01.02.2024

Këshillimi Smart - Kultivimi i Misrit

KULTIVIMI I MISRIT DHE KËRKESA E BLEGTORISË

Misri është një nga kulturat më të rëndësishme për konditat agro-ekologjike të Shqipërisë dhe një nevojë për plotësimin e bazës ushqimore për blegtorinë. Sipërfaqja e mbjellë me bimën e misrit është rreth 56,600 ha, me një prodhim prej 401,419 ton. Kjo është sasia e prodhuar bazuar në statistika dhe nuk përfshin sasira të vogla për ushqim blegtorie për konsum familjar (1-2 lopë qumështi). Nga sasia e kultivuar rreth 50,000 ha përdoren për ushqim për blegtorinë dhe pjesa tjetër per industri ose përdorim famijar. Rendimenti mesatar i misrit është 6.6 ton/ha (INSTAT 2022). Prodhimi i përgjithshëm për misër kokërr është 370-390,000 ton, dhe për silazh me kalli 5-10,000 ton. Qarqet me sipërfaqe me të mëdha janë Fier, Elbasan, Shkodër, Dibër, Korçë, ndërkohë në disa rajone si Sarandë, Konispol, Maliq kultivohen rreth 15,000 ha dhe arrihet një rendiment prej 10-14 ton/ha. Çdo vit Shqipëria importon rreth 120-150,000 ton, kryesisht nga Serbia, Ukraina etj. Bazuar në të dhënat statistikore mbi blegtorinë dhe rendimentin mesatar të qumështit të lopës, përllogaritet që nevoja për misër për racion ushqimor për lopë qumështi është rreth 760,000 ton, dhe për të imta (75 ditë ushqyerje në rregjim stallor) nevojiten rreth 51,000 ton misër.

KRITERET PËRCAKTUESE PËR MBJELLJEN E MISRIT

Listohen rreth 9 kritere kryesore përcaktuese në kultivimin e misrit, të cilat po i listojmë në vijim: 1). Zgjedhja e hibridit; 2). Afati i mbjelljes, përgatitja e tokës; 3). Përdorimi i plehrave dhe pesticideve; 4). Sigurimi i numrit të bimëve; 5). Ujitja; 6). Dëmtuesit dhe sëmundjet, krimbat e misrit, helmintosporioza; 7). Vjelja, përpunimi i prodhimit; 8). Sistemi i grumbullimit; 9). Kosto e prodhimit, destinacioni i përdorimit dhe tregu.

Afati i mbjelljes, përgatitja e tokës varen nga: a). Faktorët abiotikë të rajonit (zonat dhe nënzonat agroekologjike, temperaturat, struktura e tokës); b). Mundësia e përgatitjes së shtratit të farës (kullimi tokës, niveli mekanizimit).

Misri është bimë me kërkesa të larta për lëndë ushqyese prandaj duhet të respektojmë trajtimet agroteknike që lidhen me: a).Plehërimin para mbjelljes: - Plehrat organike; - Plehërimi fosforik dhe potasik; - Plehërimi azotik ( deri ½ e sasisë të përgjithshme). b). Plehërimi në vegjetacion: - Plehërim azotik 1 ose 2 duar; - Plehërimi i lëngët organik ( raste të veçanta). c). Përdorimi i pesticideve: - Infeksioni i lartë nga barërat e këqija (përcaktimi i herbicideve me efikase, qarkullimi i kulturave).

KOSTO E INVESTIMIT PËR MISRIN DHE PËRFITUESHMËRIA

Bazuar në Kartat Teknologjike të përgatitura nga NOA, kosto totale për prodhimin e misrit në një sipërfaqe prej 1ha, për një rendiment 9 ton/ha, është rreth 250,000 lek, duke arritur një fitim neto prej 94,000 lek.

 “NOA FINANCON, NOA KËSHILLON”

Këshillime të tjera