NOA i bashkohet nismës së muajit të auditoreve
Kur mendojmë për funksionin e auditorit të brendshëm të një organizate, dy gjëra vijnë në mendje : pavarësia e funksionit në vetvete si dhe procedura sesi vlerësohet risku, pra ajo që njihet ndryshe si "risk approach". Shpesh herë auditori i kompanisë shihet edhe në rolin e një këshilluesi (konsulenti) brenda organizatës, lidhur kjo me faktin se kontrollet e tij zbatohen në pothuajse në të gjitha nivelet e kompanisë.
Ndërkohë në terma më praktike dhe për shkak të zhvillimeve ndër vite, funksioni i auditorit të brendshëm në sektorin privat ka përjetuar një lloj shkëputje nga funksionet thelbësore të një organizate. Metodologjia e kontrollit të brendshëm bazuar kryesisht në vlerësimin e riskut, u zhvillua si një praktikë e re pune nga shoqëritë e mëdha ndërkombëtare të auditimit, pas një periudhe shumë-vjeçare optimizmi që shoqëroi rënien e perdes së hekurt në Europe.
Vlerësimi i riskut shihet si një praktikë e mirë që siguron eficencë, përshtatshmëri, fokus tek cilësia dhe efektiviteti i kontrolleve të brendshme të një organizate, gjithmonë në kushtet e një ambjenti dhe bote të biznesit me risk relativisht të ulët.
Pavaresisht nga kjo, pas viteve 2000, gjërat ndryshuan fillimisht me aktet terroriste në SHBA, më pas me rënien e kompanive të mëdha në fushën e energjisë, në sektorin bankar apo të vetë auditimit, si dhe më pas me krizën financiare botërore. Kjo situatë e re solli rritje të kërkesave rregullatore dhe një fuqizim të mëtejshëm të rolit të kontrollit të brendshëm. Një pozicion që tashmë u gjend në një rrugëtim transformimi.
Në paralel, veçanërisht për shkak të hovit teknologjik dhe kryesisht pas zhvillimit të madh të teknologjisë së informacionit, funksioni i auditorit kaloi një tjetër fazë ndryshimi. U futen në lojë sisteme gjithnjë e më komplekse dhe të automatizuara, çka kërkuan një qasje shumë më të specializuar dhe procedura të dedikuara në aspektin e metodologjisë së kontrollit, veçanërisht sa i takon përpunimit dhe sigurisë së informacionit.
Kërkesat e shtuara rregullatore për më shumë zgjidhje teknologjike krijuan situata të reja sfiduese ku ndërtimi i sistemeve komplekse nuk derivoi detyrimisht në automatizm, përkundrazi, risku operacional apo teknik u rrit, çka ishte një barrë më shumë për punën e kontrollit të brendshëm.
Në një farë mënyre, ky transformim kërkon një “back to basics” përtej trendeve të momentin dhe me qëllim konsolidimin e asaj çka është dhe thelbi i proceseve të auditimit/kontrollit.
Se cilat janë sfidat e reja të kontrollit të brendshëm në një botë të tillë komplekse, është e vështirë ta thuash menjëherë. Mbetet gjithmonë fakti i thjeshtë por shumë i rëndësishëm që funksioni i auditorit është nga të paktat struktura që siguron një njohje, apo një formë dijeje transversale të detajuar të një organizate, e cila si e tillë rezonon në të gjithë hartën dhe fijet e saj, pak a shumë në rolin që ka shtylla kurrizore për trupin e njeriut.
Si i tillë, roli i auditorit apo i kontrollit të brendshëm mbetet një garanci më shumë për çdo organizatë, një rol që duhet kuptuar, forcuar dhe promovuar nga i gjithë trupi organizativ, e jo vetëm në muajin e tij të promovimit.
Forcimi i rolit të auditorit kërkon një prezencë reale dhe më të qënësishme në vendimmarrje. Një proces konsolidimi që duhet mbështetur dhe nga një qasje më manaxheriale, një prezence të shtuar në bordet ekzekutive, një gjuhë të përkthyer e lexuar qartë, gjetje të kuptueshme nga drejtuesit dhe nga cdo nivel tjetër i kompanisë. Gjithçka në emër të përmirësimit cilësor të aktivitetit të biznesit, përtej kurtheve me natyrë të thjeshtë operacionale apo teknike me qëllim për të tejkaluar gjithmonë natyrën, përkufizimin apo tipologjinë e problematikave të identifikuara.
Në NOA, ne përpiqemi të promovojmë në mënyrë konstante një qasje të tillë dhe është kënaqësi që sot bëhemi pjesë e muajit të Auditorëve si një mënyrë për të ndërgjegjësuar më shumë tregun dhe kompanitë shqiptare mbi këtë rol.