22.04.2021

Përvetësimi i talenteve në kohën e pandemisë! Një reflektim mbi Sfidat dhe Strategjitë tona.

Rekrutimi efektiv dhe integrimi është thelbësor për funksionimin e suksesshëm dhe qëndrueshmërinë tonë dita ditës. E ardhmja jonë varet nga gjetja e njerëzve me aftësitë, përvojën dhe kualifikimet e nevojshme për të sjellë një kontribut pozitiv në vlerat tona dhe objektivat e biznesit. 

Rrjedhimisht, përvetësimi i talenteve është një nga shtyllat më të rëndësishme të burimeve njerëzore në NOA ndaj është një proces që kryhet me kujdes dhe ndërtohet mbi strategji të mirë menduara.

Qëllimi ynë është të identifikojmë dhe integrojmë punonjësit e rinj shpejt dhe tërësisht në mënyrë që të jenë sa më shpejt performues.

Viti i shkuar shënoi një ndryshim rrënjësor në mënyrën e të punuarit dhe strategjitë e burimeve njerëzore dhe mund të themi me siguri që ishte një vit që sfidoi por nga ana tjetër testoi ekonominë mbarë dhe veçanërisht sektorin ku ne operojmë. E me gjithë këto sfida ne vendosëm të mos ndërpresim në asnjë moment misionin dhe vizionin tonë në shërbim të klientëve që nuk kanë ose kanë akses të kufizuar në sistemin financiar. Rrjedhimisht ne nuk ndërpremë as kërkimin, punësimin dhe integrimin e stafit të aftë për t’ju shërbyer nevojave në rritje të tyre.

Sfidat më të mëdha që hasëm në aspektin e përvetësimit të talenteve veçanërisht atë të identifikimit të tyre, lidhen me kufizimet e imponuara nga situata, konfidenca e të bërit biznes dhe pamundësia për të patur një pamje të qartë të së ardhmes, konfidenca e klientëve për të marrë financim, perceptimi i sektorit në treg, lëvizjet masive demografike drejt Tiranës, pasiguria e kandidatëve për punësim për të ndryshuar vendin e punës, gatishmëria e institucionit për t’ju përshtatur situatës, aftësitë brenda kompanisë/stafit për të performuar, eksperienca e kandidatëve për të përdorur platformat e reja online sikurse dhe aftësia dhe mundësitë për të ofruar trajnime online etj.

Nga ana tjetër ishin një kombinim elementësh të cilët u shndërruan në avantazhet tona në këtë aspekt, si psh. të paturit të një kulture institucionale diverse e cila është zhvilluar historikisht jashtë zyrave (65 % e stafit janë në terren)

gatishmëria institucionale, investimet në teknologji dhe inovacioni. Që prej vitit 2015 oficerët tanë të kredisë janë të pajisur me tableta dhe mund të kryejnë aplikimet për kredi në çdo vend dhe çdo kohë pa patur nevojën të punojnë në zyra. Ne gjithashtu kemi qenë familjarë me komunikimin në distancë, na karakterizon një model unik operacional dhe infrastrukturor sikurse vlerat më të forta të përgjegjshmërisë,  angazhimit, dinamizmit dhe fleksibilitetit.

Një strategji komunikimi e fortë, mos shkurtimi i vendeve të punës dhe benefiteve përkundrazi mundësi të reja punësimi, mbështetje dhe përkujdesje morale dhe jo vetëm për stafin, u vlerësuan si tejet pozitive dhe na ndihmuan në këtë proces sfidues.

Përmbledhja e këtyre elementëve thelbësore kombinuar me strategjitë e ndërmarra përsa i përket përvetësimit të talenteve, ishin suksesi ynë. Nga strategjitë e ndërmarra do të numëroja: 

- Vazhdimësia e rrjedhës normale të biznesit, vijimësi financimi;
- Përforcimi i lidhjes së punonjësve me kompaninë dhe reflektimi jashtë organizatës;
- Rritja e komunikimit për të mbështetur, përkujdesur dhe udhëhequr stafin;
- Rritja e komunikimit të jashtëm mbi vlerat, besimet tona, krenarinë e të qenurit pjesë e institucionit;
- Angazhimi ekstrem i stafit në promovimin e vlerave tona;
- Lançimi i fushatës “Zgjodha Shqipërinë”;
- Ndërtimi i parteriteteve për rekrutim;
- Rritja e referimeve të stafit për punësim;
- Kalimi në rekrutimin 100% online dhe zgjedhja e platformës së përshtatshme;
- Thjeshtimi i procesit të rekrutimit duke kaluar në një proces të vetëm intervistimi;
- Rikontaktimi i ish punonjësve për punësim;
- Fokusi mbi rekrutimet e brendshme për pozicionet manaxheriale;
- Trajnimi i manaxherëve mbi rekrutimin dhe rekrutimin online;

Zhvillimi i metrikave të performancës për të matur suksesin dhe për të nxjerrë mësimet përkatëse pasi gjithë këto ndryshime njëherazi nuk vijnë pa kosto.

Ofrimi i trajnimit integrues online dhe fokus në integrimin e stafit të ri veçanërisht në degë nëpërmjet ofrimit të coaching.

Efektet e situatës që lamë pas do vijojnë të ndihen, mgjth ne jemi gati për t’ju përgjigjur çdo lloj situate dhe për t’u përshtatur. Si një kompani në zgjerim të vazhdueshëm ne do vijojmë të kërkojmë talente të reja për t’ju bashkuar strategjisë tonë së biznesit, duke sjellë nga ana tjetër investimin tonë në identifikimin dhe zhvillimin e talentit të tyre profesional.

Të reja të tjera