27.12.2023

Këshillimi Smart - Konsumo shqip

Festat e fund-vitit dhe tryeza shqiptare

Krishtlindjet dhe Viti i Ri, janë festa që mbledhin çdo familje rreth tavolinës së shtruar me gatime tradicionale, por jo vetëm. Në të gjithë botën ekzistojnë disa lloje traditash e ritualesh, që besohet se sjellin fat për vitin e ardhshëm. Por përveç tyre duhet të kemi parasysh se tradita Shqiptare ka disa ushqime që nuk duhet të mungojnë në tryezën e ndërrimit të vitit, pasi mendohet se janë një ogur i mirë për vitin e ri.


Gjeli Detit. Festat e fundvitit sjellin me vete një sërë traditash kulinare, ndër të cilat shquhet një pjatë e veçantë që është Gjeli i Detit. Kjo është kryefjala e Vitit të Ri në shumë vende, duke u shërbyer në tryezat familjare shqiptare dhe jo vetëm. Gjeli i detit është bërë pjesë integrale e festimeve shqiptare, duke simbolizuar bollëkun, prosperitetin dhe gëzimet e përbashkëta. Në zona të ndryshme të Shqipërisë gatuhet në disa forma si me përshesh, me oriz, i mbushur me arra ose gështenja.
Gjeli i Detit rritet në zonat përreth Tiranës, Elbasanit, Peqinit, Beratit, Lushnjes, Fierit, Lezhës dhe Shkodrës.


Leguminozet (Thjerrëza, fasulja etj.) Thjerrëzat simbolizojnë paratë. Pjata me thjerrëza përdoret si fatsjellëse kryesisht në traditën italiane, madje kjo traditë daton qysh në kohën e romakëve. Gjithashtu edhe fasulet pllaqi janë pjesë e kuzhinës për natën e ndërrimit të viteve. Pllaqia kultivohet në zonën e Korçës dhe në veçanti në Devoll.


Mishi i Derrit. Tingëllon çuditshëm, por për disa shtete, mishi i derrit simbolizon prosperitet. Veçanërisht fatsjellëse konsiderohet hunda e derrit, e cila nuk duhet t’i mungojë tavolinës suaj. Ajo simbolizon progresin. Mishin e derrit mund ta konsumoni në të gjitha format e tij, i pjekur në furrë, si proshutë, pancetë, rosto etj. Gicat rriten në zonën e Lezhës, Korçës dhe Fierit.


Orizi. Emri i orizit evokon gëzim e të qeshura, por orizi është konsideruar gjithmonë si fatsjellës. Jo më kot është përdorur si urim edhe në martesa. Orizi më i mirë i fatit është ai i shoqëruar me shegë.


Bakllavaja. E ëmbël dhe me plot shije, me sherbet e arra, bakllavaja pa dyshim është lezeti i tryezës shqiptare për Vitin e Ri. Bakllavaja është shndërruar në një traditë mesdhetare, përgatitja e së cilës kulmon në festat e fundvitit, ku padyshim pjesë e kësaj tradite është edhe Shqipëria. Një traditë e trashëguar brez pas brezi nga nënat e gjyshet shqiptare, kjo ëmbëlsirë vijon të mbetet edhe sot më e preferuara e shqiptarëve dhe sigurisht nuk mungon në asnjë tryezë kur bëhet fjala për darkën e shumëpritur të ndërrimit të viteve.


Vera e kuqe. Tavolina pa një verë të kuqe nuk do të kishte kuptim. Thuhet që një verë e mirë, e ndarë me të dashurit, kënaq zemrat. Historianët shpjegojnë që në zona të ndryshme të Shqipërisë është konsumuar vetëm verë e prodhuar nga varietetet autoktone: Shesh, Kallmet, Vranac, Cërrujë, Puls, Vlosh apo Pamid etj.


Ruani traditën! Konsumoni shqip!
“NOA Financon, NOA Këshillon”

Këshillime të tjera