16.03.2021

Komunikim për publikun

Ditën e martë, datë 1 Dhjetor 2020, Emisioni Fiks Fare i televizionit Top Channel, solli në vëmendje të publikut një kronikë e cila përcillte rastin e një qytetari i cili kundështonte cilësinë e tij si dorëzanës  në një kredi të vitit 2000, bazuar në një njoftim me shkrim që i ishte komunikuar nga një Institucion Financar Jo-Bankë.

Ky rast u soll në vëmendje të NOA nga gazetarët e Top Channel në kuadër të një takimi të zhvilluar në zyrat e kompanisë më datë 28 tetor 2020, me kërkesë të tyre.

Në vijim të këtij takimi dhe me qëllim respektimin e standarteve të cilësisë për trajtimin e ankesave dhe transparencës që NOA zbaton për të gjithë klientët e saj, rasti në fjalë u analizua dhe u investigua nga strukturat përkatëse të kompanisë brenda një afati të shkurtër kohor.

Në vijim të rezultatit përfundimtar të analizës, u realizua edhe kontakti telefonik me gazetarët e televizionit Top Channel, duke parashtruar sqarimet e nevojshme në kuadër të ruajtjes së konfidencialitetin të të dhënave.

Vlen të theksojmë se faktet e paraqitura gjatë emisionit të transmetuar më dt. 1 dhjetor, nuk pasqyrojnë në mënyrë të qartë informacionin e ndarë nga NOA në drejtim të gazetarëve të Top Channel, ashtu si dhe situatën e krijuar me individin, objekt të kronikës në fjalë. Nisur nga këto paqartësi, me qëllim mirë-informimin e publikut, parashtrojmë faktet e mëposhtme për sqarimin e mëtejshëm të rastit të ngritur nga televizioni Top Channel:

Kronika i referohet një kredie të vitit 2000, sipas një kontrate të nënshkruar para një noteri ku identifikimi i palëve, është bërë në prezencë të tij.

Financimi në fjalë është transferuar sipas një kontrate kalim kredie drejt një kreditori të ri, i cili rrjedhimisht ka kontaktuar me palët që janë pjesë e kontratës së kredisë së firmosur në vitin 2000. Kjo transfertë nënkupton që shkresa njoftuese për personat e përfshirë nuk është dërguar nga NOA, por nga kreditori i ri pasi NOA nuk ka më asnjë lidhje me detyrimet që rezultojnë nga kjo kredi;

Pavaresisht sa me sipër, me qëllim respektimin e standarteve të NOA-s në shërbimin cilësor ndaj klientit, në trajtimin e ankesave, në respekt të transparencës në kthim përgjigje si dhe në frymën e bashkëpunimit me mediat, NOA bëri investigimet përkatëse për këtë ankesë sipas problematikës ngitur nga gazetarët e Top Channel; 

Nga investigimet, rezultoi që personi i paraqitur pranë Top Channel, ka një datëlindje tjetër nga personi i cili figuron palë në cilësinë e dorëzanësit në kontratën e kredisë të vitit 2000. Pavarësisht se gjeneralitetet e tjera përkojnë (emër, mbiemër) personi që ka ngritur shqetësimin i përket ditëlindjes 1982, ndërkohe garantori është i ditëlindjes 1978.

Rasti në fjalë dëshmon më së miri rëndësinë që NOA i dedikon respektimit të standarteve më të larta në shërbimin ndaj klientëve të saj, shpejtësinë në trajtimin e çdo ankese potenciale, politikën e transparencës dhe të komunikimit të hapur. Rasti konfirmon praktikën e kompanisë në ndërtimin e një marrëdhënieje sa më cilësore, konfidenciale e afatgjatë me çdo klient, organizatë të mbrojtjes së konsumatorit, apo dhe me media, duke  ftuar secilin prej tyre të kontaktojë pa hezitim stafin e kompanisë me qëllim adresimin e çdo paqartësie apo ndarjen e çdo lloj informacioni të nevojshëm.

Aktive në tregun shqiptar prej 22 vitesh, dhe me fokus financimin e sipërmarrësve të vegjël, të vetë-punësuarëve, fermerëve dhe familjeve shqiptare, NOA i shërben klientëve të saj konform kuadrit ligjor dhe akteve rregullative në fuqi për sektorin financiar. Liçencuar nga Banka e Shqipërisë, çertifikuar nga Bashkimi Europian sipas Kodit të Praktikave të Mira për Institucionet e Mikrofinancës, NOA prioritizon maksimalisht cilësinë dhe standartet e shërbimit ndaj klientëve të saj, duke u përpjekur gjithmonë që produktet financiare të përputhen me nevojat e klientëve. Dhe është ky investim i përhershëm për të ofruar produkte terësisht të adaptuara ndaj realitetit ekonomik të vendit tonë, që është në themel të diferencimit tonë si një institucion financiar lider në vend.

Të reja të tjera