05.04.2024

Këshillimi Smart - Standardet e marketingut të domates

Kultivimi i domates dhe standardet e marketingut

Statistikisht në Shqipëri operojnë rreth 2100 ha sera, të cilat kryesisht janë të shtrira në rajonin e Lushnjes, Divjakës, Beratit, Fierit dhe Elbasanit. Njësia Administrative Kutalli-Berat është një tjetër potencial në zhvillimin e serave, me afërsisht 500 ha sera diellore. Gjatë vitit 2022, eksportet e prodhimeve bujqësore arritën vlerën më të lartë, rreth 480 milion Euro. Statistikisht, produkti me volum më të lartë rezulton domatja e serave, e cila ka edhe kërkesën më të lartë për eksport.

Kushtet për vjeljen dhe ruajtjen e domates

Fruti i domates vazhdon të piqet edhe pas vjeljes. Prandaj, përcaktimi i momentit të vjeljes është një pikë kritike për ruajtjen e cilësisë në periudhën pas vjeljes. Ai varet nga disa faktorë si kërkesat e tregut, kushtet e disponueshme për transport dhe magazinim, pra distanca deri në destinacionin përfundimtar që do të vendoset produkti. Vjelja e domates duhet të bëhet në pjesën më të ftohtë të ditës (pas vesës ose në mbrëmje). Duhet pasur kujdes që të mos shkaktohen dëmtime të panevojshme për bimët ose frutat e vjela. Është e detyrueshme të vishni doreza, sepse lëkura e frutave është e hollë dhe është e lehtë të bëhen të çara dhe dëmtime sipërfaqësore.

- Gjatë vjeljes, domatet duhet të trajtohen me kujdes duke shmangur deformimet apo dëmtimet;

- Domatet piqen pas vjeljes, por frutat jeshile të mbledhura shumë herët nuk piqen siç duhet;

- Domatja ka një përmbajtje të lartë lagështie dhe për këtë arsye është e vështirë të ruhet në kushte ambienti për një periudhë të gjatë (maksimumi 1 javë). Ruajtja optimale dhe afatgjatë sigurohet në një temperaturë prej 10-15°C.

- Domatet nuk ruhen me fruta që prodhojnë etilen (mollë, pjepër, kivi, etj.) pas vjeljes, sepse frutat jeshile të mbledhura shumë herët nuk piqen siç duhet dhe kjo shkurton ndjeshëm periudhën e ruajtjes.

Standardet e marketingut të domates

Domatet e shëndetshme renditen sipas madhësisë dhe ngjyrës. Për tregtinë ndërkombëtare, është e nevojshme të përmbushen standardet e UN/ECE. Standardet e përshkruara përmbajnë dispozita për cilësinë e domateve sipas klasave (ekstra, I dhe II), renditjen sipas madhësisë, devijimet e lejuara, dispozita për pamjen për sa i përket uniformitetit dhe paketimit, si dhe kërkesat e etiketimit. Domatet duhet të paketohen të freskëta, të pastra, pa mbetje konservante, lagështirë dhe jo të kalbura apo të dëmtuara. Ambalazhimi duhet të bëhet në atë mënyrë që të parandalojë dëmtimet dhe ndotjen e domateve, si dhe ndotjen nga burime biologjike dhe kimike. Në praktikë përdoren ambalazhe nga materiale të ndryshme dhe mënyra e paketimit është e rëndësishme sepse mund të zgjasë afatin e ruajtjes.

 “Fermerë, respektoni standardet e marketingut”

“NOA Financon, NOA Këshillon”

Këshillime të tjera