22.04.2021

Një rrëfim ndryshe nga NOA : 1 vit sfidash e risish prej fillimit të pandemisë Covid19

Është një moment bilanci dhe reflektimi. Bëhet tashmë 1 vit i plotë nga fillimi i pandemisë globale Covid19. Shoqëria dhe ekonomia shqiptare nuk u kursyen duke i kushtuar vendit mijëra jetë të humbura dhe një rënie të të ardhurave me -7.5%. Borxhi publik u rrit me mbi 11.5% ndërkohë që sektorë jetike për ekonominë e vendit si turizmi u goditën me një rënie të aktivitetetit prej 60-70%. Asnjë vend në rajonin ballkanik apo në kontinentin europian nuk u kursye. Ky është peisazhi makroekonomik me të cilin përballemi prej 1 viti tashmë. Por cila është narrativa në nivel tregu? Çfarë impakti pati kjo situatë në mbarëvajtjen e aktivitetit privat, në mirë funksionimin e institucioneve, në mirëqënien e profesionistëve shqiptarë?

Ky është një rrëfim sesi kolegët e mi dhe stafi i institucionit financiar NOA u përballën me një situatë të jashtëzakonshme për të cilën nuk kishte manuale, protokolle e proçese të gatshme nga të cilët mund të mësonim. Ishte një vit plot sfida, por dhe risish e arritjesh të cilat dëshmuan sa i lartë është profesionalizmi, angazhimi dhe qëndrueshmëria e stafeve tona. Rezultatet dhe puna e tyre flasin vetë. NOA arriti gjatë vitit 2020 të injektonte në ekonominë shqiptare plot 28 milion euro. Një vlerë e qenësishme nga e cila përfituan rreth mijëra fermerë, sipërmarrës të vegjël e familje shqiptare dhe që e rriti totalin e portofolit aktiv të kreditimit të NOA në rreth 44 milion euro (nje rrije 8% kundrejt vitit të kaluar).  Gjithashtu, në përputhje me udhëzimin e Bankës së Shqipërisë dhe me qëllim lehtësimin e bizneseve kredimarrëse të prekura në aktivitetin e tyre për shkak të situatës pandemike, gjatë vitit 2020 NOA shtyu mbi 2,800 kredi që i korrespondonin një portofol kreditimi prej 10 milion euro.

Për një institucion financiar si NOA me një aktivitet 22 vjeçar, viti që lamë pas dhe situata pandemike ishin një kontekst për të rikonfirmuar vlerat dhe impaktin pozitiv që modeli ynë i biznesit ka për ekonominë vendase. Ndërkohë që sektori bankar u frenua në kreditimin e ekonomisë sipërmarrëse për shkak të kufizimeve pandemike dhe pasigurive që preknin aktivitetin e bizneseve të vogla, modeli mikrofinanciar i NOA-s ishte mëse i përgatitur për një skenar të tillë. Financimet tona të përshtatura dhe me proçedura të lehtësuara për bizneset dhe fermerët shqiptarë, dëshmuan sa fleksibël dhe jetike mund ktheheshin ato në një situatë të tillë. NOA nuk e ndali në asnjë moment kreditimin e ekonomisë së vendit, duke qёndruar “non-stop open to business” pёr cdo sipёrmarrёs e fermer.

Kjo ishte dhe arsyeja përse ishin rreth 3.150 sipërmarrës e fermerë të cilët gjetën një dritare të hapur financimi gjatë vitit 2020 pranë NOA-s dhe mbi 8.200 të vetë-punësuar, familjarë e individë. Financime që shkuan për të mbuluar qeratë e bizneseve të mbyllura, për të mbuluar pagat e vonuara për bizneset e vogla familjare, për të mbuluar nevojat e të përditshmes në disa raste, por dhe për dhjetëra sipërmarrje që kërkuan ta tejkalonin situatën duke riformatuar modelin e tyre apo diversifikuar burimin e të ardhurave. Ne falenderojmë secilin prej tyre për këmbënguljen, energjitë dhe sakrificat që investuan në bizneset dhe fermat e tyre, çka i mundësoi ekonomisë shqiptare të evitonte një kolaps të ngjashëm me atë të vitit 97

Po çfarë ndodhte nga krahu tjetër i banakut? Pavarësisht paqartësive, pasigurive, madje dhe frikës që rrethonte javët e para të pandemisë, stafi ynë dëshmoi një nivel profesionalizmi, angazhimi e devotshmërie të jashtëzakonshme. Falë respektimit me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, aktiviteti nuk u ndërpre për asnjë moment duke siguruar mbrojtjen më maksimale të çdo stafi dhe klienti që vizitonte degët tona. Po kështu, nuk pati largime apo shkurtime të vendëve të punës, përkundrazi një vijueshmëri normale të rekrutimit duke zhvendosur intervistat e punës online. Kështu, gjatë vitit 2020, u punësuan 54 stafe të rinj të cilët u mbështetën dhe integruan në kompani nëpërmjet trajnimeve online. Në asnjë moment nuk u prek paketa e kompensimit dhe benefiteve, perkundrazi pergjatë vitit pati rivleresime pagash si dhe nuk munguan shperblimet e performancës, sikundër në një vit normal. Për familjarët e stafit më në nevojë, nisur nga situata e vështirë që kaloi vendi, u ofruan dhe paketa ndihmash ekonomike. Ishte pikërisht kombinimi i këtij solidariteti unik, njerëzor dhe profesional, që i mundësoi NOA-s të kalonte me sukses sfidën menaxheriale që përfaqësonte pandemia për një kompani me 260 punonjës.

Vlen së fundmi të theksohet dhe impakti në rrafshin operacional. Investimet teknologjike ndër vite i mundësuan kompanisë të sigurojë vijueshmërinë normale të aktivitetit duke mundësuar funksionimin në distancë si dhe proçesimin e një fluksi tejet të lartë dosjesh klientësh të prekur nga situata pandemike. Një rezultat që konfirmon nivelin e lartë të sigurisë teknologjike dhe të kapaciteteve teknike që ka në dispozicion NOA dhe që i mundëson garantimin e pozicionit lider në treg në çdo situatë. Paralelisht, vijueshmëria e aktivitetit normal u lehtësua gjithashtu nga prezenca konstante e NOA-s në kanalet e shumta të komunikimit e marketingut me qëllim garantimin e një informimi sa më cilësor e të shpejtë në drejtim të grupeve e të sektorëve të klientelës të shërbyer. Por jo vetëm. Gjithmonë në respekt të misionit social e vlerave të saj themeluese, NOA ndërmori gjatë vitit 2020 një fushatë të gjërë sensibilizimi nën moton “Zgjidh Shqipërinë” me qëllim rritjen e sensibilizimit të popullatës mbi impaktet e emigracionit, dhe në drejtim të krijimit të sipërmarrjeve të reja në vend. Në vit pandemie dhe sfidash të mëdha për ekonominë, zgjedhja e Shqipërisë ishte parësore për çdo institucion me shtrirje kombëtare si NOA.

Në përmbyllje, dëshiroj të përfitoj nga ky shkrim për të rishprehur mirënjohjen tonë ndaj çdo klienti dhe ndaj çdo stafi që e kthyen sfidën e pandimisë Covid 19, në një arritje e një mësim të padiskutueshëm mbi kapacitetet tona për ndryshim dhe për inovacion. Viti që po lëmë pas, ishte një “stress-test” në madhësi reale mbi kapacitetin tonë adaptues dhe  kredidhënës. Dhe është pikërisht këtu, ku besojmë që gjënden rrenjët dhe arsyet se përse viti 2021 do të jetë një tjetër vit suksesi për mbarë kompaninë, për sektorin agro apo për financimin e sipërmarrjeve familjare. Ne parashikojmë të injektojmë mbi 30 milion euro në ekonominë e vendit me së paku 30% drejtuar ekonomisë bujqësore në vend. NOA do të vazhdojë të ndjekë një politikë dyersh të hapura, një vizion kombëtar për zhvillimin, si dhe praktikat më të përparuara në futjen e teknologjive të reja. 2020 ishte një sprovë që konfirmoi ambiciet dhe kapacitetet tona për më shumë. Ndërkohë, 2021 do të jetë një tjetër konfirmim të modelit tonë të biznesit unik në shërbim të sipërmarrjes së lirë, në shërbim të ekonomisë rurale, në shërbim të vendit.

Të reja të tjera