23.11.2023

NOA partnere e « Forumit Ekonomik të Ballkanit » !

Mbyllet me sukses « Forumi Ekonomik i Ballkanit », një hapësirë shkëmbimi unike mes ekspertësh, akademikësh dhe sipërmarrësish nga i gjithë rajoni, të angazhuar në promovimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi për mbarë Ballkanin perëndimor. 

Përshëndetur nga Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Z. Oliver Varhelyi, forumi mblodhi së bashku përfaqësues nga FAO, USAID, CEI, IFC, EBRD, UNCTAD, BE, Shoqata e Bankave Europiane, Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit të SHBA, Bursa e Shkupit, Cyprus Forum, Shoqata e Bankave të Kosovës, European Institute of Innovation & Technology (EIT) Food, ETH Zurich, ConsciESG, EOS matrix, shumë banka dhe biznese të rëndesishme nga të gjitha vendet e Ballkanit, etj. 

Diskutimet u fokusuan mbi risitë dhe impaktin e pritshëm që kanë në ekonomitë ballkanike zhvillimet e standardeve ESG (mjedisore, sociale, qeverisje e mirë), teknologjitë e reja, bujqësia moderne dhe politikëbërja europiane. Risi, të cilat nëse adresohen siç duhet, mund të çlirojnë potenciale të reja në shërbim të punësimit, rritjes së volumit të shkëmbimeve tregtare, dhe të nivelit të jetesës për mbarë ekonomitë e rajonit. 

Ashtu si gjatë edicionit të kaluar të mbajtur në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, edhe edicioni i këtij viti i forumit u ndal gjerësisht mbi rolin që edukimi dhe këshillimi teknik ka për bizneset dhe fermerët e rajonit. Rritja e nivelit të konkurrueshmërisë përballë standardeve europiane, përgatitja ndaj sfidave mjedisore dhe ndryshimeve teknologjike të njëpasnjëshme, aksesimi i fondeve dhe instrumentave publikë në mbështetje të sipërmarrjes, ekonomia e cash-it dhe emigrimi i forcës punëtore, janë të gjithë elementë të cilët tejlakojnë aksesin në financë dhe që kërkojnë investim nga çdo aktor privat dhe publik për t’u tejkaluar në mënyrë të përshtatshme. Të gjithë këto elementë të trajtuar gjatë forumit, ashtu si dhe prezantimet përkatëse do të publikohen online në ditët në vijim.  

Me një prezencë në Kosovë dhe Shqipëri, NOA zgjodhi të ishte partner i forumit, si pjesë e një angazhimi tanimë të konfirmuar institucional ndër vite në shërbim të një zhvillimi njerëzor, që respekton traditat, komunitetet dhe mjedisin ku operon. Në veçanti, përtej mbështetjes materiale, NOA u investua në organizimin e panelit dedikuar bujqësisë i cili bëri bashkë ekspertë dhe agro-sipërmarrës nga i gjithë rajoni.  

Me një portofol financimi që synon të arrijë në të ardhmen e afërt 100 milion euro, NOA mbështet sipërmarrësit, fermerët e familjet shqiptare sipas standardeve më të larta të tregut financiar duke  promovuar zgjidhje inovative dhe të përshtatura ndaj çdo realiteti lokal. Përfshirja e NOA-s në “Forumin Ekonomik të Ballkanit” është dëshmia më konkrete e këtij vizioni që NOA promovon në kuadër të aktivitetit të saj.  

Të reja të tjera