23.04.2021

Nënshkruhet marrëveshja mes NOA sh.a. dhe Fondit Europian të Investimeve

Muaji Dhjetor 2017 mundësoi mbylljen me sukses të një viti plot sfida dhe zhvillime pozitive për institucionin finaciar NOA. Ai kulmoi me nëshkrimin e kontratës së bashkëpunimit dypalësh mes Fondit Europian për Investime (EIF) dhe NOA sh.a.

Kontrata e bashkëpunimit konsiston në një marrëveshje garancie të ofruar për institucionet e mikrofinancës me qëllim mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla në Shqipëri. Programi i Bashkimit Europian për Punësim dhe Inovacion Social (EaSI) është instrumenti nëpërmjet të cilit kjo marrëveshje do të implementohet me institucionet e mikrofinancës.


NOA është një prej dy institucioneve të mikrofinancës në Shqipëri të përzgjedhura për firmosjen e kësaj marrëveshje garancie, duke provuar kështu besueshmërinë e institucionit në sytë e partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtar.

Programi për Punësim dhe Inovacion Social u prezantua në 22 Qershor 2015 si një skemë garancie e financuar nga Komisioni Europian dhe e menaxhuar nga Fondi Europian për Investime. Qëllimi i kësaj skeme është rritja e aksesit të grupeve në nevojë në institucionet e mikrofinancës, duke iu mundësuar atyre ngritjen e sipërmarrjeve të vogla apo zhvillimin e bizneseve të tyre nëpermjet kredive me shumë deri në 25,000 EUR.

Sic shprehet edhe Drejtoresha e Ekzekutive e NOA sh.a., Znj. Herjola Spahiu, për institucionin kjo marrëveshje garancie mundëson ofrimin e një mbështetje financiare më të gjerë për biznesin familjar, duke garantuar kushte më lehtësuese për ta. Sipas Znj. Spahiu, ky program synon konkretisht:

Rritjen e njohurive dhe aftësive për zhvillimin e planeve dhe modeleve novative të biznesit;
Shtimin e vendeve te punës dhe reduktimin e papunësisë në vend;
Ofrimin e konsulencës profesionale dhe asistencën në përputhje me sistemet e taksave në vend;
Edukimin për ekspozimet ndaj rrezikut dhe vlerësimin e marrëveshjeve të huasë; 
Asistencën për të kuptuar ndikimin social në një botë fiskale të mirë formuar, etj. 

Kredia e alokuar do të akreditohet nga NOA sh.a tek biznesi i vogël nëpërmjet produktit të krijuar posaçërisht për këtë qëllim, i quajtur “Progres”. Produkti do të ofrohet në 27 degët e institucionit në gjithë Shqipërinë, dhe do të zgjasë për një periudhë 3 vjeçare.

Kjo marrëveshje garancie dhe produkti financiar i hartuar në përputhje me të, përmbush misionin e kompanisë i cili ka në fokus fuqizimin e biznesit të vogël familjar, duke i dhënë atij forcën financiare për të qënë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Të reja të tjera