17.04.2024

Këshillimi Smart - Dëmtimet nga ulja e temperaturave në stinën e pranverës

Menaxhimi i riskut klimaterik në pemtore

Temperaturat e ulëta në pranverë mund të paraqesin rreziqe të konsiderueshme në pemtore, veçanërisht kur ato ndodhin gjatë periudhave kur pemët frutore janë në lulëzim. Këto rreziqe mund të prekin pemët frutore në mënyra të ndryshme, duke përfshirë dëmtimin e sythave, luleve dhe frutave në zhvillim. Nga evidencat, ulja e ndjeshme e temperaturës në Prill të vitit 2017 shkaktoi një rënie të prodhimit të mollëve me 24% në Europë, apo rënia e temperaturave në 2021 shkaktoi 24-30% dëmtime në vreshtat Franceze. Edhe në Shqipëri, në vitet e fundit kemi pasur një dëmtim të madh të prodhimit për shkak të të ftohtit pranveror, dëmtime këto që kanë rezultuar në rënie prodhimi deri në 30%.

Kush janë risqet e të ftohtit pranveror dhe si menaxhohen?

- Dëmtimi i luleve nga i ftohti pranveror. Ngricat e vona të pranverës mund të dëmtojnë ndjeshëm pemtoret, duke zvogëluar formimin dhe rendimentin e frutave. Kjo është veçanërisht problematike për pemët frutore me lulëzim të hershëm.

- Ndalim i rritjes. Periudhat e zgjatura të temperaturave të ulëta mund të pengojnë rritjen e pemëve të reja dhe të kufizojnë aftësinë e tyre për të prodhuar fruta.

- Dëmtimi i lëvores nga temperaturat e ulëta. Temperaturat e ftohta mund të shkaktojnë lëndime në lëvoren e pemëve të reja, veçanërisht ato me lëvore të hollë, duke çuar në dëmtime afatgjata ose deri në tharrje.

Nëpërmjet investimeve në teknologji, kultivuesit e pemëve frutore mund të zbusin rreziqet që lidhen me temperaturat e ulëta në pranverë. Disa nga investimet efiksase janë si më poshtë:

1). Ventilatoret e erës qarkullojnë ajrin e ngrohtë nga lart poshtë, duke rritur temperaturat rreth pemëve dhe duke i mbrojtur ato nga ngrica.

2). Ngrohje nëpërmjet zjarreve të vendosura në mënyrë strategjike në të gjithë parcelën për të rritur temperaturën në pemtore.

3). Ujitja nga lart krijon një mjegull të imët uji mbi pemë gjatë temperaturave të ngrirjes. Uji ngrin dhe lëshon nxehtësi latente, duke siguruar një shtresë mbrojtëse akulli rreth sythave dhe luleve.

4). Rrjetat antibreshër ofrojnë një pengesë kundër ajrit të ftohtë.

5). Mbjellje të pemëve të larta përreth pemtores krijojnë një strukturë mbrojtëse nga temperaturat e ftohta.

6). Rritje të volumit të ujitjes përpara të ftohtit, duke ruajtjur lagështinë e tokës dhe parandalimin e ngrirjes së sipërfaqes/cipës së tokës.

7). Shtimi i lëndës organike në tokë, biosimulanteve mund të përmirësojë mbajtjen e nxehtësisë dhe vetitë izoluese, duke ndihmuar në mbrojtjen e rrënjëve gjatë periudhave të ftohta.

“NOA Financon, NOA Këshillon”

Këshillime të tjera