhe karrota, limona, etj.
Me përparësi janë dhe produktet me avantazhe absolute, të ndjekura nga produktet me avantazhe të krahasuar, produkte si rrushi, arroret ( gështenjë, lajthi, arra) dhe perimet e frutat.
Shqipëria ka lidhur marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në dhe me të gjitha vendet e Ballkanit duke krijuar mundësinë e tregtisë në të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, produktet bujqësore-blegtorale dhe agropërpunimi siç theksuam kanë një potencial të konsiderueshëm për të rritur vëllimet e eksportit, në veçanti mbështetjen për rritjen e prodhimit të bio.
Sipas një analize të fundit të bërë nga “Scan Intelligence Unit” produkti me vlerën më të lartë të eksporteve shqiptare ka rezultuar të jenë rrëshirat, me rreth 5400 lekë kilogrami, në vend të dytë mishi dhe të brendshmet, me rreth 1600 lekë kilogrami. Frutat “Made in Albania” eksportohen mesatarisht me 82 lekë kilogrami, ndërsa zarzavatet me 70 lekë kilogrami.
Konkluzion
Si konkluzion nga Banka Botërore në analizën për sektorin e bujqësisë konkludon se Shqipëria ka potencial për të rritur eksportet në nënsektorët që përfshijnë lëkurën e gjedhit dhe të kalit, perimet , domatet dhe kastraveca të freskëta , produktet e peshkut, arroret ( lajthi, arra ) dhe frutat, gështenjat, shalqinj dhe ullinj të konservuar, açuge dhe peshq të tjerë të konservuar.
Sektori më i rëndësishëm i eksporteve “reale” është sektori i Agropërpunimit ose prodhimit dhe përpunimit të ushqimit, duke përfshirë edhe nënsektorin e bimëve mjekësore dhe erëzave dhe produkteve të tyre (si vaji esencial). Shumica e këtyre produkteve janë produkte sezonale dhe mundësitë më të mëdha për eksport janë veçanërisht në muajt kur disa konkurrentë nuk mund të ofrojnë produkte të freskëta për arsye klimatike (vjeshtë dhe dimër).
Mund të merret në konsideratë edhe eksporti në tregjet “niche”, si diaspora shqiptare, etj. Gjithashtu prodhuesit e frutave dhe perimeve në sera, si dhe prodhuesit e produkteve të ndryshme "niche" (p.sh. mjalti i gështenjës, boronica, kunguj dekorativë, etj) kanë perspektiva shumë të mira në shembullin e tregut Europian, nëse janë të besueshëm, përmirsojnë ambalazhimet dhe plotësojnë standardet e cilësisë së BE-së. E njëjta gjë vlen edhe për produkte si domatet, shalqini, vaji i ullirit, etj. Ajo që po pengon eksportet në këtë fushë është mungesa e financimeve të duhura dhe investimeve, mungesa e njohurive për tregjet e huaja në përgjithësi dhe arritja e standardeve të cilësisë së lartë.
Fjale kyçe: eksportet, produkte bujqësore, fruta-perime, marketingu bujqësor, avantazhe krahasuese.