15.12.2023

Një Financë Njerëzore

Në kohën e inteligjencës artificiale, robotikës e punës në distancë, angazhimi për të promovuar një #FinancëNjerëzore nuk është një rastësi. Është një angazhim në shërbim të një misioni të cilit NOA i shërben prej 25 vitesh. Rritja e standardeve të jetesës nëpërmjet promovimit të sipërmarrjes së lirë dhe krijimit të vendeve të punës është një mision tërësisht “njerëzor”. Do të thotë të ofrosh shërbimin më të shpejtë, transparent e të adaptuar sipas realitetit të çdo klienti, komuniteti e bashkëpunëtori të institucionit.

Për klientët tanë së pari, #FinancëNjerëzore do të thotë që pavarësisht investimit në zhvillimin dhe promovimin e teknologjive të reja në ofrimin e shërbimeve financiare, NOA do të ruajë gjithmonë një kontakt njerëzor në mënyrë që aksesi në financë të jetë i garantuar në çdo kontekst. Komunikimi në distancë me klientët, portali on-line, aplikacioni celular apo çdo zgjidhje tjetër teknonologjike duhet të shihen si alternativa shtesë ndaj kontaktit të drejtëpërdrejtë i cili do të mbetet gjithmonë prioritar.

Ndërtimi i një marrëdhënie besimi njerëzore, transparente e afat-gjatë, mes stafit dhe klientëve tanë është themeli i suksesit të misionit të NOA dhe do të vazhdojë të jetë i tillë dhe në të ardhmen. Garantimi i aksesit financiar ku(r)do, për çdo nevojë e çdo fazë të klientëve tanë, kalon së pari nga njohja e realitetit demografik, ekonomik e gjeografik. Dhe njohja e këtij realiteti mund të realizohet vetëm falë mundësimit të një #FinanceNjerëzore e cila arrin të identifikojë në mënyrë reale dhe të prekshme tek çdo klient pasionin sipërmarrës, ambicien etike dhe vizionin qytetar.

Për komunitetet në fokus të aktivitetit financiar të NOA, #FinancëNjerëzore do të thotë garantimi i një shërbimi transparent, të adaptuar dhe të ekuilibruar mes nevojave dhe mundësive reale për financim.

Mbrojtja kundra mbi-kreditimin, njohja e termave kontraktuale, hapësira për ankimim, ofrimi i shërbimeve të këshillimit, mos dëmtimi i mjedisit, ashtu si dhe garantimi i një komunikimi gjithmonë të hapur, janë kushte bazë për të siguruar një impakt pozitiv për komunitetet përfituese të financimeve të ofruara. Një impakt i cili vlerëson dimensionin njerëzor, po aq sa atë ekonomik e financiar, në efektin e synuar nga çdo financim i disbursuar.

Për të arritur këtë, NOA angazhohet në ndërtimin e urave të bashkëpunimit me akademinë, shoqërinë civile, ekspertët dhe çdo organizëm të specializuar në monitorimin, asistencën apo këshillimin e komuniteteve të impaktuara nga financimet e saj. Kjo nënkupton kthimin e besimit të dhënë nga komunitetet duke sponsorizuar nisma sociale lokale, duke ofruar këshillim falas dhe marrë pjesë në aktivitetet socio-ekonomike që kanë si qëllim gjallërimin e jetës së komuniteteve, duke ndërtuar partneritete me organizata jo-fitimprurëse apo duke qenë edhe avokat mediatik i interesave të tyre.

Një ndër objektivët kryesorë në drejtim të rivitalizimit të komuniteteve është dhe garantimi i oportuniteteve financiare, në veçanti për të rinjtë dhe gratë. Shpopullimi i zonave rurale, largimi i studentëve, diskriminimi gjinor në edukim apo në aksesin profesional, janë të gjithë faktorë të cilët nxisin nevojën në drejtim të promovimit të një #FinanceNjerëzore e cila mbështet nismat sipërmarrëse që sjellin inovacion e mirëqënie për të gjithë.

Së fundmi, një #FinancëNjerëzore për stafin tonë do të thotë garantimi i NOA-s si një institucion i cili ofron kushtet e punës sipas standardeve më të mira të tregut shqiptar e atij rajonal. Investimi në edukimin afat-gjatë, promovimi i meritokracisë, shpërblimi i performancës, politika pune pro-familje, mos-diskriminimi mbi asnjë bazë, apo dhe dialogu i vazhdueshëm mes çdo niveli, janë praktika të cilat mundësojnë kushtet e një #FinanceNjerëzore për të gjithë bashkëpunëtorët e NOA.

Ky dimension njerëzor për stafin e NOA pasqyron dhe një pasion për t’i shërbyer vendit, ekonomisë së qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë dhe Kosovës, rritjes së standardeve familjare e garantimit të një shërbimi realisht cilësor për çdo bashkëkombas. Gjithçka në shërbim të një misioni, të një ambicie, të një projekti të përbashkët për vendlindjen tonë. Një pasion njerëzor i një ekipi të konsoliduar dhe të lidhur i cili reflektohet dhe tek aktivitetet e shumta të stafit të NOA në drejtim të forcimit të frymës së brendshme, të lidhjeve e miqësive, të shprehjes së mirënjohjes e lartësimit për çdo koleg.

Nuk është thjeshtë një slogan, #FinancëNjerëzore është një vizion, një mision dhe njëherazi një model për të shërbyer gjithmonë e më mirë, të gjithë klientët, komunitetet dhe bashkëpunëtorët tanë.

Të reja të tjera