28.03.2024

Këshillimi Smart - Luleshtrydhja

Kultivimi i luleshtrydhes dhe standardet e marketingut

Kultivimi i luleshtrydhes ka pasur një trend të mirë zhvillimi në këto 6-7 vite dhe rritje të eksporteve. Bazuar në statistikat e FAOSTAT-it (viti 2022), në Shqipëri kultivohen rreth 131ha luleshtrydhe, por nga konsultimet me fermerët dhe specialistët e bujqësisë, paraqitet një sipërfaqe rreth 220 ha të kultivuara me luleshtrydhe. Prodhimi total i luleshtrydhes është 6,290 ton. Gjatë vitit 2022 janë eksportuar 2,562 ton luleshtrydhe në një vlerë 4,117,294 $, ndërkohë që vetëm një sasi e vogël importohet nga Greqia, pra rreth 17.1 ton në një vlerë rreth 36,522$.
Fermerët kultivojnë 2 lloj luleshtrydhe, Fortuna dhe Sabina, që kanë ndryshim me njëra tjetra në ciklin prodhues, shtrirja në kohë e prodhimit dhe vjelja. Tregtimi i produktit fillon nga muaji Dhjetor me sasi të vogla dhe përfundon në muajin Maj ose fillim të muajit Qershor. Kulmi i prodhimtarisë së këtij fruti arrin në fund të muajit Prill dhe fillim të muajit Maj (siç është pasqyruar dhe në kartat teknologjike të përgatitur nga NOA). Në zonën e Kafarajt në Fier, janë mbi 100 hektarë të kultivuara me luleshtrydhe në sera tunel.

Kushtet për magazinimin e luleshtrydhes

Fruti i luleshtrydhes bën pjesë në grupin e frutave jo-klimakterike, që do të thotë se nuk mund të piqet pas vjeljes, pra gjatë ruajtjes dhe tregtimit. Luleshtrydhja është një frut që është shumë i ndjeshëm ndaj temperaturave të larta dhe e humbet ujin shumë shpejt. Në dy orë në 15°C, fruti i luleshtrydhes humbet 0,5% të masës së tij. Frutat që ekspozohen në rrezet e diellit (30°C), për 4 orë humbasin 40% të vlerës së tyre tregtare. Frutat e freskëta të luleshtrydheve mund të ruhen për 7 deri në 10 ditë. Temperatura e ruajtjes duhet të jetë 0°C, dhe lagështia relative duhet të jetë 90 - 95%. Temperatura më e lartë negative (temperatura në të cilën dëmtohet fruti) është -0,8°C. Nëse frutat ruhen në dhomat ULO (Oksigjen ultra i ulët), duhet të sigurohet raporti i mëposhtëm i gazrave: 5-10% O2; 15 - 20% CO2.

Standardet e marketingut të luleshtrydhes

Gjatë vjeljes, është e rëndësishme të kujdeseni për higjienën personale. Fruti mund të kontaminohet me patogjenë të ndryshëm që shkaktojnë sëmundje tek njerëzit që mund të transmetohen. Në kushtet tona për vjeljen e luleshtrydheve më së shpeshti përdoren arkat prej druri me përmasa 30x50cm, e së fundmi edhe ambalazhe prej kartoni të përmasave të ndryshme. Fruti i luleshtrydhes është i ndjeshëm ndaj presionit, gjë që duhet pasur parasysh gjatë vjeljes në ambalazhe të mëdha. Fruti i luleshtrydhes mund të paketohet edhe në kuti të vogla plastike që mundësojnë çlirimin e gazrave nëpërmjet vrimave. Fruti duhet të ftohet sa më shpejt që të jetë e mundur pas vjeljes, në mënyrë që të zvogëlohet intensiteti i frymëmarrjes dhe humbja e lagështisë, duke zgjatur kështu periudhën e ruajtjes së tyre dhe të jenë sa më të freskëta.

 “Fermerë, respektoni standardet e marketingut”

“NOA Financon, NOA Këshillon”

Këshillime të tjera